Xhemal Dosku:Babanë ma dënuan 10 vjet burg se, nuk piu dollinë për Enver Hoxhën në dasmën time

58

INTERVISTË/ Flet për “Telegraf”, i biri i Nebi Doskut, Xhemali: Ju tregoj vuajtjet e tim eti për krushqinë me “biografi të keqe”

Gjurmët e sistemit komunist ende nuk janë shuar. Ato qëndrojnë dhe ndjekin nga pas si hije çdokënd që ju cenua liria. Nisur nga ajo kohë, një histori të mbushur plot me vuajtje dhe sakrifica rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, Xhemal Dosku, i biri i Nebi Doskut, arrestuar për agjitacion e propagandë, aktakuza, të cilat kurrë nuk i pranoi. Burgosja e tij la gjurmë të zeza në familje, e cila në çdo hap ndiqej nga Sigurimi i Shtetit. “E tillë ishte koha”, thotë Xhemali, i cili ka lindur në fshatin Dorëz të rrethit të Librazhdit, por që aktualisht është banues në Elbasan. Në çdo fjalë të treguar prej tij është një detaj, që duke mbërritur në ditët e sotme mbush një jetë të jetuar me mundime të mëdha. Xhemali, kujton ngjarjen sikur të kishte ndodhur dje, sepse në atë periudhë të errët, kur nisi gjithçka ishte vetëm 28-vjeç. Në këtë intervistë të mëposhtme do të gjeni mënyrën se si u arrestua Nebiu, si iu formuluan akuzat, si vazhduan hetimet, ku e bëri burgun dhe cili ishte trupi gjykues, i cili i shtoi edhe dy vjet për fjalën e thënë nga Nebiu ditën që do të jepej dënimi.

Z. Dosku, kur ka ndodhur arrestimi i babait tuaj? Ju, çfarë mbani mend nga ajo periudhë?

Ka qenë viti 1980, në atë kohë isha 28 vjeç. Ndodhesha në shtëpi, në Librazhd, në kohën që në vatrën e kulturës në fshat në Dorëz bëhej një mbledhje kundër babait tim. Aty i ishin thënë babait që: ‘ti saboton në kooperativë, i mban djemtë e fshatit me muhabet, që nuk ke pirë dolli për Enver Hoxhën, kur ke qenë për darkë në Qukës, ku neve kishim krushqit, ndërkohë që, babai nuk para e pinte rakinë’. Gjithashtu,  babai blinte gazetën  “Zëri i Popullit” ose gazetën “Bashkimi”, sepse vetëm ato dy gazeta dilnin në atë kohë, por ai lexonte vetëm faqen numër katër për politikën e jashtme dhe për këtë arsye ju qepën keq, pse lexon vetëm faqen numër katër. I sajuan lloj-lloj epitetesh, atë ditë mblodhën brigadën dhe i thanë që ke zënë një mik në Qukës, kur unë kisha 6 muaj që isha martuar, sepse nusen e mora te familja e persekutuar dhe i thanë në mes të brigadës që, nuk ke pirë dollinë për Enver Hoxhën, ky qe preteksti, sepse më vonë nuk doli nga hetimet. Ose një akuzë tjetër ishte, se “përse i mban dy-tre net miqtë nga Qukësi në shtëpi, ku i gjen lekët”. Por ata rrinin në shtëpinë tonë, sepse atëherë nuk kishte as makina dhe ishin larg që të ktheheshin brenda ditës. Fill pas këtyre vjen dhe burgosja. Ditën që u arrestua unë isha në provim, më thotë një kushëriri im i parë, Rifat Gurra “kur ke ikur nga shtëpia”, -unë i them në mëngjes, ky kishte qëlluar afër degës duke kaluar kur shikon “Gazin 51” që futet në degë dhe sheh babain tim dhe më thotë se babain e kanë arrestuar.

Si u formuluan aktakuzat në dosjen e tij?

