Ylli Spahiu: Modernizim shërbimi, kritere të reja për lejet e drejtimit të makinave

1427
Zhvillim i ri me kahje pozitive modernizimin e shërbimeve që ofrohen për qytetarët dhe subjektet, me synim reformimin efiçent e të plotë të sistemit aktual në përputhje me standardet e BE, po e shoqëron veçanërisht këtë fillim viti Shërbimin e Transportit Rrugor në Shqipëri, drejtuesit e të cilit në nivel kombëtar e rajonal, ditë pas dite po detajojnë dhe po bëjnë publik me transparencë të plotë çdo element të këtij zhvillim-ndryshimi bashkëkohor, veçanërisht në modelimin dhe përcaktimin e të drejtave e detyrimeve të qytetarëve dhe subjekteve të çdo lloji, lidhur me zbatimin e standardeve të reja në çdo element e aspekt ligjor që përfshin ushtrimin e aktivitetit në transportin rrugor. Për veprimtarinë e përditshme të Shërbimit të Transportit Rrugor në Shqipëri, për bilancin me të cilin u mbyll viti 2015 dhe për modelin e ri të kritereve të lejeve të drejtimit të automjeteve dhe të detyrimeve në zbatimin të standardeve të qarkullimit rrugor, biseduam dje me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Transportit Rrugor të Shqipërisë, zotin Ylli Spahiu. 
Zoti Spahiu, ky fillim vit ka nisur me ngarkesë punësh për institucionin dhe shërbimin që ju drejtoni, cila është tematika kryesore e punës tuaj këto ditë?
– Ditët e fundit, si tematikë e punës tonë është “tema”, që me të drejtë është bërë pjesë e ndejshme dhe e përditshme e bisedave dhe debatit të opinionit publik shqiptar: Parametrat e reja ligjore e praktike të zhvillimeve të këtij lloj shërbimi publik, lidhur me kriteret e reja për lejet e drejtimit dhe kushtet me të drejta e detyrime për të kërkuar, ofruar e ushtruar një transport rrugor me standarde, jo thjeshtë kopje por me kritere dokumentare e praktike zbatimi, konformë, ose me përafrim gradual, sipas kërkesave të shërbimit të transportit rrugor që zbatohen në transportin rrugor në vendet e BE. Këto ndryshime esenciale që garantojnë siguri dhe normalitet në shërbimin e transportit rrugor, tashmë janë bërë ligj nga parlamenti. Në zbatim të ligjit, janë shoqëruar me akte nënligjore, vendime e urdhëresa specifike nga qeveria, janë detajuar me ekspertizë dhe janë formatizuar qartësisht e saktësisht, për çdo element e kriter nga ne si nga ne Drejtori e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor e po kështu, janë çuar për konsulencë paraprake në drejtoritë tona rajonale në qarqe e në institucione që përfshin ky ligj dhe tashmë janë gati për zbatim në terrenin praktik 
Cilat problematika e nxitën dhe diktuan këto ndryshim lidhur me kriteret e reja? 
– Siç dihet, transporti rrugor në Shqipëri është një sektor i ngarkuar me problematika, të cilat prej dy vitesh janë futur bindshëm në rrugën e zgjidhjes jo thjeshtë si “çështje dite”, por si zhvillim perspektiv afatgjatë, shoqëruar ligjërisht e administrativisht me elementë shërbimin e transportit rrugor në Shqipëri, shërbim të formatuar sipas standardeve të vendeve të BE. Këtë proces reformimi të shërbimit të transportit rrugor në Shqipëri po e rikoncepton, monitoron dhe po realizon Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor Shqiptar, institucioni që së pari ka standardizuar profilin e vet, duke u kthyer në një shërbim publik aktiv, me një objeksion: Përsosjen e shërbimit në transportin rrugor, implementimin elementëve të reja në gjithë sektorët e shërbimeve, në detyrimet përdoruesve të automjeteve që bëhen përditë, ose në mënyrë periodike pjesë e transportit rrugor të njerëzve e mallrave, apo edhe të përdoruesve e automjeteve shërbimit zyrtar, social e diplomatik në rrugët e Shqipërisë. Ka pasur shumë shqetësime në transportin rrugor, shqetësime të cilat në 2 vitet reformuese 2014-2015 janë minimizuar si përmasë dhe si numër, si rezultat i punës që kemi bërë, duke pasur prioritet zbatimin e ligjit, strukturimin ekipit drejtues, të rinovimin e specialistëve me kualitete cilësore, trajnimin e efektivit të shërbimit në terren, përshtat etikës dhe profesionalizmit në kryerje të detyrës së përditshme, me bazë zbatimin e ligjit. “Plaga” me e madhe ka qenë praktika fiktive e dhënies së lejeve të drejtimit dhe shpërfillja ndaj kontrollit të vërtetësisë së tyre me testime praktike periodike, për të parë realisht aftësitë e drejtuesve të automjeteve, pasoja e rëndë e tragjike e të cilave, dihet se cila është. Pikërisht, kjo praktikë do ndryshoj me modelin e ri. 
