Xhoi Jakaj: Femrat lexohen më shumë, se shprehin më tepër emocion në librat e tyre

826
Takimet e mia me të janë mbresëlënëse. Një grua poete, publiciste, që e do shumë librin dhe e lidhur fort me krijuesit. Asnjëherë në bisedat me të nuk sheh gjurmë urrejtjeje, përbuzjeje, smire edhe ndaj atyre që e kanë kritikuar. Toleranca është pjesa më ndriçuese e jetës së saj. Edhe sot në pozicionin e ri, ajo mbetet poete në shpirt dhe në jetë dhe nuk shkëputet nga miqësia, pasi sipas saj, të qenit njeri është vlera më e madhe njerëzore. Sipas saj ka shumë femra që kanë zënë pozicione dhe sot nuk u flasin me gojë miqve, atyre që kanë qenë pjesë e shumë aktiviteteve, pasi pozicioni sot i “kategorizon ndryshe”, por jo me të. 
Drejtore e burgut të grave, e kishe menduar ndonjëherë këtë detyrë?

Të jem e sinqertë asnjëherë në jetën time, as menduar, as ëndërruar por është një shprehje “çfarë të sjell minuta nuk të sjell as jeta”. 

Si reaguat kur jua ofruan këtë post?

Në momentin e parë me habi të madhe, madje e mora si humor, pastaj e mblodha veten dhe kuptova që është një propozim me shumë rëndësi e të tillë vazhdoj e shoh dhe sot e kësaj dite tashmë prej 6 muajsh në këtë detyrë. Propozimi shumëkujt mund ti duket i çuditshëm se jo shpesh ndodh në Shqipëri një gjë e tillë, por kam qenë në auditor duke dhënë mësim, e në të shumtën e rasteve telefonin e lija pa zile por në këtë rast fati ishte që e dëgjova telefonin dhe në këtë mënyrë më ka ardhur propozimi për drejtore të burgut të grave. Sigurisht që jam menduar dhe këshilluar pastaj e kam pranuar, ndoshta si një nga sfidat më të mëdha të jetës time. (Por mua më pëlqen të sfidoj dhe veten)

-Cilat janë problemet e grave të burgosura?

Në burgun e grave aktualisht ndodhen 63 të paraburgosura dhe 37 të dënuara, gjithsej 100 gra e vajza te niveleve, moshave e historive sa të ngjashme aq edhe të ndryshme, i njoh gjithë historitë dhe në pak muaj ua mësova emrat dhe kur u drejtohem në emër e mbiemër gjatë punës time në regjim ato ndjehen mirë shumë, dhe kjo sinqerisht më fal emocion e lot ndonjëherë, ato më shohin si dritë shprese dhe unë me gjithë fuqitë e mia përpiqem t’i bëj të lumtura me mundësitë që kam brenda kuadrit ligjor. Gratë aty i bashkon një gjë e kryesore në ato ambiente, ndodhen brenda për shkak të dhunës së formave të ndryshme si fizike, psikologjike, seksuale. A kam hasur situata problematike, pa diskutim që shpesh kam hasur probleme nga më të ndryshmet. Ah sa probleme ka aty, Berti ta dish ti, por jemi në zgjidhje e sipër të disa problemeve kryesisht duke i ndihmuar nga ana ekonomike me ndihma të shumta për fëmijët që kanë lënë jashtë. Jeta ime jashtë institucionit, ti e di fort mirë që është e mbushur me miq dhe pjesa më e madhe prej tyre kanë predispozitën për të më sjellë ushqime, karta telefoni, veshmbathje, madje dhe gjëra shumë jetike që ato nuk kanë mundësi t’i blejnë me buxhetin që kanë, duke qenë se një pjesë e mirë prej tyre braktisen nga bashkëshortët ose dhe familjet në rastin kur ato marin dënimin. 

-Si e ka ndryshuar ritmin e jetës tuaj ky lloj pozicioni, po orarin e veprimeve?

Vitet e jetës time më së shumti kanë qenë pranë adoleshentëve dhe studentëve, pa diskutim ishin vite plot emocion, energji, punë, përpjekje, spektakël, lodhje, stres, ndonjëherë lot për shkak të problemeve të tyre, por padyshim puna që më ka dhënë dashuri e sukses pafund e ndërkohë një lloj ritmi tjetër i jetës time dhe i veprimeve në tërësi. Unë si natyrë jam shumë kërkuese e këmbëngulëse për të patur rezultate të larta në atë çfarë unë zgjedh të bëj, kjo gjë nuk më bën egoiste, por ambicioze. Padyshim, kjo ambicie pozitive në punesat e mia të mëparshme, duke e alternuar mësimdhënien me botën e spektaklit dhe televizionit, për tu evidentuar në gjërat që unë di të bëj, ndoshta krijoi një ide në kokën e atyre që më propozuan këtë detyrë që unë di ta bëj mirë, e padyshim kjo gjë ndryshoi komplet jetën time me 360 gradë ku propozohem nga Ministri i Drejtësisë si drejtore e burgut të grave, një punë që ka shumëçka brenda 24 orëve. Dita fillon me mbledhjen e mëngjesit me ndarjen e detyrave, takime në regjimet e brendshme të të dënuarave dhe të paraburgosurave për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre e ku shpesh kam harruar të konsumoj dhe drekën për shkak të ngjeshjes së orareve të veprimeve të mia, ama ndjehem mirë dhe po bëj një punë kolosale për ndryshimin e jetës së tyre. 

