ZALOSHNJA I PRITI BIJTË

1381
Enver CAKAJ
Ikën nga halli,u kthyen nga malli. Edhe pse e kishin lakuriqosur fshatin prej vitesh, Zaloshnja i priti bijtë e saj siç ka pritur në shekuj djemtë e Luftës. Dikush pati shkruar për Tomoricën nja dy vargje: 
“Edhe po s’gjetën shtëpinë,
Do ngrenë çadrat në lëndinë.” 
Përse i përmendëm këto dy vargje? Zaloshnjallinjtë e larguar u mblodhën në fshat, por odat nuk i nxinin. Ngritën çadrat nëpër lëndina, se shtëpitë e tyre nuk i gjetën më. Ishin 145 shtëpi, po kanë mbetur vetëm 30. Atë vërshim të madh të 20-gushtit nuk e përballoi dot fshati. Aty u përmendën disa emra, që për arsye moshe dhe sëmundje, nuk mundën të vinin. Po ata ishin aty. Asqeri Dikua që nga Turqia dërgon mesazhe çdo ditë, edhe për të përshëndetur bashkëfshatarët, edhe për organizimin e atij takimi. Pranvera Shimi që nga Amerika pyet nëse erdhën të gjithë apo jo. Xhemal Ismaili, Baki e Hyda Çela me shokë, nuk i mban vendi, po gjunjët nuk u punojnë. Po edhe ata janë aty, se kanë lënë djersën në këtë fshat. Ajo nëna me emrin Shkëndie Sula, nuk e mbajti dot mallin dhe u ngrit që nga Saranda dhe erdhi në atë takim. Aty janë edhe trimat e këtij fshati, Mahmut, Hysen e Servet Zaloshnja. Aty është edhe shkrimtari Moisi Zaloshnja, që dikur ndiqte xixëllonjat që t’i kapte. Mbase me një organizim më të kujdesshëm nuk do të mungonin të pjellët e Moisi Zaloshnjes dhe Mahmut Zaloshnjes.
Ishte një përpjekje e Albert Sulës dhe Bujar Qatos, që t’i mblidhnin të gjithë zaloshnjallinjtë bashkë për të krijuar një shoqatë me emrin “Zaloshnja”. Dhe ata u mblodhën si zogjtë në vendlindjen e tyre. Por ajo kohë e largët kishte bërë punën e saj. Kushuriri pyeste kushuririn: “Po ti kush je?!” Kjo ndodhi me shumë prej tyre. Për këtë eviniment poetja më e re e Tomoricës, Mimoza Alushani ka shkruar këto vargje:

Moj Zaloshnje, dil i prit,
Ashtu siç e ke traditë.
Mbaji, moj në prehrin tënd,
Se ty të njohin për nënë.

