Zbardhet i plotë projekti për rritjen e pagave, kategoritë që përfitojnë

524
Sigal

 

 

Qeveria ka detajuar politikën për rritjen e pagave të administratës. Projekti tashmë është gati për në Kuvend, si pjesë e projektbuxhetit të vitit 2017. Rritja mesatare e pagës për sektorët kryesorë; arsimin, shëndetësinë dhe Policinë e Shtetit, do të jetë me 10%, ndërsa për punonjësit e administratës qendrore 7%. Kosto vjetore për këtë rritjen është 7.5 miliardë lekë, por duke qenë se kjo politikë do të aplikohet në muajin mars, kosto reale në buxhetin e 2017 nga kjo rritje do të jetë 6.2 miliardë lekë. Nga kjo rritje do të përfitojnë 110 000 punonjës, nga të cilët 81 mijë punonjës janë buxhetorë dhe rreth 29 mijë punonjës të tjerë janë mjekë, infermierë dhe punonjës mësimorë të universiteteve publikë. Politika e rritjes së pagave do të bëhet e diferencuar duke i dhënë prioritet kryesisht pagës minimale, pagës në sistemin arsimor dhe shëndetësor, pagës së administratës publike, si dhe pagës së punonjësve në sistemin e Policisë së Shtetit. Paga minimale do të rritet me 36.3% ose me 8 000 lekë/muaj. Numri total i përfituesve nga rritja e pagës minimale në administratën buxhetore për vitin 2017 është rreth 6 900 punonjës dhe fondi i nevojshëm nga kjo rritje është rreth 1 miliard lekë në vit. Rritja e pagës në sistemin arsimor publik para universitar dhe universitar do të jetë me 10%. Numri i përfituesve është gjithsej 38 000 punonjës mësimorë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.8 miliardë lekë. Gjithashtu, kjo rritje page do të financohet nga buxheti i shtetit edhe për 8000 punonjës të tjerë mësimorë që janë në varësi të bashkive, duke shtuar financimin e grantit në masën 500 milionë lekë. Rritja e pagës në sistemin shëndetësor publik do të jetë 10%. Numri i përfituesve është gjithsej 18 500 mjekë dhe infermierë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.5 miliardë lekë, sqaron Ministria e Financave. Rritja e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit do të jetë me 10%. Numri i përfituesve është rreth 10 000 punonjës policie dhe fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 800 milionë lekë. Ndërsa rritjen e pagës së nëpunësve të Administratës Publike mesatarisht me 7%.