Zbardhet dosja/ Si u trafikuan 8 ton drogë me kamion drejt Italisë, gabimet që “tradhtuan” policët

539
Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga sekuestrimi i 8 ton kanabis sativa që po transportohej me kamion drejt Italisë, dalin në dritë detaje të reja. Policia italiane në bashkëpunimin me doganat bënë të mundur zbulimin e rastit të trafikut, ku lënda narkotike e cila kishte kaluar nëpër Shqipëri dhe do të përfundonte në Ankona.
Menjëherë pas lajmit, policia shqiptare nxitoi të deklaronte se droga nuk kishte kaluar nëpër Shqipëri, por arrestimet e 4 oficerëve të policisë të bërë mbrëmjen e djeshme hodhën poshtë pretendimet e uniformave blu të bëra më parë.

Por si u transportuan drejt Italisë 8 ton drogë me kamion dhe cila ishte skema e ndjekur?
Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se droga prej 8 tonësh kanabis është marrë nga Shqipëria dhe është kaluar me mushka a me mjete të ndryshme në Maqedoni. Më pas është tentuar që të kalohej me procedura transiti nëpër vendin tonë.

Kamioni i mbushur me kanabis ka qenë transit nga Maqedonia për në Itali. Atij i janë bërë procedurat e transitit në Qafë Thanë. Me rregulloren e doganave, në rast tranzitimi, kontrolli bëhet vetëm në pikën e hyrjes.

Sipas të dhënave nga Prokuroria e Krimeve, kamioni ka hyrë në Qafë Thanë më 4 shkurt 2017, dhe më 5 shkurt është paraqitur në Portin e Durrësit. Por kamioni nuk është futur në skaner dhe as nuk është kontrolluar pasi u pa dokumentacioni i tij.

Mësohet se kamioni ka qenë rregullt, i plumbosur dhe i vulosur me vulën e Qafë Thanës dhe për këtë arsye, nuk iu bë më kontrolli në dalje. Ky duket ka qenë dhe shkaku që kamioni nuk është kontrolluar në Durrës, por që më pas u kap në Ankona.

Pala italiane ka nisur hetimet pro-aktive për rastin, dhe pas ndalimit të shoferit maqedonas të kamionit, po zbulohet edhe skema e trafikut të lëndës narkotike.

Sakaq, sipas të dhënave nga Prokuroria rezulton se kamioni nuk është regjistruar në sistemin TIMS në Qafë Thanë, por në Portin e Durrësit rezulton i regjistruar në dalje.
Sigal