Në mes të fshatit ndodhet një dyqan, i cili na kujton atë dyqanin, ku Riza Cerova bleu një paqetë dhe u tha xhandarëve: “Ndizeni bre burra, se jemi shqiptarë!” Zaloshnjallinjtë mblidhen këtu e krijojnë shoqatën pas 112-vjetësh, kur u mblodh Aktivi i parë i Rinisë Antifashiste. Aty janë edhe 13-dëshmorët e fshatit. Krismat e pushkëve të tyre dëgjohen ende luginave e honeve të maleve. Në këtë ditë i gjithë populli është drejtuar nga Tomori në pelegrinazhin e përvitshëm, po zaloshnjallinjtë zgjodhën vendlindjen për të krijuar një peligrinazh të tyren, ku do të mblidhen çdo vit. Në atë takim shikojmë fytyra shokësh,që i kishim harruar. Ata kishin hallin e tyre,ne kishim tonat, që nuk na bashkonin dot. Miku im Nuredin Qato, mësues prej brezit të korrektësisë dhe përkushtimit, është zbardhur, po ka mbetur mësues. Avdulla Shimi, Ylli Shimi, nuk ngopen së shikuari fshatin e tyre, me ato rrugica e peme, ku kolovareshin në vogëli. Përparim Shimi ka ardhur me gjithë këngë dhe nuk pushon së kënduari. Po më e bukura është, se në këtë takim kishte shumë fëmijë. Në krye të takimit qëndron një veteran i nderuar me emrin Seit Shimi. Ka një kujtesë për t’u admiruar. Kështu e pastë deri në fund. Ai ngre gotën dhe dy pika loti i rrjedhin nëpër faqe, që e pengojnë për një çast. Por ai e mbledh veten, se të vrarë e të plagosur ka parë edhe gjatë luftës: “Kemi humbur shumë djem nga ky sistem pa pasur asnjë armik. Luftuam me veten e vramë njëri-tjetrin. Ca na mbetën nëpër botë. Nuk patën nënat pranë, që t’u lëmonin kokat. Asnjë njeri. Mbetën andej. Ngrehuni të vemi t’i shikojmë në varrezat, ku prehen…”Xha Seiti nuk foli dot më. I përlotur shkuan të gjithë në varreza e derdhën lotët mbi varret e tyre. U kthyem bashkë me xha Seitin, po ai na ndaloi në mes të rrugës: “Më duket se ti djalë je i kalemit. Zaloshnja ka histori të fshehura, prandaj është mirë ta rrëmosh e ta zbulosh. Djemtë e Zaloshnjes kanë lindur dhe vdekur me pushkë në dorë. Jo, po ta dish. Shkroi Moisiu sa qe gjallë, po s’ia gjeti dot fundin. Zaloshnja ka dhënë e ka merita edhe sot. Bënë mirë këta djemtë që u bënë mukajet e na mblodhën, se nuk njihnim as nipërit e mbesat tona. Rrëmo, mor bir rrëmo, se hazine është Zaloshnja. Që në vitin 1909 e hapën shkollën të parët tanë. Ka dhënë mësim Kahreman Ylli në këtë shkollë. Dhe djemtë e çupat tanë janë bërë si Kahremani…”Këtu,mes zaloshnjallinjve, shikojmë dhe një mallakastriot. Ai ka punuar ca kohë në Skrapar,në organet e drejtësisë dhe ka bërë shumë miq. Ky njeri është skraparizuar dhe me ftesë ta zaloshnjallinjve, nuk mungoi në këtë takim. Këndej nga Zaloshnja përmendin shprehjen: “Njeri i zjerë dy herë.” I tillë u konsiderua edhe Idajet Beqiri, skraparas i zier dy herë. Ai foli si skraparas, respektoi si skraparas, këndoi si skraparas dhe piu raki si skraparas. Atëherë me të drejtë u quajt si i zier dy herë. Duke u ndodhur mes zaloshnjallinjve, ajo detyra e tij, si kryetar i Partisë Unitetit, merrte vlera te reja. Qofsh gjithmonë mikardhës, o Idajet Beqiri!
Zaloshnjallinjve u është pjekur e djegur malli, po nuk kanë harruar. Myzafer Zaloshnja nuk ka lindur në Zaloshnje, po është zaloshnjalli i pjekur dy herë. Ai banon në Vlorë, po nuk e harron atë byrekun me fasule kur e hëngri në moshën 10-vjeç këtu, në Zaloshnje. Nuk harron as atë ujët që piu në Gurrëz pas buke. Ai u tha zaloshnjallinjve: “Ujë e byrek ka edhe në Vlorë, po nuk e ka atë shije që ka këtu. Sot më duket sikur të gjithë ne na ka bërë një nënë. Vitin tjetër do të vijmë bashkë me dhëndrin, çupën, nipërit e mbesat. Po nuk na erdhi mirë kur pamë malin të shëmtuar. Shtatë firma vendëse e të huaja e kanë bërë malin fërtele. E morën malin.”
I ndjeri Moisi Zaloshnja pati shkruar atëherë një libër me titull “Deti nën Tomor”. U trembën tomorricarët, që jetokëshin mbi det. Po sikur një ditë ai të shpërthente? Por deti doli dhe nuk i mbyti, po i trishtoi. I gjithë mali i tyre ishte mermer i gjallë. Që nga India e Kina erdhën e po e marrin këtë “det” pa ujë. Në Tomoricë ishte dhe një det tjetër, që e kishte emrin patriotizëm. Ai det e përmbysi pushtuesin nga ky vend. Këtu e ngriti çetën Servet Zaloshnja. Ishte nga ata burra, që kishte më shumë nevojë Shqipëria se shtëpia. Patriotizmi i këtyre njerëzve është ngritur në këngë:

