Ylli Meçe/ Si ta quaj: Tradhti e socializmit… apo socializëm i tradhtuar?!

341
Lufta, ndërtimi socializmit, ushtria në regjimin komunist, ndërtimi i veprave të mëdha dhe së fundi dështimi i komunizmit. A është vlerësuar Lufta Nacional-Çlirimtare? Po fitoret e arritura gjatë ndërtimit të socializmit a vlerësohen, a kishim ushtri të fortë dhe pse u dështoi komunizmi? Këto janë disa nga pyetjet e kësaj interviste
-Të më falni, por diku dhe mirë nuk me kujtohet, por te ju kam lexuar një shprehje të tillë; se nuk na tradhtoi socializmi, por ai u tradhtua?!! A mund ta saktësoni këtë gjë, sepse më duket sikur kemi të bëjmë me një sofizëm, apo më saktë çfarë ndryshimi ka?
– Natyrisht në pamjen e parë ashtu ta jep përshtypjen, por ka ndryshim të madh dhe ja se si:
Nëse do të marrim thjesht termin “Tradhti e socializmit”, do të lihej të kuptohej se socializmi si një rend ekonomiko-shoqëror është i destinuar të dështojë, për rrjedhim edhe teoria e Marksit e Engelsit po më saktë i gjithë “Manifesti komunist” i shkruar prej tij kryekëput do të rezultonte i pa bazë. Kjo automatikisht të çon në rrjedhimin tjetër, se edhe Lenin-Stalini dhe disa udhëheqës revolucionarë të vendeve të tjera sidomos mbas luftës së dytë botërore që luftuan për këtë kauzë kanë luftuar si të thuash për një kauzë të dështuar gjë që nuk është e vërtetë. Ndërsa nëse shprehemi “ Socializëm i tradhtuar” atëherë ndryshon problemi.
– Ju mendoni se PKSH-ja në atë kohë, sikurse dhe Enver Hoxha luftuan dhe dolën malit për socializëm?
– Kush e ka thënë këtë?!! Të mos harrojmë se Direktivat e Komiterrnit ishin futur në Shqipëri 5 vjet para se të themelohej Partia Komuniste, me këtë dua të them se idetë komuniste ishin përhapur me shpejtësi marramendëse. Po të sjell një shembull: Dihet historikisht se Lenini i ka denoncuar traktatet skllavëruese ndaj Shqipërisë dhe kur vdiq Ai ( Lenini ), Avni Rustemi në atë kohë deputet, e detyroi Parlamentin shqiptar të mbante një minutë heshtje. Po pse?!! Vetëm pse mbrojti Shqipërinë?!! Jo! Jo vetëm për këtë, por fakti tjetër ish se Rusia e Leninit u bë shteti i parë jo vetëm në botë por edhe në historinë e zhvillimit njerëzor ku për herë të parë u hoq shtypja e shfrytëzimi i njeriut po nga vetë njeriu- ku për herë të parë shoqëria njerëzore provoi barazinë shoqërore ku për herë të parë u shfaq solidariteti vëllazëror ku për herë të parë Liria u buzëqeshi ëmbël klasës së shtypur,me një fjalë punëtorëve e fshatarëve.. Pra u vu në zbatim ëndrra e dështuar e komunarëve të Parisit: Liri- Barazi- Vëllazëri. Parë nga ky prizëm Revolucioni i Tetorit la të kuptohej se tashmë të qenit të lirë nuk ngelet më për popujt një ëndërr,por edhe një realitet i cili edhe mund të realizohet.
-Të hidhemi në kushtet e vendit tonë… 
Natyrisht pushtimi fashist i vendit u prit me armë në dorë dhe furinë e parë të okupacionit nuk e përballuan komunistët sepse në atë kohë as PKSH-ja nuk ish formuar. Do te duhej pushka e Heroit Mujo Ulqinaku në Durrës dhe shokëve të tij apo e dëshmorit Hamit Vashkos në Vlorë me shokët e tyre si dhe shumë atdhetarëve të tjerë të zgjonin ndërgjegjen kombëtare. Këto procese përshpejtuan edhe formimin e vetë PKSH-së. Jam i sigurt se po të shfletohet me kujdes literatura e asaj kohe, dokumentet historike autentike do të kuptohet fare qartë se PKSH-ja si objektiv themelor në atë periudhë historike, pati luftën pa kompromis kundër okupatorëve fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
-Pse gjatë luftës nuk u hodhën idetë e socializmit nga krerët udhëheqës të PKSH-së?!
