Zaçe Islami: Me pezullimin e pjesshëm të ligjit 7501 me VKM, qeveria tregoi fytyrën e saj diktatoriale

712
Kjo VKM e qeverisë së Rilindjes është tërësisht antikushtetues, për arsye se asnjë vendim i Këshillit të Ministrave nuk mund të fshijë ligjet, e ca më pak, një ligj kushtetues, i miratuar me shumicë të cilësuar nga Parlamenti
Petraq Barjami
Juristi Zaçe Islami në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se VKM-ja e qeverisë për të pezulluar pjesërisht ligjin 7501 është antikushtetues dhe bëhet vetëm që të favorizojë klientët e tij dhe t’u falë tokën. Zoti Islami thotë se nuk mund të ketë interes strategjik ndërtimi i resurseve turistike, sepse ato janë iniciativë private dhe të investojnë dhe të veprojnë me ligjet e ekonomisë së tregut. 

-Zoti Islami, a është kushtetuese që VKM-ja e fundit e qeverisë së Rilindjes, të pezullojë ligjin kushtetues, siç është ligji 7501? 
– Kjo VKM e qeverisë së Rilindjes është tërësisht antikushtetues, për arsye sepse asnjë vendim i Këshillit të Ministrave nuk mund të fshijë ligjet, ca më pak, një ligj kushtetues, i miratuar me shumicë të cilësuar nga Parlamenti. I vetmi institucion kushtetues, që mund të zhvlerësojë, të evokojë (jo pezullojë) ligjin është parlamenti i Shqipërisë. 

– A mundet qeveria që pezullojë ligjin 7501, nëse çon në parlament VKM si projektligj, dhe parlamenti i voton?
– Projektligji, që të miratohet në parlament, ka një procedurë të gjatë. Do kalojë për miratim nga Komisionet Parlamentare, mund të kërkojë debat edhe me grupet e interesuara, etj, e pastaj çohet në Parlament për t’u miratuar.

– Mundet që çfarëdo ligj i ri, t’u rimarrë tani sërish tokën fshatarëve, të cilën ua dha ligji 7051? Kjo përpjekje, a nuk quhet, njëfarësoj, Reformë Agrare e re? 
– Teorikisht, që shteti, qeveria t’i marrë ndokujt tokën, pronën që ia ka dhënë po shteti, më parë duhet të zhvlerësojë ligjin në fjalë, tërësisht, jo pjesërisht. Shteti e qeveria nuk mundet të pezullojë ligjin me VMK. 

– A është në kompetencën kushtetuese të qeverisë të pezullojë një pjesë të ligjit, siç kërkon VKM-ja e fundit me ligjin 7501?
– Qeveria me VMK-ra nuk mundet të pezullojë një pjesë të këtij ligji kushtetues, as nuk mundet të parcelizojë Shqipërinë, që një pjesë ta gëzojë 7501-shin, e ndërsa një pjese t’ia pezullojë. Çfarë është kjo? Ligjet që miratohen nga parlamenti, janë për gjithë popullsinë, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nuk mundet qeveria të bëjë tjetërsime të ligjeve, siç i interesojnë asaj. Këto veprime të qeverisë, me VKM antikushtetuese janë diktatoriale, ku qeveria i thotë popullit: Jam unë në pushtet dhe do bëjë unë si të dua, duke i shkruar ligjet në shollën e këpucëve. Dhe, e keqja më e madhe është se në Shqipëri nuk ka një opozitë reale. Të gjitha partitë parlamentare janë pjesë e këtyre manovrave arbitrare kushtetuese. Edhe kur reagon opozita ndaj qeverisë, reagon që interesat e saj të ngushta politike dhe personale, jo për interesat e popullit dhe jo për të mirën e Shqipërisë. Prandaj kjo opozitë nuk reagoi fare politikisht ndaj VKM-së diktatoriale të qeverisë. Nuk e kundërshtoi. Kjo opozitë, edhe në qeverisjen e saj nuk e kundërshtoi ligjin 7501, ligji më antikombëtar i kombit shqiptar, sepse u autoktonizuan minoritarët e huaj në Shqipëri. Tani, derisa iu dha toka në pronësi, ata pretendojnë se janë autoktonë në Shqipëri. Ligji 7501 i vuri shqiptarët në vëllavrasje. Ku e gjeti të drejtën shteti të më mohojë pronësinë e tokës mua, dhe t’ia japë dikujt tjetër me ligjin 7501?

