Xhika i rrugëve e kthen beharin në dimër

575
Sikur të kishin “gojë” fondet publike dhe letrat e tenderëve që sajohen e nënshkruhen nga Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, “aligatori” i korrupsionit Dashamir Xhika, do të rrëfenin batërdinë që bëhet me këto fonde, duke zbuluar skenarin me përmbajtje të plotë “krim ekonomik-financiar” që bëhet nga ky drejtues dhe “banda” e tij korruptive me këto tenderë. Njoftimet e bëra prej drejtorit Xhika në “Buletinin e Prokurimeve Publike” për shpalljen e fondit limit, të zhvillimit, ofertave dhe fituesve të këtyre tenderëve, janë fakti konkret i abuzimit me fondet publike që akordohen për rrugët, por që marrin rrugën për në “xhepat” e drejtor Xhikës dhe pjesëtarëve të “bandës” së tij që zhvillon tenderët në miliarda lekë, të cilat xhirohen nën emërtesën fiktive “ndërtim, rikonstruksion dhe mirëmbajtje rrugësh” nacionale, dytësore, lokale e rurale. Një abuzim i tillë skandaloz me vlerë afro 1 miliardë lekë fond publik është fshehur brenda fletëve të “Buletinit të Prokurimit Publik” Nr. 13, datë 4 prill 2016. pra, dje, në këtë Buletin është publikuar krimi ekonomik-financiar, i bërë me mashtrim, nëpërmjet një tenderi abuziv me mirëmbajtjen e rrugëve. Mjafton të lexosh njoftimin për shpalljen e fituesit dhe konstaton se aq skandal përbën ky tender afro 1 miliardë lekë që ka firmosur drejtor Xhika, sa për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në zonën veriore për periudhën nëntor-dhjetor 2015 e janar-shkurt 2016, zhvillon tender në prill 2016! pra, që të mirëmbaj rrugët në stinën e dimrit 2015, drejtor Xhika zhvillon tender në stinën e verës 2016.


 Ec e kuptoje këtë logjik që kushton afro 1 miliardë lekë taksa shqiptarësh që zhduken, ose më saktë përlahen me një tufë letrash fiktive për një tender fiktiv. pa bërë komente, po i referohemi njoftimit të finalizimit të këtij tenderi absurd. Konkretisht, në “Buletinin e Prokurimit Publik” Nr. 13, datë 4 prill 2016 është shpallur mbyllja e tenderit me objekt mirëmbajtjen dimërore të rrugëve të rajonit rrugor verior. Me “bekimin” drejtorit Xhika, Drejtoria e Rajonit Verior Shkodër, pas sqarimeve për “rregullsinë” e tenderit, njofton lidhjen e kontratës “Mirëmbajtje rutinë e dimërore Rruga Kukës-Ura e Zapodit-15.6 kilometër, fituar nga firma…… me ofertë 36 milionë, 266 mijë e 880 lekë pa TVSH dhe 43 milionë, 520 mijë e 256 lekë me TVSH. Ajo që nuk shkon në këtë tender “Gines” për nga përmbajtja korruptive, i cili sipas “mendjes tender” të drejtor Xhikës parashikon mirëmbajtjen e rrugëve në dimrin e vitit 2015 dhe bëhet në verën e vitit 2016 është skandali, që zhvillimi i tenderit do të mirëmbante rrugët në stinën e dimrit është data 29 tetor 2015, ndërsa njoftimi i shpalljes së fituesit është bërë në datën 17 mars 2016, ose më saktë 5 muaj më vonesë, pra në pranverë! ndërkohë që njoftimi zyrtar publik për fituesin e këtij tenderi është bërë dje, në datën 4 prill 2016! Besoj se ky skandal i rëndë, përbën “lëndë të parë” për drejtuesit e qeverisë, të cilët duhet ta përzënë urgjent nga kjo detyrë këtë përbindësh korrupsioni, por së pari, rasti në fjalë duhet të jetë një provë tjetër krimi ekonomik-financiar për drejtësinë shqiptare, për t’ia bashkëngjitur dosjes “mal” me emërtimin “Xhika” që ka hapur dhe po heton prokuroria!
Sigal