Xhevdet ZEKAJ/ Duka, De Biazi dhe kampionati shqiptar….

472
Sigal

Të shtunën nis kampionati i Kategorisë Superiore. Natyrisht është një festë futbolli, pavarësisht se stadiumet shqiptare janë bosh këto vitet e fundit. Përpara se të flas për deklaratën e De Biazit në lidhje me rikthimin e Emiljano Vilës në kampionatin shqiptar, te Partizani, do t’u sillja gjithë atyre që lexojnë apo kanë mundësi e inteligjencë të kuptojnë këtë perlë të Faik Konicës:

Ma shanë atdheun, ma shanë nga nëna,

Në një bar mbushur me të bardhë e negër.

Shtrëngova dhëmbët, të mos më çahej zemra,

E mbi ta të lëshohesha si bishë e egër.

Ma shanë atdheun, buzë detit Egjë,

si m’u mbyll goja e nuk volla mallkime?!

Po për kë t’i shaja, ata s’kishin atdhe,

Ma shanë atdheun, në gjuhën time….

Besoj se kaq do mjaftonte të kuptoni reagimin Dukës në mbrojtje të kampionatit tonë kombëtar, sepse De Biazi tha një të vërtetë të madhe, që u mbështet edhe nga figura të tilla si Neptun Bajko, Astrit Hafizi e Rudi Vata, se i shanë futbollin që sundon prej më shumë se një dekade. Kreu i FSHF-së hodhi poshtë kësisoji gjykimin e trajnerit që vetë ka zgjedhur në krye të kombëtares, që e rimandatoi atë, nga i cili presim realizimin e ëndrrës së madhe, kualifikimin në “Euro 2016”. Doli kundër produktit të vet, trajnerit më të rëndësishëm të sistemit të futbollit tonë kombëtar, sepse De Biazi e shau nga “atdheu” Dukën. Italiani, me shumë sinqeritet e realizëm tha se ky sport te fqinji ynë jugor, ku luante Vila, është më superior se futbolli ynë. Këtë gjë e besojnë të gjithë, kush ka dy pare mend. Edhe se një lojtar i kombëtares stërvitet e aq më mirë luan në një kampionat të huaj, është më i denjë për fanellën kuqezi, kjo dihet. Na e kanë thënë të gjithë trajnerët e huaj para De Biazit, sepse është një e vërtetë e madhe. Atëherë, pse ngutet Duka të hyjë në “vallen” e atyre menaxherë-gazetarëve apo trajnerë-menaxherëve të kthyer në “biçikleta”, që shalohen sipas rastit nga presidentë analfabetë klubesh, që ngrysën vetullat karshi deklaratës së trajnerit tonë të kombëtares?

Kreu i FSHF-së u shkel në kallo, sepse iu kritikua futbolli që ka prodhuar në katër mandatet e tij, i cili ka mbetur plot dhunë, pa besueshmëri, pa tifozë, i akuzuar e trukuar. Një futboll mjeran shqiptar, pa gjënë më elementare në organizim e menaxhim, Ligën Profesioniste. Si në çdo rast në Shqipëri, përpara se të flasë Duka u ngritën të përdorurit e tij, menaxherët me shumë funksione, që “flenë” me kombëtaren kudo ku ajo shkon, në stërvitje, grumbullime e ndeshje zyrtare. Ata iu turrën De Biazit direkt, apo përmes “mashave” të tyre në media, për dy arsye kryesore: E para, për t’i bërë qejfin “mbretit” për ndonjë kockë a borxh që i kanë. E dyta, sepse De Biazi është i huaj? A kanë guxuar këta menaxherë-komentatorë të sulmojnë ndonjë trajner shqiptar, apo dhe president gangster, që rreh lojtarët, që shan e deformon futbollin? Jo dhe jo! Sepse ai i kërcënon, i shan në telefona dhe në mejdan, madje i rreh dhe brenda në godinë të FSHF-së, ose në rastin më fatlum u jep ndonjë lekë xhepi. De Biazi, fundja, tha një gjë publike, që duhet ta ketë ditur mirë edhe vetë Vila në rastin konkret. Se në kombëtare janë zgjedhje të para ata që luajnë jashtë, në bazë të meritës, se atje luhet futboll i ndershëm e nuk ka tolerime, se nuk bëhet sikur stërvitesh e je profesionist. Deri këtu shkoi gjykimi i De Biazit, aq sa ngërthen edhe interesi i tij si trajner i kombëtares. Dhe s’kishte pse ngrifeshin të tjerët si “gjeli majë plehut”, sepse dihet fare mirë që Superiorja luhet në fushë e në tavolinë, se është më i trukuari në Europë e më tej, se dhuna s’i ndahet në çdo hallkë të saj, se është një aktivitet publik në të zezë; pa balance etj. Etj. Atëherë pse dogji kaq shumë kjo deklaratë e italianit? Sepse De Biazi, sipas Konicës, i shau nga atdheu… Dhe ky atdhe i Dukës e të tjerëve poshtë tij, servilë e sahanlëpirës të gjithfarëlloji, është futbolli që prodhojnë. Futboll që nuk argëton asnjeri, çka duket në numrin e tifozëve në stadium, por ama “milet si një lopë” nga shefat e presidentët e klubeve përmes nxjerrjes në pazarin e basteve. Vërtet ata mendojnë se i beson kush, se pajtohen me diçka që nuk ekziston, se futbolli shqiptar është më i mirë se i Greqisë?! Kjo është veçse injorancë e servirur nga “zylot” e shefit? Në kampionatin Helen nuk ka asnjë skuadër pa stadium modern, pa balance financiare, pa komplekse sportivë gjigantë etj. etj. Foli Rudi Vata, Astrit Hafizi dhe Neptun Bajko, sepse nuk hanë në gjellën e prishur të këtij palofutbolli, nuk janë servilë të Dukës, nuk bëjnë komentatorin dhe menaxherin njëkohësisht. Ata thanë të vërtetën e madhe, se futbolli shqiptar është i zi dhe në të zezë, se të kthehesh nga jashtë e të bëhesh pjesë e tij si futbollist kombëtareje është shumë hapa mbrapa në karrierë. Se çfarë “marke” është Superiorja jonë e dëshmoi më së fundi finalja e Superkupës, Skënderbeu-Flamurtari. Ndeshje pa asnjë lekë për fituesin, si në kohën e diktaturës, vetëm me diploma nderi e certifikata, si ato medaljet ”S” nëpër aksione, nja 2000 tifozë që kishin ardhur në stadium për të sharë e ofenduar dhe jo për të ndjekur futbollin e çalë në fushën për t’u mbjellë patate të “Qemal Stafës”. Natyrisht, ka raste kur duhet të heshtësh, ashtu si thotë Konica, por De Biazi i parapriu asaj që duhet të presim nga kombëtarja në fushatën kualifikuese, me lojtarë që nuk gjejnë vend në kampionate të huaja, por kthehen në Superioren që luhet më shumë në tavolinë e kompani bastesh se në fushën e blertë.

Xhevdet ZEKAJ