Në institucionin që ju drejtoni, konstatuam një sjellje tjetër që në sportelin e kontaktit të parë, cilat janë disa nga standardet e reja në shërbimin ndaj qytetarëve?
– Po! Është fakt, që institucioni që unë drejtoj, ka tjetër sjellje punonjësish në çdo strukturë të tij deri në zonën më skajore të vendit ku ne kemi shërbimin. Ju konstatuat, që në institucionin tonë ka etikë komunikimi që në kontaktin e parë dhe siç thoni këtë e ndeshët që në kontaktin e parë me institucionin tonë. Pikërisht, me ndryshimin e “imazhit” e nisa unë ndryshimin e punëve, konkretisht nga sporteli ku qytetari kërkon kontakt me mua si drejtor i Përgjithshëm, me specialistët, me zyrtarët dhe me shërbimet e tjera të çdo lloji, që ne ofrojmë. Kjo duhej bërë urgjent dhe mirë, mbasi mund të bësh mrekulli brenda zyrave, por nuk di të komunikosh me qytetarin, për të cilin je caktuar në atë detyrë. Tashmë, në punën tonë, që nga unë si drejtues e deri tek punonjësi më i thjeshtë, pra tek ai punonjësi i kontaktit të parë në “portën” e institucionit tonë, kemi futur modelin e ri të punës së një institucioni e shërbimi që është në shërbim transparent e të plotë të qytetarit, më përmbushje të detyrës konformë ligjit. Këtë model e kemi instaluar në çdo drejtori rajonale të shërbimit tonë. Natyrisht, që ende nuk ka përsosje, por ka normalitet, ka transparencë, ka respektim afatesh kohore dhe sqarim të hollësishëm ligjor për plotësimin, ose mos plotësimin e kërkesë-ankesave të bëra, ka etikë, ka përkushtim e kualitet në shërbimin ndaj qytetarëve dhe subjekteve. Më parë, siç dihet, ky institucion ka qenë një stres, lodhje, zvarritje, abuzime e ankth për qytetarët. 
Cilat janë kriteret që ndryshojnë në procedurat dhe dokumentet për lejet e drejtimit? 
– Mbështetur në ligj, ne si drejtori kemi përcaktuar kriteret që ndryshojnë, pra që hiqen dhe shtohen nga detyrimet ligjore. Kemi përcaktuar detyrimet dhe të drejtat në lidhje me “statusin” e lëshimit, rinovimit dhe vlefshmërisë së lejes së drejtimit ekzistuese të automjeteve. Parashikohen tarifat dhe taksat për procedurat e reja e ato ekzistuese të leje të drejtimit, madje edhe të ndryshimit të dokumenteve të regjistrimit të qytetarëve që kërkojnë të pajisen me leje drejtimi automjeti, duke zbatuar ndryshimet e Kodit Rrugor, Ligjin Nr. 175/2014, datë 18.12.2014 dhe VKM Nr. 940 datë 18.11.2015, ndryshime të cilat do të fillojnë zbatimin pas 1 jave, konkretisht duke nisur nga data 21 janar 2016. ja çfarë parashikohet, gjithçka është e saktësuar dhe e specifikuar në detaje, me sqarime përkatëse për çdo ndryshim. Nga 21 janari 2016, nis zbatimi i tyre pa asnjë tolerancë, drejtoria jonë ka në dispozicion, në gatishmëri e efiçencë gjithë infrastrukturën dhe mbështetjen shtetërore, për të zbatuar ligjin në mënyrë të plotë.
