Procesi gjyqësor dhe hetimor për vrasjen e Marvi Mihalit ka marrë një tjetër rrjedhë, pasi Prokuroria e Tiranës thotë se nuk kanë qenë katër persona që e kanë sulmuar viktimën, por pesë.

Autorët e dyshuar për vrasjen e Mihalit në gjykatë

Personi i pestë ende nuk dihet se cili është, por Prokuroria thotë se ka dëshmitarë që do të dëshmojnë për të dhe se ai ka qenë i armatosur me armë të ftohtë. Bëhet fjalë për ngjarjen tragjike që i mori jetën Marvi Mihalit, si pasojë e një konflikti për një karikues telefoni.

Pas shumë javësh shtyrjeje të nisjes së procesit në themel, më në fund shqyrtimi gjyqësor u hap. Seanca nisi rreth orës 13:45 të ditës së djeshme në një sallë të tejmbushur në Gjykatën e Tiranës. Më të shumtë ishin familjarët e të akuzuarve, ndërsa në krahun tjetër qëndronin prindërit në zi të Marvi Mihalit. Edhe pse me masa sigurie, seanca nuk pati incidente. Kreu i trupës gjykuese, Sokol Tona, që në nisje të seancës shpalli vendimin për një nga kërkesat e të akuzuarve, që kishin kërkuar më parë përjashtimin e tij nga trupa gjykuese.

Kjo kërkesë, sipas Tonës është rrëzuar. Në sallën e gjyqit mungonin të akuzuarit për ngjarjen, të cilët përfaqësoheshin nga avokatët e tyre. Pasi u shpall rrëzimi i kërkesës së parë, pra ai i përjashtimit të kryetarit të trupës gjykuese, avokatët e Dejvi Bitrajt dhe Kridens Allës, Sokol Hazizajt dhe Ilir Muratit, kërkuan gjykim të shkurtuar për klientët e tyre, ndërsa avokati i Eugen Bitrajt kërkoi gjykim normal.

Në këtë pikë pati edhe reagim nga përfaqësuesi i familjarëve të viktimës. Avokati Saimir Vishaj tha se kërkesa për gjykim të shkurtuar duhej rrëzuar, pikësëpari pasi ajo kërkohet përpara se çështja të nisë në themel dhe së dyti, do të prishte hetimin e çështjes. Trupa gjykuese u tërhoq për vendim dhe më pas shpalli rrëzimin e kërkesës për gjykimin e shkurtuar, si edhe nuk pranoi që çështjet të veçoheshin.

HETIMET

Më pas, fjalën e mori prokurori Gjergj Tako, i cili lexoi kërkesën për gjykim. Ai tha se historia e konfliktit nisi pas shitjes së një celulari pa karikues nga shtetasi Armend Haxhiu te Dejvi Bitraj. Ky i fundit i kishte shkuar disa herë Haxhiut t’i merrte karikuesin, por nuk e kishte zgjidhur konfliktin.

Mbrëmjen e 1 gushtit 2017, Dejvi Bitraj ka mbledhur një grupin e tij, të cilët janë vendosur në pozicione të posaçme në vendin ku ndodhi vrasja. Ai më parë kishte komunikuar me Haxhiun dhe kishin vendosur të konfliktoheshin. Nga ana tjetër, edhe Armend Haxhiu kishte marrë me vete disa persona, ndër ta edhe Marvi Mihalin. Sipas prokurorit, i cili bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë sekuestruar në bizneset pranë vendit të ngjarjes, thotë se, si fillim, sherri nisi midis Haxhiut dhe Dejvi Bitrajt, ndërsa më pas grupi i Bitrajt qëlloi edhe viktimën.

Prokurori Tako tha se grupi përbëhej nga pesë persona dhe të paktën dy prej tyre ishin të armatosur me mjete të ftohta. Si prova gjatë shqyrtimit gjyqësor do të shfaqen pamjet e kamerave të sigurisë, si dhe do të pyeten 10 dëshmitarë të kërkuar nga Prokuroria. Nga hetimet,- tha prokurori,- rezulton se grupi përbëhej nga 5 persona dhe këtë e konfirmon dëshmia e një personi, i cili do të thirret para gjykatës.

Gjatë seancës së djeshme, fjalën e mori edhe avokati i viktimave, prindërve të Marvi Mihalit, Pavllo dhe Mira Mihali, Saimir Vishaj, i cili kërkoi disa dëshmitarë që do të pyeten në seancat në vazhdim. Gjithashtu, si dëshmitarë kërkoi edhe dy prindërit e të ndjerit, që dëshminë e tyre do ta japin në javët në vazhdim. Ndërkohë, seanca e djeshme u shty me kërkesë të mbrojtësve, për të përgatitur edhe ata listën e provave që do të paraqesin në gjykatë.