Gjatë luftës, ide të tilla direkte nuk janë hedhur sepse sikurse e theksova detyra kryesore imediate ishte lufta kundër fashizmit dhe besoj se edhe juve ju kujtohet se është mbajtur një konferencë në Pezë në shtator të vitit 1942 e cila, si bosht qendror të punimeve të saj kish: Luftën pa kompromis kundër fashizmit- pa dallim FEJE- KRAHINE- IDEJE. Madje edhe vetë Abaz Kupi, i cili ishte zogist mori pjesë në këtë konferencë ku u zgjodh edhe N/ Kryetar i Këshillit Antifashist Nacional- Çlirimtar. Pra sikurse shikohet nuk kish teza për ndërtimin e socializmit në vendin tonë.
-Pse kaq dhe deri këtu e kish misionin kjo Parti?!! Thjesht çlirimin e vendit?!
Pyetja juaj është logjike. Doemos nuk ish deri aty sepse në takime në popull, në format e edukimit të partizanëve përherë flitej për një jetë më të mirë, për reformë agrare, dhe se kjo gjë do ti lihej në dorë popullit të vendoste për fatet e veta. Këto sigurisht po ti analizosh me vëmendje të lënë të kuptosh se janë format embrionale të një shoqërie me të vërtetë demokratike- janë hapi i parë i propagandimit të socializmit. Nuk duhet harruar se në atë kohë kish dy probleme të mëdha përpara: – Së pari PKSH-ja akoma nuk kish dhënë prova shumë të mjaftueshme në popull ( kjo do të ndodhte pak më vonë e gradualisht gjatë gjithë zhvillimit dhe fitores së luftës) dhe sé dyti – në popull akoma kish elementë të lëkundur të cilët vinin nga shtresa e mesme por ama ishin atdhetarë të vërtetë dhe atdhedashuria e tyre duhej shfrytëzuar jo për interes të PKSH-së por në interes të popullit. Reaksioni dhe organizatat tradhtare të cilat u vunë në shërbim të okupatorit natyrisht që në udhëheqjen e tyre kishin njerëz me dije dhe ata e kuptonin fare mirë se nëse tonin e luftës do t’ia jepnin komunistët të lidhur me partizanët, dhe kështu këta agallarë e kuptonin, se davanë e kishin të humbur dhe jo pa qëllim ata propagandonin të kundërtën, se komunistët do jua u marrin tokën dhe gjithë pasuritë…se në luftë kanë marrë dhe femra që të shkojnë me to, se komunistë janë kundër zakoneve të populli e sidomos kundër Kanunit, se në mal kanë dalë çunakë, se duhet pritur koha e duhur që të luftohet fashizmi, etj. Ballistët, sidomos mbas vitit 1943, shpresonin shumë te pathyeshmëria e gjermanëve, ndaj edhe dolën hapur si një organizëm politik i kamufluar me parime nacionaliste, por që u vu direkt në shërbim të gjermanëve. Po ti vesh re edhe në të ashtuquajturat çeta të Ballit nuk kish asnjë luftëtare femër, pa lere më dëshmore!!!. 

Po pse?… Së pari, ato ishin zonja të mëdha dhe u mërdhinte tulja. Së dyti ballistët indirekt donin të jepnin mesazhin në popull se ja, ne dimë ta ruajmë nderin e femrës, jemi të dokeve e zakoneve të popullit shqiptar e nuk jemi si partizanët. Po pse e pakët ish kjo? Prandaj edhe disiplina partizane godiste ashpër ç’do shfaqje të cenimit të moralit partizan, madje shkonte në kufirin dhe skajin më të rreptë. Kjo bënte që të dallohej e vërteta nga gënjeshtrat dhe shpifjet e “Ballit”. Lufta do të ish ajo që vinte në provë reale luftëtarët e vërtetë nga pseudoluftëtarët. Por Ballistët e kuptonin fare mirë se ardhja në pushtet e komunistëve do ti shpronësonte klasat e pasura që u patën pirë gjakun popullit, prandaj, këtë të veçantë, që godiste vetëm klasat e pasura, ata e propagandonin sikur do të goditej i gjithë populli. Madje nuk është as e rastësishme se në krye të ballit ishin bejlerë, agallarë, pseudo-intelektualë, tregtarë e matrapazë mallrash e idesh. Sikurse kuptohet paralelisht me luftën të dy palët punonin edhe në sektorin e propagandës si PKSH-ja ashtu edhe reaksioni, i cili shpesh vishte petkun e “ Patriotizmit” ku edhe ka patur raste që ka dëmtuar shumë. 

