Xhemal Xhafa: Problem më shqetësues është ai integrimit të nxënësve në shoqërinë reale

664
Kur hyn brenda ambienteve të Institutit të Nxënësve, që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, Tiranë, befasohesh. Ambiente të pastra, të rregullta, një kuzhinë si farmaci, personel i veshur bukur dhe një komunikim tejet njerëzor mes nxënësve të verbër dhe gjithë personalit. Dhomat e fjetjes janë model në rregullim, sistemim dhe vendosjen e sendeve dhe veshmbathjes. Çdo dhomë që ka 6 shtretër ka brenda dhe banjën me dushi. Por ajo që veçohet janë ambientet dhe sallat e argëtimit, aktivitetet kulturoro-sportive. Ambiente që besoj se nuk i gjen në asnjë institucion tjetër shtetëror. Të gjitha shpenzimet për 65 nxënësit që janë në këtë shkollë jepen nga shteti, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.
Kur keni ardhur në këtë institucion dhe si e mendonit në ditët e fillimit të punës mënyrën e komunikimit dhe të kryerjes më së miri të detyrës?
Në këtë institucion unë kam ardhur më 26 shkurt të vitit 2014 dhe tashmë po mbush dy vjet. Bashkë me stafin tim kemi punuar me përkushtim për përmirësimin e kushteve dhe nivelit të mësimdhënies, të kushteve të ushqimit, të fjetjes, të çlodhjes, argëtimit dhe veçanërisht kemi vënë re se arritja më e madhe është në procesin mësimor-edukativ
Sa nxënës janë aktualisht në këtë shkollë, sa të brendshëm dhe të jashtëm dhe si zhvillohet veprimi ditor i tyre?
Aktualisht ne kemi 65 nxënës në shkollë, prej të cilëve 15 janë nga zona e Tiranës, të cilët në darkë shkojnë në shtëpi dhe 50 janë konviktorë që vijnë nga të gjitha zonat e Shqipërisë, të cilët kanë trajtim mësimor, ushqimor, veshmbathje dhe kujdes të përditshëm në 24 orë. Pra ata qëndrojnë këtu, aq sa zgjat procesi mësimor dhe vetëm në pushime shkojnë në shtëpi.
Sa është numri i punonjësve në këtë Institucion dhe sa janë shpenzimet vjetore për një nxënës dhe kush i mbulon shpenzimet?
Në këtë institucion ne kemi personal pedagogjik dhe personel shërbimi, 43 punonjës, prej të cilëve 21 janë mësimor dhe 22 janë personel shërbimi. Shërbimet janë 24 orësh gjatë gjithë ditës dhe në darkë deri në fjetje, ku ata ndiqen gjatë mësimit, studimit, pushimit, argëtimit deri në gjumë. Dua të theksoj se në këtë Institut të gjitha shpenzimet janë nga shteti dhe nuk janë të pakta. Është një investim i madh. Pra dhe pse jemi një vend i varfër, të gjitha shpenzimet për Institutin si pagat, ushqimi, edukimi, librat, pra gjithçka investohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Është një shpenzim i madh ku për çdo nxënës në vit harxhohet po aq sa është rroga vjetore e një mësuesi. Natyrisht ne kujdesemi që të mos kemi shpërdorime të investimeve që çdo investim të shkojë për mësimin, edukimin, ushqimin, argëtimin të gjitha të trajtuara në mënyrë shkencore.
Çfarë veçorish kanë lëndët dhe mësimet në këtë shkollë?
Ne në këtë institut ndjekim programin e shkollave publike dhe në fund të klasës së 9-të, ata marrin një dëftesë si të gjithë nxënësit e shkollave publike, por që mësimdhënia ka veçoritë e saj në raport me nxënësit në shkollat e hapura publike. Tekstet dhe kurrikulat janë të adoptuara për nxënësit e verbër, por edhe me zmadhim. Kjo, sepse në këtë Institut ne kemi dy kategori nxënësish me problem shikimi. Ata me vizën zero që nuk shikojnë fare dhe ata të grupit të dytë me shikim të pjesshëm që kanë një përqindje të vogël shikimi. Grupi i parë punon në sistemin Brail me alfabetin që u përshtatet atyre me prekje, grupi i dytë me librat me zmadhim. Në fillim të vitit, ne i vizitojmë të gjithë nxënësit në qendrat okulistike, përcaktojmë numrin e shikimit të tyre dhe në bazë të tyre, përcaktojmë librat që do të porosisim për ta, me qëllim që librat me zmadhim, të përputhen dhe përshtaten me shkallën e shikimit të nxënësve.
Librat dhurohen dhe si procedohet për librat e veçantë që duhet të lexojnë jashtë shkolle?
