Zaganjori: Korrupsioni, shqetësim i gjyqësorit. Ne, kontribut në reformë

634
Sigal

TIRANE – Konferenca Gjyqësore Kombëtare zgjedh sot anëtarin e bordit drejtues të Shkollës të Magjistraturës , mes 4 kandidaturave. Në garë janë Sandër Simoni, Artan Gjermeni, Gentian Hamiti dhe Albana Boksi.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili celi punimet e kësaj konference vlerësoi tryezën e drejtësisë që thirri presidenti Nishani më 6 tetor, si një mundësi për të garantuar një reformë substanciale në drejtësi.

Duke iu referuar edhe progres raportit të publikuar së fundi nga Komisioni Europian, i cili ngre shqetësim për korrupsionin në sistemin e drejtësisë, Zaganjori tha se gjyqësori ka nevojë për përmirësim andaj sipas tij, reforma është e domosdoshme.

“Tani kemi edhe besim për një reformë substanciale por sigurisht që duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ne duhet të kontribuojmë shumë më tepër në këtë drejtim se c’kemi bërë deri tani. E mbështesim reformën se jemi një komunitet i ndërgjegjshëm, duam forcimin e demokracisë, duam të përfshihemi në reformë dhe të kontribuojmë substancialisht në këtë reformë. Ka shumë vend për të rritur transparencën e punës sonë. Kemi vend shumë më tepër për tu përmirësuar”, tha Zaganjori.

Ai ngriti si domosdoshmëri të pushtetit gjyqësor, paanshmërinë dhe profesionalizmin për të rritur cilësinë e vendmimarrjes, kritere këto të kërkuara edhe nga Komisioni Europian. “Veçanërisht emergjente përmendet çështja e mungesës së ndihmësve në Gjykatën Administrative. Emërimet në Gjykatën e Lartë që janë bllokuar, dhe korrupsioni si një nga shqetësimet kryesore për pushtetin gjyqësor. Ka vend shumë për të përmirësuar veten tonë në këtë drejtim, për të luftuar këtë fenomen të shëmtuar. Ka vend për të punuar shumë më tepër me publikun, me palët, me median, shoqërinë civile”, u shpreh kreu i Gjykatës së Lartë, njëherësh kreu i Konferencës Gjyqësore.