Zbatohen vendimet e Strasburgut qeveria kompenson ish-pronarët

539
Sigal

TIRANE – Këshilli i Ministrave  miratuar sot vendimin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore në Strasbourg, për dëmshpërblimin e e familjes Delvina dhe Manushaqe Putos. Sipas vendimit të marrë, ndaj familjes Delvina duhet të jepet dëmshpërblimi në vlerën prej rreth 2 milionë euro në çështjen “Delvina kundër Shqipërisë”.  Ndërkaq po ashtu është miratuar edhe dëmshpërblimi i shumës së mbetur ndaj Manushaqe Putos, e vendosur fillimisht nga Gjykata e Strasburgut në vlerën 100 milionë lekë. Dëmshpërblimet e mësipërme vijnë pas vendimeve të Gjykatës së Strasburgut lidhur me kompensimet e ish-pronarëve dhe të drejtat që ata kërkojnë mbi pronat e tyre.

Më poshtë vendimet e plota të Këshillit të Ministrave: 

VENDIM PËR  DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.172, DATË 26.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 15.1.2013, PËR ÇËSHTJEN NR.49109/06, “DELVINA KUNDËR SHQIPЁRISЁ””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të    ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenit 10, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Në vendimin nr.172, datë 26.3.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në të gjithë përmbajtjen e vendimit, numri i aplikimit të çështjes nga “nr.49109/06”, bëhet “nr.49106/06”.
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr.49106/06, “Delvina kundër Shqipёrisё”, në shumën 2 025 900 (dy milionë e njëzet e pesë mijë e nëntëqind) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin.”.
3. Në fund të pikës 4 shtohet fjalia, si më poshtë vijon:
“Në rast mospagimi brenda këtij afati, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin marzhinal të huasë së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.”.
4. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Efekti financiar për zbatimin e këtij vendimi të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

VENDIM PËR  DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.180, DATË 26.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGESËN E VLERËS SË MBETUR PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 31.7.2012, PËR ANKIMET NR.604/07, 43628/07 DHE 46684/07, “MANUSHAQE PUTO DHE TË TJERË KUNDËR SHQIPËRISË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 dhe 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të nenit 10, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 VENDOSI:

 Në vendimin nr.180, datë 26.3.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në të gjithë përmbajtjen e vendimit fjalët “… ankimet nr.604/07, 43628/07 dhe 46684/07 …”, zëvendësohen me “… ankimet nr.604/07, 43628/07, 46684/07 dhe 34770/09
2. Në fund të pikës 4 shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Në rast mospagimi brenda këtij afati, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin marzhinal të huasë së Bankës Qendrore Europiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.”.
3. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Efekti financiar për zbatimin e këtij vendimi të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.