Zbrazen qelitë e Vaqarrit, pas rikonstruksionit do bëhet i pari burg i hapur në Shqipëri

533
Sigal

Të gjithë të dënuarit dhe të paraburgosurit që ndodheshin në burgun e Vaqarrit janë transferuar në paraburgimin 313 në kryeqytet.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë për të ditur për RTV Ora se shkak është bërë rikonstruksioni i burgut të Vaqarrit, i cili më pas do të kthehet në një burg të hapur, i pari në vendin tonë.

Bëhet fjalë për të dënuarit, të cilët gjykata përveç burgut jep dhe dënime të tjera alternative siç është qëndrimi në burg në darkë, ndërsa në mëngjes i dënuari të merret me aktivitet për të siguruar të ardhurat e familjes.

Ideja është që i burgosuri del nga burgu në mëngjes dhe shkon në vendin e punës. Pas përfundimit të punës ai menjëherë do të rikthehet në institucion dhe do të mbetet aty deri mëngjesin tjetër nëqoftëse ai nuk ka leje ose pushim.

Në institucion të burgosurit mund të marrin pjesë në aktivitete të kohës së lirë, të zhvillojnë aktivitete sportive dhe të përfitojnë në trajtimin e ofruar atje.

Shumicën e fundjavave i burgosuri mund ti kalojë me familjen e tij. Të burgosurve në një burg me regjim të hapur sigurisht që do tu duhet ti përmbahen në mënyrë strikte rregullave të specifikuara.

Konsumimi i alkoolit ose kthimi me vonesë mund të çojë zhvendosjen e të burgosurit në burgjet e mbyllura.

I burgosuri vendoset me miratimin e tij në një burg me regjim të hapur kur plotëson kushtet e veçanta për tu vendosur në një institucion të tillë dhe ky kalim nuk nënkupton që ai ti shpëtojë dënimit me burgim dhe as të abuzojë me mundësitë e ofruara nga burgjet e hapura për të kryer krime të tjera.