Të gjitha librat dhurohen nga shteti dhe përveç kësaj ne kemi dhe një bazë Tifloteknike Tiflopedagogjike që do të thotë pedagogjia dhe teknika për nxënësit e verbër janë në funksion të mësimit dhe edukimit. Pra libra të veçantë për ta dhe mënyra të tjera komunikimi që përdoren çdo ditë nga mësuesit me qëllim që përvetësimi i lëndëve mësimore të jetë sa më efektiv.
Sa herë ushqehen në ditë nxënësit?
Ushqimi është si në familjet tona, pra tre herë në ditë, mëngjes drekë dhe darkë, por në pushimin e madh kemi dhe një vakt ndërmjetës në ora 10; 30 ku nxënësit marrin një kroasan dhe një gotë lëng frutash me qëllim që nxënësit të kenë energji të përballojnë mësimin dhe lëvizjet e ndryshme.
Si është ky Institucion nga kushtet, mësimdhënies në raport me shkollat e tjera simotra në rajon?
Ne kemi vizituar disa Institute të tilla në Maqedoni, Mal i Zi, Kosovë, ku dua të pohoj, se kushtet e jetesës mund të them se i kemi më të mira. Ne u kemi siguruar kushte në ushqim, por edhe në argëtim.
Cilat janë problemet që keni aktualisht në Institutin tuaj?
Sigurisht që kemi dhe probleme, por problem më shqetësues është ai integrimit të nxënësve në shoqërinë reale ku të ndihen të barabartë. Kjo vjen edhe pasi lëvizjet e tyre në zyra, në institucione të ndryshme për të parë çka bëhet realisht është më e vështirë, se sa ata në kushte normale. Ne tashmë kemi formuar një sistem tonin për ti plotësuar sa më mirë këtë detyrë ne po bashkëpunojmë me shumë faktorë. Po punojmë që të hapim institucione në drejtim të faktorëve ndihmës, të cilët janë bërë pjesë e institucionit tonë dhe ndihmojnë që nxënësit të kenë sa më shumë kontakte që jeta reale në institucione të ndryshme me qëllim që ata të fitojnë shprehitë dhe aftësitë për tu përshtatur, në jetën reale shqiptare. Në Institutin tonë kemi prezent një organizatë studentore, që çdo ditë në kohën e pushimit nga ora 18-20;00 ata bashkëpunojnë me nxënësit tanë për argëtimin e tyre,për veprimtari të përbashkëta që nxënësit të mos ndjejnë izolimin në këtë institucion. Ne në klasën e 9 kemi siguruar një praktikë profesionale në orët e mësimit ku nxënësit tanë jashtë kurrikulave shkojnë ditën e mërkurë pranë Drejtorisë rajonale të Formimit Profesional nr 1. Tiranë ku shpërndahen në kurse të ndryshme, për të mësuar profesione të ndryshme. Kjo praktikë zgjat rreth 2 orë dhe po jep frytet e veta.
Po mbas përfundimit të mësimit 9-vjeçar, ku shkojnë këta nxënës?
Pas përfundimit të kësaj shkolle ata shkojnë në gjimnaz apo shkolla profesionale sipas dëshirave të tyre. Por detyra jonë është përcjellja sa më e butë e tyre. Akomodim të përshtatshëm në shkollat e mesme, ndaj ne organizojmë dhe përgatisim kurrikulën e tyre, në disqe kompjuterike me qëllim që ata të punojmë me Laptop, ku kësisoj ne e zbusim vështirësinë që ata hasin në fillimin e shkollës së mesme. Përveç kësaj interesohemi me psikologët, me specialistët pranë shkollave të mesme me qëllim që ata të kenë një adaptim më të mirë që të përshtaten në shkollat e mesme. Pra të krijohen hapësirat e nevojshme për këtë kategori në shkollat e mesme.
Sa salla lojërash, kënde dhe ambiente për argëtim ka për këta fëmijë?
Ne kemi sallë kulture që shfrytëzohet në darkë për argëtim, muzikë, kërcime për bashkëpunim me studentët që japin koncerte, si dhe veprimtari të tjera. Kemi dhe një dhomë me kukulla dhe lodra të shumta për fëmijët e kësaj moshe. Kemi hollin me televizorin dhe tavolina me shah, domino dhe lojëra të tjera. Kemi në dispozicion dy mjedise të jashtme, një mjedis që është këndi sportiv i përuruar tani, si dhe një kënd lodrash të dhuruar nga “Dajti Expres’ për fëmijët e vegjël për kalimin e kohës së lirë. Kemi rreth 3 mijë metra katror ambiente të përshtatura për këto që thamë më lart. Ne jemi munduar që dhe pse janë pak si sipërfaqe, t’i vëmë në funksion në mënyrën më të mirë të mundshme. Pra i kemi kthyer në mjedise pune, argëtimi dhe mjedise për lojëra të ndryshme të fëmijëve tanë.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 28.01.2016
Sigal