—————————————————————————
Përcaktime për lejet e drejtimit/ Tarifat nuk ndryshojnë, por hiqet grupi gjakut
Duke filluar nga data 21 Janar 2016, në zbatim të ndryshimeve të Kodit Rrugor me ligjin Nr. 175/2014, date 18.12.2014 dhe VKM Nr. 940 date 18.11.2015, do të zbatohen disa ndryshime në procedurat e regjistrimit të kandidatëve për drejtues mjeti, si dhe për lëshimin e rinovimin e leje-drejtimit, si më poshtë:
1. Leje-drejtimi ekzistuese, do të vazhdojë të lëshohet deri në përfundimin e infrastrukturës së nevojshme ligjore (dalja e Udhëzimeve të Ministrit) dhe infrastrukturës teknologjike të nevojshme (për zhvillimin e sistemit informatik) për modelin e ri të lejes-drejtimit.
2. Vlefshmëria e leje-drejtimeve ekzistuese, do të vazhdojë deri në datat përkatëse të përfundimit të tyre.
3. Rinovimi i leje-drejtimeve ekzistuese do të bëhet sipas modelit ekzistues. Me daljen e modelit të ri të leje-drejtimit, rinovimi do të bëhet sipas modelit të ri.
4. Taksat dhe tarifat e pajisjes me leje-drejtimi, nuk ndryshojnë.
Ndryshimet në dokumentet e regjistrimit të kandidatëve për tu pajisur me leje-drejtimi, janë:
– Vërtetim banimi, hiqet
– Grupi i gjakut dhe Rehzusi, hiqet
– Certifikata mjekësore bëhet me afat vlefshmërie jo më të hershme se 6 muaj përpara paraqitjes së kërkesës për regjistrim (nga 3 muaj që është deri tani).
5. Pagesa e tarifës së shërbimit për leje-drejtimi dhe e tarifës së pajisjes me leje-drejtimi
6. Pagesa e tarifës së shërbimit për leje-drejtimi dhe e tarifës së pajisjes me leje-drejtimi bëhet pasi kandidati ka fituar provën e praktikës dhe përpara aplikimit në sistemin e-form.
7. Kandidatët, të cilët janë shpallur fitues në një drejtori rajonale jashtë juridiksionit të vendbanimit të tyre duhet të kryejnë edhe pagesën e transferimit të dosjes për nc drejtorinë rajonale të vendbanimit, përpara aplikimit në sistemin e-form.
————————————————————————-
Rimarrja e lejes-drejtimit, prej personave që u është hequr 
1. Personat që u është hequr leje-drejtimi pas datës 21 janar 2015, kanë të drejtë ta rimarrin atë nëpërmjet provimit të kualifikimit teorik (nga 16 Prill 2015 që është deri tani)
2. Autorizimi (leja) për provën e kontrollit të njohurive teorike dhe ai i praktikës, do të lëshohet me një afat vlefshmërie prej 6 muajsh, nga 1 vit që është deri tani
3. Rifutja në provën e teorisë dhe praktikës, do të bëhet në jo më parë se 5 (pesë) ditë, nga dita e provës së pa fituar, nga 15 ditë që është deri tani.
4. Në rast se kandidati, i konsumon 5 provat e teorisë, ose kalon afatin 6 muaj të vlefshmërisë së lejes së teorisë, atëherë ai duhet të rifutet në provimin e teorisë pa u regjistruar në auto-shkollë, por pasi kanë kaluar 6 muaj nga regjistrimi.
5. Në rast se kandidati fiton teorinë, por nuk regjistrohet në praktikë brenda 6 muajsh nga data e fitimit të teorisë, ai duhet lë rifutet në provimin e teorisë pa u regjistruar në auto-shkollë.
