Zbardhen telefonatat , “xhihadistët” komunikojnë nga burgu me persona në Siri, Irak e Turqi

477
Sigal

Tre nga 9 të dënuarit nga Gjykata e Krimeve të Rënda për
dërgimin e besimtarëve myslimanë pranë organizatës terroriste ISIS, nga burgu
komunikojnë me telefon me bashkëpunëtoret e tyre që ndodhen në Siri, Irak e
Turqi.
Abc News ka mësuar se njësia e
antiterrorit të policisë së shtetit dhe Prokuroria për Krime të Rënda, kanë
siguruar një material voluminoz përgjimi, që provon se nga burgu disa nga 9 të
dënuarit komunikojnë me shtetas shqiptarë dhe të huaj që dyshohet se janë pjesë
e ISIS-it në Siri, Irak e Turqi.

Sipas akuzës, telefonatat janë bërë
nga kabinat e paraburgimit dhe burgjeve ku 9 të dënuarit janë izoluar, me numra
të shteteve si Siria, Iraku dhe Turqia. Disa nga këto biseda, thonë burimet
janë transkiptuar ku të dënuarit komunikojnë dhe interesohen për gjendjen e
shqiptarëve që ndodhen atje dhe suksesin e ushtarëve të ISIS-it kundër
ushtarëve të regjimit të Bashar-Al-Asadit. Mësohet se nga burgu, të dënuarit
komunikonin edhe me 4 të arrestuarit e ditëve të fundit, Bekim Protopapa, Ergys
Faslija, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani.

Burimet thonë se komunikimet më të
shpeshta me të dënuarit i mbante mjeku i Malësisë së Madhe Protopapa, që
dyshohet si bashkëpunëtor i disa shtetasve nga Kosova dhe Maqedonia për të
kryer akte terroriste në Shqipëri. Në shumicën e rasteve, mësohet se bisedat e
të dënuarve me shtetasit shqiptara dhe të huaj është bërë në gjuhën arabe dhe
që po pritet zbardhja dhe përkthimi i tyre për të parë nëse ka ndonjë bisedë me
vlerë për hetimin e nisur për sulme terroriste në Shqipëri.

Nga ana tjetër, prokurorët mësohet
se kanë kërkuar sekuestrimi e librave të takimeve të 9 të dënuarve që kanë
zhvilluar brenda institucioneve të paraburgimit në Tiranë. Veprim ky për të
zbardhur takimet e mundshme me personat e tjerë jashtë rrethit familjar, për
shkak të dyshimeve se edhe pse të dënuar dhe të izoluar në burg, ata vazhdojnë
kontaktet me besimtarë të tjerë, me të cilët komunikojnë për t’i ofruar ndihmë
myslimanëve në luftën e Sirisë dhe Irakut për krijimin e një shteti islamik.