Ja p.sh: Kur u pushtuam nga Italia më 1939 -ën, ata( fashistët italianë) menjëherë proklamuan “ Shqipërinë e madhe” dhe një pjesë e njerëzve të ndershëm sidomos në Kosovë, por dhe në Çamëri kur u pushtua Greqia u gënjyen nga kjo parullë- sepse mendonin mjafton të hiqnin zgjedhën serbe apo edhe atë të korofillakëve grekë duke e bashkuar me gjithë Shqipërinë. Një pjesë e shqiptarëve çamër preferonin të hiqnin zgjedhën dhe ti shpëtonin Napolon Zervës pa “punë e madhe” le ta merrte italiani. Po ku qëndron thelbi reaksionar i kësaj? Qëndron në faktin se në rastin konkret ndërrohej vetëm pushtuesi..pra nga serbo- grekë, zëvendësohej me fashistët Italianë apo më vonë edhe me nazistët gjermanè. Bile aty nga viti 43-44 në Kosovë me interesim direkt të numrit tre të regjimit nazist shefit të gestapos Henrik Himler u formua edhe divizioni famëkeq SS “Skanderbeg” me 6000-6500 trupa naziskine nga ku prej tyre vetëm shqiptarë ishin 500- 600 dhe qè kanè bërë krime makabre si mbi popullsinë e pafajshme serb- boshnjake ashtu edhe atë shqiptare të komanduara nga gjeneral majori August Schmidhuber. 
Pra e merrni me mënd se ç’punë kolosale dilte përpara për të qartësuar mendjet e njerëzve?!! 
Ne shpesh i marrim lehtësisht disa parulla gjatë luftës si p.sh “ Vdekje fashizmit- Liri Popullit”! – që përdornin partizanët..dhe atë “ Shqipëri e shqiptarëve – Vdekje tradhtarëve”- që përdornin ballistët. Edhe te parullat kuptohej kush e luftonte fashizmin e kush, jo! Ku qëndron ndryshimi? Në të parën del në pah se armiku kryesor është fashizmi dhe sikurse shikohet dy janë objektivat kryesore- lufta kundër fashizmit- dhe liria e popullit. Le të marrim parullën e Ballit. Në këtë parullë i mëshohet vetëm nacionalizmit pra Shqipëria e shqiptarëve. Bukur deri këtu,po këtë gjë pra bashkimin ata e pranonin nga kushdo qoftë Nga kjo parullë të jepej përshtypja sikur Shqipëria nuk na qenkej e pushtuar por duheshin luftuar tradhtarët. Po kush ishin tradhtarët?!!! Sot thuhet se Balli e linte të kuptohej. Po të shohim një fakt që e njeh dhe historia.Njihet botërisht protokolli “Dalmazzo -Këlcyra” një protokoll famëkeq i cili edhe pa e lexuar fare asnjë pikë të tij pyetet: A mund të ulem me pushtuesin për negociata?!! Vetëm kjo pyetje është asgjësuese për vetë ballistët. Ai, Uran Butka i ballistëve modernë këto pallavra le t’ia tregojë Saliut( jo gjyshit të vet atdhetar) por Saliut të sotëm tradhtar, sepse atij i shkojnë për shtat parullat e tij. Ose më saktë le të na thotë pse Xhafer Deva, Hysni Dema dhe kumandari i tij Kadri Cakrani i “Ballit Kombëtar” i leu duart me gjakun e popullsisë së pafajshme të Tiranës, në 4 shkurt të vitit 1944. Nënvizoj se si nga arkivat gjermane si nga ato anglo-amerikane “balli “rezulton një organizatë pseudopatriotë e cila bashkëpunoi me fashistët sidomos mbas vitit 1943 dhe më saktë me gjermanët. Kjo është katërçipërisht e vërtetuar. Deri sa të jetojë edhe partizani i fundit- Balli Kombëtar ka për të parë ëndrra ditën me sy hapur mbi makina dhe thasët me miell të gjermanit… ndërsa natën le të shohë dyshekët me pupla sofrat e shtruara me krahë, kofshë e kllufje pulash!!
Intervistoi: Arben Progonati