———————————————————
Ja afatet vjetore dhe mosha për lejet e drejtimit 
Kategoria A, B dhe BE
1. Lejet e drejtimit janë të vlefshme për 5 vjet, kur janë dhënë ose konfirmuar për moshat 50 deri në 60 vjeç dhe bëhen deri në moshën 70 vjeç 
2. Lejet e drejtimit janë të vlefshme për 3 vjet, kur janë dhënë ose konfirmuar mbi 60 vjeç, dhe bëhet nga mosha 70 vjeç deri në moshën 80 vjeç.
Kategoria C. D, CE dhe DE:
1. Lejet e drejtimit janë të vlefshme për 5 vjet, kur janë dhënë ose konfirmuar deri në moshën 60 vjeç, dhe bëhet deri në moshën 65 vjeç për kategorinë C
2. Lejet e drejtimit janë të vlefshme për 3 vjet, kur janë dhënë ose konfirmuar mbi moshën 60 vjeç.
——————————————- 
Çfarë është dokumenti “Çertifikata e Aftësimit Profesional” (CAP), ja baza ligjore
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka filluar të pajisë drejtuesit e mjeteve që transportojnë mallra dhe udhëtarë, me “Çertifikatën e Aftësimit Profesional” (CAP). Por çfarë është “Çertifikata e Aftësimit Profesional” (CAP)? Kjo çertifikatë është dokumenti shtetëror, që vërteton aftësimin profesional të përdoruesve të automjeteve rrugore, që drejtohen me leje drejtimi të kategorive CI, C1E, C, CE, Dl, DIE, D dhe DE, në përputhje me rregullat dhe kërkesat e reja që dalin nga zhvillimi i tregut të transportit rrugor të mallrave e udhëtarëve. “Çertifikata e Aftësimit Profesional” (CAP) është dokument personal, pjesë e dokumentacionit të qarkullimit të mjetit, e vlefshme vetëm për përdorimin e mjeteve të përcaktuara në kategoritë e shënuara të cilat në të gjitha rastet duhet të jenë në përputhje me kategoritë e lejes së drejtimit të mbajtësit të saj.
1. “Çertifikata e Aftësimit Profesional” (CAP) është detyrim sipas Nenit 115/1 të Ligjit Nr. 8378, datë 22. 07. 1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar
2. Udhëzimi i Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve Nr. 3606/2, datë 28. 10. 2011 “Për pajisjen e përdoruesve të mjeteve rrugore të kategorive CI, C1E, C, CE, Dl dhe DIE, D dhe DE me “Çertifikata e Aftësimit Profesional” (CAP), i ndryshuar.
3. Direktivës BE-2003/59/KE, të Parlamentit Europian dhe i Këshillit të Bashkimit Europian,
————————————————
Ja si mund të pajisesh me “Çertifikatën e Aftësimit Profesional” (CAP) 
1. “Çertifikata e Aftësimit Profesional” (CAP) lëshohet nga strukturat e DPSHTRR-së, në varësi të kërkesës dhe lejes së drejtimit të aplikantit dhe për këtë arsye janë dy llojesh;
2. “Çertifikata e Aftësimit Profesional” (CAP) për transportin e mallrave, për drejtuesit e mjeteve të destinuara për transporte specifike të mallrave me peshë të maksimale të autorizuar mbi 3.5 ton, të pajisur me leje drejtimi të kategorisë CI, C1E, C dhe CE
3. “Çertifikata e Aftësimit Profesional” (CAP) për transportin e udhëtarëve, për drejtuesit e mjeteve të destinuara apo autorizuara për transportin e udhëtarëve dhe nxënësve të shkollave, të pajisur me leje drejtimi të kategorisë Dl, DIE, D dhe DE.
4. Pajisja me “Çertifikatën e Aftësimit Profesional” (CAP), mundësohet vetëm pasi aplikanti ka kryer Kualifikimin fillestar teorik dhe praktik dhe pasi të jetë shpallur fitues në provimin teorik dhe atë praktik që organizohet nga DPSHTRr-ja.
