Zbardhet axhenda e Vuçiç për takimin në 27 maj në Tiranë

510
Vizita e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç në Tiranë rezulton të jetë e para vizitë zyrtare e një kryeministri dhe funksionari të lartë serb në të gjitha kohërat në vendin tonë. Për këtë fakt, Tirana zyrtare është duke finalizuar të gjitha detajet dhe përgatitjet për vizitën e kreut të qverisë serbe Vuçiç në Tiranë në 27 maj. Sipas burimeve pranë qeverisë, kryeministri Vuçiç do të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 11:00 të ditës së mërkurë.
Kreu i qeverisë serbe do të jetë i shoqëruar edhe nga disa gazetarë, ndërkohë që disa të tjerë pritet të mbërrijnë në Tiranë një ditë më parë. Shteti shqiptar do t’i rezervojë kreut të qeverisë serbe të njëjtën pritje me atë që Vuçiç i rezervoi në pallatin “Serbia” në muajin nëntor homologut shqiptar Rama. Kështu sipas protokollit, kryeministri shqiptar do të presë në Pallatin e Brigadave homologun e tij Aleksandër Vuçiç.
Pas ceremonisë zyrtare të dy kryeministrat do të zhvillojë një takim kokë më kokë mes tyre dhe më pas do të zhvillohet edhe konferenca për shtyp e dy kryeministrave. Burimet pranë qeverisë sqarojnë se vendimi për të ndjekur të njëjtën linjë protokolli me atë që u ndoq në vizitën e Ramës në 10 nëntor në Beograd është për shkak të reciprocitetit dhe koordinimit të njëjtë mes protokolleve të dy qeverive.
Pas bisedës kokë më kokë, megjithëse ende i pa përcaktuar si orar, krerët e qeverive së dy vendeve do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat. Edhe në këtë rast njësoj si në Serbi, gjuha e përdorur nga Rama dhe Vuçiç nuk do të jetë anglishtja, por dy gjuhët respektive. Gjatë konferencës e drejta për të pyetur dy kryeministrat do të jetë sërish e ndarë mes gazetarëve shqiptarë dhe atyre serb.
Pas konferencës për shtyp kryeministri Vuçiç dhe përfaqsuesit e shtetit serb që e shoqërojnë do të drekojnë me përfaqësuesit shqiptar, ceremony e cila gjithashtu do të zhvillohet në pallatin e Brigadave. Rreth orës 17:00 kryeministri serb Vuçiç do të mbarojë impenjimet e tij protokollare me homologun e tij shqiptar. Ndërkohë që pala shqiptare i ka ofruar disa alternative kreut të qeverisë serbe sa i takon takimeve që ky i fundit mund të dëshirojë të kryejë me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.
Me interes pritet reagimi që do të ketë Aleksandër Vuçiç për takimet që do të dëshirojë të zhvillojë, ndërkohë që mësohet që pala shqiptare i ka ofruar takime me Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryetarin e Opozitës. Presidenti serb Tomislav Nikoliç në vizitën e Ramës në nëntor të 2014 në Serbi e shmangu takimin me të, duke krijuar pretekstin e një takimi urgjent që iu desh të zhvillojë.
Ndërkonë në datë 28 kryeministri serb do të jetë sërish në Tiranë, por vizita e tij zyrtare atë të enjte quhet e mbyllur ndërkohë që Vuçiç dhe kryemininistrat e disa vendeve të tjera të Adriatikut dhe Detit të Zi do të marrin pjesë në ““Vienna Economic Forum”.
Sigal