“Xibraka”, 104 vite burg. Gjykata jep dënimet për grupin e kokainës

591
Grupi i “Xibrakës”, i konsideruar i tillë për shkak të fshatit me të njëjtin emër ku u zbulua laboratori i përpunimit të kokainës, i shpëtoi dënimit për akuzën e trafikut të drogës.
Nëntë të pandehurit, prej të cilëve personi kyç Genci Xhixha vijon të jetë ende në kërkim, u dënuan në total me 104 vite burgim.
Të pandehurit, mes tyre edhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha, u shpallën fajtorë për veprat “prodhim dhe fabrikim të lëndëve narkotike dhe psikotrope” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Ermal Hoxha nuk u shfaq asnjëherë para Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe nga 13 vjet që kërkoi Prokuroria e Krimeve të Rënda mori dënimin me 10 vjet burgim.
Dy vëllezërit Dalipi, të cilët rezultojnë pronarë të fabrikës ku përpunohej droga u dënuan me 21 vjet burg në total, ndërkohë që ekspertët e kokainës, shtetasit kolumbianë u dënuan me nga 12 vjet burgim.
Gjykata shpalli vetëm dispozitivin, ndërkohë që thuhet në rrugë jo zyrtare se vepra e trafikut të drogës ka rënë përderisa nuk është vërtetuar se ku do të transportohej kjo ngarkese pasi të përfundonte përpunimi i saj.
Megjithatë, Prokuroria përgjatë gjykimit këmbënguli se të nëntë të dyshuarit krijuan një grup të strukturuar kriminal me qëllim trafikun e drogës, duke importuar në Elbasan një sasi lënde në përmbajtje të të cilës fshihej kokainë.
Për këtë qëllim, tha Prokuroria, ata ngritën edhe një laborator ku përpunohej lënda bazë derisa nxirrte formën përfundimtare të drogës të gatshme për t’u hedhur në treg.
Gjatë operacionit të bazuar veçanërisht mbi përgjimet njërit prej të dyshuarve, shtetasit Saimir Batku ju sekuestrua në Tiranë në një mjet xhip 19 kg kokainë e prodhuar në të njëjtin laborator.
Sigal