5. “Çertifikata e Aftësimit Profesional” (CAP) ka vlefshmëri 5 vjet nga data e lëshimit dhe është e vlefshme vetëm me leje-drejtimin përkatës.
6. Rinovimi i “Çertifikatës së Aftësimit Profesional” (CAP) bëhet vetëm pasi mbajtësi i saj të ketë kryer Trajnimin Periodik dhe të jetë shpallur fitues i provimit teorik përkatës.
7. Të gjithë drejtuesit e mjeteve, të cilët janë të pajisur me leje drejtimi të kategorive C dhe CE, D dhe DE, të fituara, para datës 21.10.2015, do të pajisen me “Çertifikatën e Aftësimit Profesional” (CAP), pa iu nënshtruar kualifikimit dhe pa testim, pasi kjo është një e drejtë e fituar nga ata, bazuar në Direktivën 2003/59/EC të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Bashkimit Europian dhe të udhëzimit përkatës të MTI Pas përfundimit të vlefshmërisë, këto kategori do t’i nënshtrohen, trajnimit periodik dhe testimeve përkatëse.
——————–
Ja kush përjashtohet nga detyrimi për pajisjen me “Çertifikatë të Aftësimit Profesional” (CAP)
1. Nga detyrimi për pajisjen me “Çertifikatën e Aftësimit Profesional” (CAP), përjashtohen drejtuesit e automjeteve:shpejtësia maksimale e autorizuar e të cilave nuk i kalon 45 km/orë
2. Të përdorura nga, ose nën kontrollin e Forcave të Armatosura, mbrojtjes civile, shërbimeve kundër zjarrit dhe forcave përgjegjëse për ruajtjen e rendit publik 
3. Që kalojnë testet rrugore për qëllime të zhvillimit teknik, riparimit ose mirëmbajtjes, ose të mjeteve të reja apo të rindërtuara të cilat akoma nuk janë futur në shërbim;
4. Të përdorura në rastet e emergjencës ose të caktuara për misionet e shpëtimit;
5. Të përdorura në kursin e mësimit të drejtimit të mjetit për çdo person që ka dëshirë të marrë një leje drejtimi ose një “Çertifikatë të Aftësimit Profesional” (CAP)
6. Të përdorura për transportin jo tregtar të pasagjerëve ose mallrave, për përdorim personal;
7. Që mbartin materiale ose pajisje për t’u përdorur nga drejtuesi i mjetit gjatë punës së tij apo saj, duke siguruar që drejtimi i mjetit nuk është aktiviteti kryesor i drejtuesit të mjetit.
8. Personi i pajisur me leje-drejtimi, që drejton automjete, i pa pajisur me “Çertifikatë të Aftësimit Profesional” (CAP), kur kjo është e detyrueshme, ose me deklaratën përkatëse zëvendësuese të lëshuar nga zyra kompetente e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, kur nuk ka qenë e mundur t’i jepet certifikata e aftësisë brenda 10 ditëve nga data e dhënies së provave, sipas pikës 12 të neni 115/1 të Kodit rrugor, dënohet me masë administrative me gjobë nga 5 000 deri në 20000 mijë lekë. Shkelja e mësipërme, sjell si pasojë masën administrative plotësuese të ndalimit administrate të mjetit dhe masën administrative plotësuese të tërheqjes së leje-drejtimit deri në 30 ditë.”
—————————————
Kujtesë
Periudha deri në datën 31.03.2016, si periudhë e mjaftueshme në dispozicion të drejtuesve të mjeteve për t’u pajisur me CAP, do të jetë njëkohësisht edhe si periudhë këshillimore gjatë së cilës, strukturat e kontrollit rrugor të Policisë së shtetit dhe ato që varen nga ne, ndërmarrin sanksionet e parashikuara në pikën 12 të nenin 115/1 të Kodit Rrugor. Pas kësaj periudhe, kundrejt shkeljeve do të fillojë ndërmarrja e sanksioneve përkatëse
———————————————————————— 
Ja pikët, që hiqen për çdo rast shkelje rregullash të qarkullimit rrugor
1. Kur tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, i hiqen 8 pikë.
2. Kur zotëron leje-drejtimi prej më pak se 3 vjetësh, që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, i hiqen 10 pikë.