– A është e ligjshme të cilësojë qeveria me VKM “qëllim strategjik” ndërtimin e një resorti turistik, kur ai është investim privat, dhe me këtë justifikim, të pezullojë ligjin 7501?
– Absolutisht, jo. Qëllim strategjik është shfrytëzimi i burimeve natyrore, si nafta, mineralet, që janë pasuri kombëtare dhe i shërbejnë të gjithë popullit. Asnjë resort turistik, as 10 resorte turistike, të cilat janë private, nuk kanë të bëjnë fare me strategjikë kombëtare të ekonomisë tonë. Ato janë iniciativë private, të zhvillohen me ligjet e tregut të lirë. Këtu qëllimi është: Privatët me PPP marrin nga shteti pasuritë kombëtare, i shfrytëzojnë ato për interesat e tyre dhe nuk i japin fare shtetit. Kjo VKM e qeverisë për resurtet turistike në Bregdet është luftë për tenderët që qeveria do të japë klientëve të vet. Këta qeveritarët e përdorin pushtetin për të marrë tenderë miqtë e tyre, por jo që të zhvillojnë Shqipërinë. Shikoni se çfarë bëjnë në Tiranë qeveritarët. Duan të ndërtojnë kulla të larta, po kujt do t’ia marrin tokën? A nuk është korrupsion, vjedhje e pasurisë së popullit dhe dhënia falas e kësaj pasurie te private, parulla e tyre, bashkëpunim Partneritet Publik Privat, kur me bashkëpunim ata përvetësojnë falas pronën e shtetit, pronën e çdo qytetari dhe ia japin falas privatit, me parullën, e investimeve strategjike?

– A ka plotfuqishmërinë kushtetuese qeveria, që pasurinë shtetërore, t’ia japë falas privatit, me justifikimin e investimit strategjik?
– Absolutisht, qeveria nuk ka plotfuqishmërinë kushtetuese që të japë pasurinë shtetërore falas privatit, qoftë edhe duke u justifikuar se kjo pasuri kombëtare bëhet “Kurban” për investimet strategjike. Shteti nuk ka asnjë pasuri të tij. Pasuria është e popullit, është e shqiptarëve. Shikoni se çfarë shfrytëzimi i bëjnë burimeve naftëmbajtëse shqiptare. Asnjëherë asnjë qeveri nuk ka bërë transparencë se çfarë bëhet me pasurinë e naftës, vetëm marrim vesh që është dhënë me koncesion dhe shitet paskëtaj, dorë më dorë. 

– Cili duhet të paguajë koston financiare të pezullimit të ligjit 7501, sipas VKM-së?
– Së pari, qeveria nuk ka plotfuqishmërinë kushtetuese të japë me koncesion pronën e privatëve dhe të shtetit, me pezullimin e pjesshëm të ligjit 7501. Ajo tokë në Bregdet ka pronarë, ka zotë. Problemi është se investitorët e huaj që vijnë me qëllime investimi në Shqipëri, ligji 7501 është i papërfillshëm për ata, nuk mund të quajnë pronarë përfituesit e pronave me atë ligj. Investitorët e huaj njohin pronarë vetëm atë që e kanë me tapi para 1946-s. E dini, që sot Arshiva e Shtetit nuk jep më dokumente për pronat. I kanë fshehur dhe japin si përgjigje “Nuk janë”, “janë djegur, zhdukur” etj. Në fakt, pronat janë në arshivë. Kjo është loja e qeverisë, për ta dhënë pronën privatit me gënjeshtrën e investimeve strategjike. Shteti deri tani nuk ka bërë publike, nuk ka bërë transparente asnjë të dhënë, sa është përfitimi financiar për asnjë koncesion. Ndaj edhe investimet strategjike, nuk do t’u jepen investitorëve të huaj, por oligarkëve vendas, që kanë uzurpuar ekonominë, politikën, mediat, pushtetin. Dua të them, që përveç gazetës “Telegraf” e cila përditë publikon këto prapaskena politike të koncesioneve, asnjë tjetër nuk flet. 
Sigal