Burri me vetulla të trasha,
Që me grusht i binte murit,
Ish Serveti nga Zaloshnja,
Bashkë me Spiron e Kosturit.
E bastisën fshatin, po dot nuk të zunë,
Këndoje qitapet tok me Mahmunë.
Ishe bërë vëllamë, ti me Bajram Currë.

A e dini që në një letër që i është drejtuar Presidentit amerikan Uillson, nisur nga Skrapari, mban firmën edhe të Hasan Zaloshnjes? Në këtë letër i kërkohet të ndërhyjë për pretendimet e grekërve dhe italianeve ndaj tokave shqiptare. Nga ana tjetër, në 20 shkurt 1909, Mahmut Zaloshnja i është drejtuar me një letër Vezirit të Egjiptit, Mitro Brusko: 

“…Mëso;Në Skrapar, në Backë në teqetë vanë ca njerëz, i quajturi, Siakja me një shok, rynë në teqetë dhe morën ca plaçka të vjetëruara e të reja për në dyqant lirë, 200. Një fjalë don, është i lig kryefetari i teqesë qe shkaku që këto të hofat. Mirë se qeveria është e ndarë mes të fortit edhe po e lënë Skraparin si me mendjen e parë dhe s’kemi ç’i bëjmë të fortit. Baba Kasëmin e kanë lënë në bujqësi i varfër, që i ardhtë keq të madhit Zot. Po të kam rixha këtë mos e zjat, ta shkruanç në do dritë. Po të na i shkruanç me art si Z.Naim Bej Frashëri.” 

Zaloshnja kishte burra që mund të drejtonin dhe një qeveri. Hysen Zaloshnja nuk la komunë pa drejtuar. Atëherë familja e tyre ishte shpallur me statusin e beut me ferman të Turqisë. Por një ditë Hyseni u ndje i bezdisur nga ky bejllëk dhe bën një deklaratë publike, ku i lajmëron të gjithë miqtë e vjetër e të rinj, që të mos ja përmendin më,se e kishte shkelmuar këtë titull. Zaloshnjallinjtë kanë patur miqësi dhe bashkëpunim me patriotët e Kolonjës, Muharrem e Sali Butka.
Mirë që zaloshnjallinjtë erdhën plot mall, po tani, që do të ndahen? Është një çast tepër i vështirë. Të gjithë u ndanë me lot. Kjo tregon,se ata do të kthehen në fshat, jo vetëm për ditën e takimit, por përgjithmonë, që të mos flenë më nëpër çadra si ushtarët. Ne vumë re, se në Zaloshnje, siç na tha dhe Altin Sula ,ka dhjetë vjet, që atje nuk mbillet më grurë. Buka e tyre binte erë det, kur tokat rrinë djerrë. Fshati nuk mund të jetojë dot me miell hua. Myzaferi nuk e harron kurrë atë byrekun me fasule që e hëngri para 60 e ca vite, kurse ata e kanë tokën dhe nuk hanë bukën e tyre aq të shijshme. Takimet e përvitshme mund të zgjidhin shumë gjera, sepse Zaloshnja nuk ka pak bisnezmenë. Por më parë lipset të bëjnë një libër, ku të rrëmojnë arkivave e familjeve që kanë ruajtur kujtime, ku të kenë historinë e fshatit dhe të tyre. Zaloshnja ka djemtë e saj, por edhe ne nuk kursehemi. Na erdhi mirë,q ë në atë takim u recitua një poezi e shkruar nga djali i fshatit, Sokol Sula. Shpresoj se vitin që vjen zaloshnjallinjtë nuk do t’i nxërë as fshati, prandaj lipset t’i ri ngrenë shtëpitë e tyre. Viti nuk është larg, mirë se të vini! 
Sigal