3. Kur tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë dhe është përsëritës i të njëjtës shkelje brenda një viti, i hiqen 10 pikë.
4. Kur qarkullon kundër-vajtje në kthesa, i hiqen 6 pikë.
5. Kur qarkullon kundër-vajtje në rakordimet konvekse, i hiqen 5 pikë.
6. Kur qarkullon kundër-vajtje me fushëpamje të kufizuar, i hiqen 10 pikë.
7. Kur përshkon karrexhatën kundërvajtje kur rruga është e ndarë në disa karrexhata të veçanta, i hiqen 10 pikë.
8. Kur është përsëritës i shkeljeve të dispozitave të nenit 140 pika 10 të Kodit Rrugor, të ndryshuar, brenda vitit, i hiqen 10 pikë.
9. Kur është duke u futur në kryqëzim dhe nuk i jep përparësi mjetit tjetër që vjen nga e djathta dhe është përsëritës i të njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, i hiqen 5 pikë.
10. Kur në kapërcimin e linjave hekurudhore a të tramvajit, nuk i jep përparësi mjetit që lëviz mbi shina dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muaj, i hiqen 5 pikë.
11. Kur nuk respekton sinjalet e vendosura të përparësisë në kryqëzim dhe është përsëritës i të njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, i hiqen 5 pikë.
12. Kur nuk respekton sinjalet e vendosura të detyrimit të ndalimit para vijës së ndalimit, përpara se të futet në kryqëzim dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muaj, i hiqen 5 pikë.
13. Kur nuk jep përparësi atij që qarkullon në rrugë kur hyn në rrugë nga zona që nuk janë për kalim publik dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje, brenda periudhës kohore prej 12 muaj, i hiqen 8 pikë.
14. Kur zë kryqëzimin apo edhe kapërcimin e linjave hekurudhore apo të tramvajit, duke mos pasur mundësi të lirojë zonën e manovrimit pa penguar kalimin e mjeteve që vijnë nga drejtime të tjera dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muaj, i hiqen 8 pikë.
15. Kur vazhdon lëvizjen, ndonëse sinjalizimi i semaforit ose i policit të trafikut e ndalojnë këtë lëvizje, i hiqen 10 pikë.
16. Kur i afrohet një kalimi në nivel, nuk tregon kujdesin maksimal, me qëllim mënjanimin e aksidentit, i hiqen 6 pikë.
17. Kur përpara zënies së një kalimi pa barriera ose gjysmë-barriera nuk sigurohet që asnjë trentë jetë duke afruar i hiqen 6 pikë.
18. Kur përpara një kalimi në nivel pa barriera ose gjysmë-barriera kalon kur barrierat ose gjysmë barrierat janë duke u mbyllur, i hiqen 6 pikë.
19. Kur përpara një kalimi në nivel kalon kur gjysmë-barrierat janë duke u hapur, i hiqen 6 pikë.
20. Kur kalon kur janë duke funksionuar sinjalizimet ndriçuese, i hiqen 6 pikë.
21. Kur përpara një kalimi në nivel kalon kur janë duke funksionuar objektet zëvendësuese të barrierave dhe gjysmë-barrierave i hiqen 6 pikë.
—————————————–
Tarifat për leje-drejtimi
Tarifa e pajisjes me leje-drejtimi për drejtimin e automjeteve kanë mbetur të pandryshuara dhe janë si më poshtë: 
Për leje-drejtimi të kategorisë A – 3000 lekë
Për leje-drejtimi të kategorisë B – 4500 lekë
Për leje-drejtimi të kategorisë C – 2000 lekë
Për leje-drejtimi të kategorisë D – 3000 lekë
Për leje-drejtimi të kategorisë BE – 3000 lekë
Për leje-drejtimi të kategorisë CE – 3000 lekë
Për leje-drejtimi të kategorisë DE- 3000 lekë
Sigal