Ylli Ndroqi, i pari shqiptar që pritet në një ceremoni nga Presidenti i Meksikës

659
Sigal

Konsujt e Nderit, Presidenti Nieto: Mirënjohje për ata që janë imazhi i Meksikës në botë!

Për herë të parë pas 15 vitesh janë mbledhur të gjithë konsujt të Meksikës nëpër botë. Në kuadër të një vizitë zyrtare që po zhvillohet prej katër ditësh, z.Ylli Ndroqi është shqiptari i parë që në një vizitë të tillë pritet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Meksikës. Vizita që Konsulli i Nderit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës po zhvillon në Meksiko Siti, ka kulmuar me takimin me kreun e shtetit meksikan, Enrique Pena Nieto. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Meksikës i rezervoi një takim të përzemërt Konsullit të Nderit në Shqipëri, i cili mban këtë detyrë prej afro një viti e gjysmë. Z. Ndroqi e falënderoi numrin 1 të shtetit meksikan për mundësinë e takimit dhe i shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë ndaj tij, për të qenë përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri. Z. Ndroqi tha se, që kur nisi misionin diplomatik, është udhëhequr nga një parim, puna në interes të Shtetit Meksikan. Ai e njohu Presidentin me përpjekjet për të promovuar Meksikën në Shqipëri, përmes prezantimit të hapësirave ekonomike, tregtare, turistike e kulturore që ky vend ofron. Në këtë takim të parë me Konsullin e Nderit në Shqipëri, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Meksikës, Enrique Pena Nieto, e falënderoi z.Ndroqi për përfaqësimin dinjitoz të shtetit të Tij në Tiranë, si dhe vlerësoi punën që ai ka kryer që nga marrja e detyrës. Ai shprehu vlerësime për përpjekjet e Konsullit të Nderit për t’i sjellë më pranë dy vendet e largëta gjeografikisht, përmes forcimit të marrëdhënieve bilaterale. Për të mbajtur në kujtesë këtë takim të parë zyrtar, dhe në shenjë mirënjohje ndaj shtetit meksikan, dhe vetë presidentit Nieto, z.Ndroqi i dhuroi kreut të shtetit meksikan, një simbol kombëtar, Përkrenaren e heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Takimi mes z. Ndroqi dhe z. Nieto u zhvillua në kuadër të mbledhjes së Konsujve të Nderit të Meksikës nëpër botë, që po mbahet në Meksiko Siti. Presidenti Nieto organizoi një pritje të veçantë në Pallatin Kombëtar, në nder të 102 konsujve. Duke u shprehur mirënjohje për punën dhe përfaqësimin dinjitoz të Meksikës nëpër botë, Nieto garantoi Konsujt e Nderit se do jetë përkrah tyre, për të çuar përpara këtë mision diplomatik, sa të bukur, aq edhe të vështirë. “Është një nder të mirëpres në Pallatin Kombëtar Konsujt e Nderit të Meksikës nëpër botë. Shpresoj që ky takim që po zhvillojmë, tu ketë njohur me atë që po ndodh tani në Meksikë. Dua të nënvizoj se, u jemi mirënjohës për gjithçka bëni për Meksikën. Si President i Republikës do jem krah për krah me ata që e duan Meksikën. Sot Meksika po transformohet dhe kjo falë reformave dhe forcave politike që i kanë çuar para reformat”,- u shpreh Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto. Presidenti Meksikan u lëshoi këtë thirrje Konsujve të Nderit: “Meksika po përgatitet për të qenë protagoniste në ekonominë botërore dhe për t’u pozicionuar si një vend tërheqës për investime në tregti dhe turizëm. Ky është mesazhi i transformimit, mesazh që u kërkoi ta përcillni në vendet tuaja. Ndaj me botën vendosmërinë e Meksikës për t’i bërë ballë sfidave për të ndryshuar, dhe në këto ndryshime ofrohen mundësi të mëdha për tu rritur bashkë. Meksika është vendi i njerëzve të lirë. Ky është vendi që ju përfaqësoni, ky është vendi juaj”,- u shpreh Nieto. Në pritjen e organizuar nga Presidenti i Meksikës ishin të pranishëm edhe një sërë ministrash, ai i Jashtëm Hose Antonio Meade Kuribrena, i Ekonomisë, Ildefonso Guahardo Villareal, e Turizmit Claudia Ruis Massieuis dhe të tjerë autoritete të larta të Shteteve të Bashkuara të Meksikës. Në një hark të shkurtër kohor nga mbyllja e kësaj pritje, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Meksikës, ndau përshtypjet për takimet me konsujt e nderit përmes llogarisë së Tij në rrjetin social “Facebook”. “Mirënjohje për ata që me zemërgjerësi dhe dashamirësi janë Imazhi i Meksikës në botë”,- shkruan Enrique Pena Nieto. Në mesin e fotove të përzgjedhura për të pasqyruar ceremoninë, është edhe takimi me Konsullin e Nderit, Ylli Ndroqi. Në komentin që shoqëron foton, presidenti shkruan: “Konsujt e Nderit me punën dhe marrëdhëniet e tyre të mira, kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e investimeve,tregtisë dhe turizmit”

Ylli Ndroqi pritet nga ministri i Jashtëm i  Mexico City, Kuribrena

 Konsulli i Nderit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri, zoti Ylli Ndroqi ka gjatë vizitës së tij zyrtare në Mexico City, në takimin e parë u prit nga ministri i Jashtëm i Meksikës Jose Antonio Meade Kuribrena. Gjatë takimit konsulli i nderit i Meksikës falënderoi kreun e diplomacisë meksikane për pritjen e përzemërt ndërsa shprehu dëshirën për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe kulturore mes dy vendeve tona. Z. Ndroqi e njohu ministrin e jashtëm meksikan me përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar Meksikën në Shqipëri, si edhe me mundësitë dhe potencialet që ofron vendi ynë. Nga ana e tij, ministri Kuribrena shprehu gatishmërinë për të çuar para marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai shprehu mirënjohje për punën e zotit Ndroqi si konsull nderi. “Jemi të kënaqur që Meksika ka konsull nderi në Shqipëri një personalitet si ju”,- tha gjatë takimit ministri i jashtëm i Meksikës. Konsulli nderit në shenjë mirënjohje dhe respekti i dhuroi ministrit të jashtëm edhe një dhuratë simbolike me simbolet kombëtare. Në fund të takimit, z. Ndroqi ftoi kreun e diplomacisë meksikane të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u mirëprit pozitivisht nga ministri Kuribrena.

Ndërkohë konsulli i nderit i Meksikës në Shqipëri, z.Ylli Ndroqi vijon vizitën e tij zyrtare në Mexico City, vizitë, e cila kulmon me takimin e 101 konsujve me presidentin e Meksikës. Gjatë qëndrimit 4 ditor në kryeqytetin meksikan, z.Ndroqi do të zhvillojë takime dhe me ministra të tjerë të kabinetit qeveritar por edhe me personalitet të tjera të larta meksikane.