Thonë se posti të bën nënvlerësuese ndaj miqësisë (ndodh shpesh dhe e ndeshim kudo), po Xhoi ku është me këtë pjesë të rëndësishme jetësore?
Ah shumë e bukur pyetja, një pjesë e miqve dhe mikeshave të mia kur më telefonojnë dhe jua hap direkt telefonin fjala e parë që më thonë ka lidhje me pyetjen tuaj, por shtojnë dhe një gjë; “Të lutem mos ndrysho, sepse ndodh kjo gjë kaq shpesh në shoqërinë tonë sa transformimi është i menjëhershëm”, unë Berti po të rrëfej dhe një gjë që në punën time brenda regjimeve nuk lejohet telefoni dhe kur ka mbaruar orari i veprimeve të mia i kontrolloj telefonatat, ju përgjigjem dhe i sqaroj pse nuk e hapa telefonin, pasi unë miqtë nuk dua t’i humb, është një shprehje “më mirë një mik se një çiflig” e pikërisht miqtë e mirë më ndihmojnë dhe në punën që bëj, e cila për hir të vërtetës nuk është e lehtë. 

Pedagoge, poete, publiciste ky lloj posti ka sjellë një frymë tjetër brenda ndjesive tuaja jetësore dhe të karrierës?

Padyshim që po, më ka bërë më të ndjeshme dhe më emocionale, por më të fortë në karakter dhe në qasjen që kam për ligjin. Puna ime gjithmonë ka qenë e lidhur me njeriun në fushën e edukimit e në të shumtën e rasteve jam konsideruar si një pedagoge tolerante që autoritetin nuk e vë me notën por me fjalën. Në punën që bëj tani përsëri tolerancën e kam shumë të zhvilluar, por tashmë të alternuar me zbatimin e ligjit, i cili të jep mundësi të jesh dhe e drejtë dhe e barabartë me të gjitha kategoritë aty brenda. 

Sa e lidhur jeni tashmë me krijimtarinë? Mendoni se femra e ka më të vështirë të hyjë në tregun e librit?

Pak kohë na ndajnë nga dalja e librit të radhës, por që ka qenë më i vështirë se të tjerët për shkak të kohës time dhe përqendrimit të vështirë që ka specifika e punës time. Ky libër flet për femrat, para se të merrja këtë detyrë kishte nisur dhe u përforcua dhe më tepër ideja që duhet një libër për gratë, emancipimin dhe evoluimin e saj në vite, sesa libër i mirë do jetë mbetet për t’u vlerësuar nga lexuesi. Për sa i përket pjesës tjetër të pyetjes tuaj nuk mendoj që femra e ka më të vështirë tregun e librit, përkundrazi femrat lexohen më shume se shprehin më tepër emocion në librat e tyre, ka diçka nga shpirti femëror brenda çdo libri e ju e dini mirë që best seller-at më të shitur në botë janë prodhim i femrës. 

Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

Janë shumë, pikësëpari mungesë e theksuar emancipimi shoqëror, paragjykim në gjërat që ato bëjnë p. sh., nëse një femër politikane do të bënte një gabim të stilit mashkullor do baltosej pa fund në të gjitha pikëpamjet këtë gjë e pamë më së miri në rastin e Ermira Mehmetit. Ajo që këshilloj unë për femrat në tërësi është që kërko liri, pushtet, autoritet dhe të drejta më shumë, sepse ato nuk t’i dhuron njeri në pjatë të agjentë, duhet patjetër ti fitosh që pastaj të ndjehesh e respektuar në shoqërinë ku jeton, punon dhe aderon, madje dhe brenda familjes tënde duhet të të dëgjohet mirë zëri, ndryshe kauzën e lirisë e ke të humbur. 

Çfarë do të bëje më shumë për gratë e burgosura?

Dy janë gjërat për të cilat po negocioj shumë fort: E para, me Ministrinë e Drejtësisë që të përshpejtohen vendimet e gjykatave dhe të mos shtyhen gjyqet pa fund për arsye të ndryshme ku zvarritja e tyre bën që të paraburgosurat dhe kur prezumohen të pafajshme brenda vetes së tyre të ndihen të fajshme në ato ambiente. E dyta për rehabilitimin e tyre pas daljes nga I.E.V.P “Ali Demi” ose e quajtur ndryshe burgu i grave, pikë shumë e dobët e shoqërisë e që ne në sistem, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve me implementimin e një projekti të qeverisë britanike po përpiqemi të bëjmë disa gjëra të mira në shërbim të rehabilitimit të këtyre grave në shumicën e rasteve rezultojnë pa strehim, pa punësim, pa përkrahje dhe të paragjykuara. Besoj nëse arrijmë të zgjidhim këtë çështje kemi bërë shumë për ato gra. 

Jeni penduar që morët këtë detyrë dhe cila është pengesa më e madhe? 

Nuk jam penduar aspak, përkundrazi ndjehem shumë komode në këtë detyrë e kam marrë si sfidën më të madhe të jetës time me humor ndonjëherë mikeshat e mia më thonë “të mendonim drejtoreshë televizioni ose të ndonjë pozicioni arti, por kurrë drejtoreshë burgu”. Në fakt mendoj që jam e prerë për këtë detyrë, duke alternuar arsyen me ligjin, tolerancën njerëzore që më karakterizon me rregullin dhe disiplinën, duke shtuar dhe humanizmin tim, kauzë të cilën e kam zhvilluar prej vitesh në shoqërinë civile e ku në vitin 2015 u vlerësova si filantrope e vitit “Për kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të personave në nevojë dhe fëmijëve me aftësi të veçanta”, mjaftojnë këto elementë që në këtë punë të jesh i suksesshëm. Z. Albert, të falënderoj për intervistën, sepse një vlerësim të tillë ti dhe gazeta “Telegraf” e keni bërë dhe përpara se unë të jem në këtë detyrë me rëndësi të veçantë. 
Sigal