Zbarkojnë 502 marinsa në Portin e Durrësit

547
Sigal

Zbarkoi në Portin e Durrësit anija e marinës ushtarake amerikane “USS FORT MCHENRY (LSD 43) FPO 09569-1731”, ajo është ankoruar në portin detar për një vizitë portuale, në vazhdën e përpjekjeve të Flotës së 6-të të Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar partneritete globale me flotat e vendeve europiane dhe përmirësuar sigurinë dhe mbrojtjen e flotave ushtarake. Anija Ushtarake amerikane “USS FORT MCHENRY (LSD 43) FPO 09569-1731” me 502 marinsa dhe anëtarë të tjerë të ekuipazhit në bord ka mbërritur në Portin e Durrësit, në kuadër të një stërvitjeje të përbashkët me Flotën Detare të Shqipërisë. Anija ushtarake do të qëndrojë për gjashtë ditë në Portin e Durrësit në kalatën numër 5. Të hënën dhe të martën për dy ditë me radhë marinsat amerikanë do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët në det, me anijet e flotës detare, për operacionet e kërkim shpëtimit në det, të hapur, në rast fatkeqësish njerëzore apo incidentesh detare. Trupat amerikane gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë do të kenë statusin e parashikuar në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave, nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951 dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.10101, datë 26.3.2009, si dhe statusin e parashikuar në marrëveshjen plotësuese, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të marrëveshjes mes shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe të shteteve të tjera pjesëmarrëse në partneritetin për paqe lidhur me statusin e forcave të tyre.