Sipas dosjes të nxjerrë nga gjykata rezulton se: Me numër regjistri themeltar Nr. 69 dhe më Nr. 65 i vendimit, thuhet: I pandehuri Nebi Dosku, rrjedh nga një familje e pasur, me përbërje gjendje kulaku në fshatin Dorëz të Rrethit të Librazhdit. Ka një vëlla të dënuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, një vëlla tjetër i tij në vitin 1964 është arratisur jashtë shtetit dhe është vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, ku shërben edhe sot. Duke qenë se i pandehuri Nebi rrjedh dhe është nga mbeturinat e ish- klasave, shfrytëzues me gjithë ndihmën dhe thirrjen që i ka bërë pushteti dhe Partia në fshat për të ecur në rrugë të drejtë krahë për krahë me bashkëfshatarët e tij, ai nuk ka pranuar dhe as i ka përfillur ndihmat dhe këshillat e tyre. I pandehuri armik i pushtetit popullor në kohë dhe në vende të ndryshme ka bërë agjitacion e propagandë te persona të ndryshëm, kundër fuqisë mbrojtëse të vendit, kundër sistemit socialist të ekonomisë bujqësore. I pandehur Nebi Dosku, me dashje e qëllime të caktuara, si armik i diktaturës së proletariatit, i është kundërvënë asaj dhe ka ndërruar të kthejë parajsën e humbur, ashtu siç ëndërrojnë të gjithë armiqtë e pushtetit popullor, gjë për të cilën nuk do të realizohet kurrë. Sipas dosjes thuhet: I pandehuri Nebi, në verën e vitit 1975 ka punuar në shirjen e grurit me brigadier Abedin Muçën në vendin e quajtur “Xhamia e Dorëzit” me gjithë brigadën në orët e natës, në mënyrë demonstrative ju ka bërë thirrje shokëve të tjerë të brigadës që ta linin punën se gjoja kishin punuar jashtë mase dhe ishin të lodhur. Ai është shprehur se, “shpirtin e kam për vete dhe nuk jua jap juve, mos kujtoni se kështu do ta mbani gjithmonë…” etj., etj.. Me këto fjalë i pandehuri  ka dashur të shprehë se shoqëria jonë socialiste i shfrytëzon së tepërmi punonjësit sa që kërkon t’u marrë shpirtin. Madje, ka thënë që ky pushtet nuk mundet të mbahet gjallë me anën e forcës dhe anë të punës. Gjithashtu, nga provat e marra në seancë gjyqësore dhe të ato të dosjes hetimore rezultoi e provuar se i pandehuri Nebi në verën e vitit 1977, duke mos hequr dorë nga veprimtaria, i është shprehur dëshmitarit Riza Gjekola në “Birrarinë Sopoti” në qytetin e Librazhdit: “Vetëm po nuk erdhi koha ime, që të ndryshojë regjimi e të vijë uji në mullirin tim”. Ky i pandehur ëndërron me sy hapur dhe pret ndryshim të sistemit tonë popullor, pret që të përmbyset sistemi i diktaturës së proletariatit dhe kërkon të vijë në fuqi shfrytëzimi, mjerimi dhe skamja për popullin tonë. Ky i pandehur, si armik i betuar i këtij pushtetit kërkon ata që ka humbur dhe ëndërron dita- ditës, duke shprehur në forma të ndryshme, gjë për të cilën s’mund të ndodhë kurrë. Veç kësaj i pandehur po në vitin 1977, duke mos pasur besim në fuqinë mbrojtëse të vendit tonë, masat që merr partia dhe shteti në ndërtimin e qendrave të zjarrit, është shprehur: “Këto qendra zjarri që ndërtohen janë të kota, ato nuk bëjnë asnjë punë, vetëm se na lodhin neve për t’i ndërtuar, se në rast lufte ato do të bllokohen dhe nuk do të kemi mundësi që të futemi në to”. Bisedë e bërë me teknikun e ndërtimit Hysen Verçani, i cili ishe teknik për ndërtimin e qendrave të zjarrit për mbrojtjen e vendit nga ndonjë sulm i befasishëm nga jashtë vendit. Po kështu, po në vitin 1977 i pandehuri ka thënë që: “Po punojmë natë e ditë dhe nuk po ngopim barkun me bukë”… I pandehuri gjatë hetimit gjyqësor (me hetues Vexhi Muçmata), nuk e ka pranuar aktakuzën, ku është munduar të justifikojë bisedat e zhvilluara me dëshmitarët e akuzës, duke ju dhënë atyre ngjyra të tjera dhe me karakter ambicioz, nga dosja hetimore thuhet se, dëshmitarët e akuzës janë njerëz të ndershëm dhe nuk kanë asgjë personale me të pandehurin dhe nuk kanë asnjë interes për të rënduar pozitën e tij. Përkundrazi, vetë i pandehuri gjatë procesit hetimor që është pyetur më datën 14.06.1980 dhe 9.07.1980 ka pohuar se ai ka folur kundër pushtetit popullor, kundër sistemit kooperativist në ekonomi, kundër jetesës… Përfundimisht  trupi gjykues në bazë të nenit 149 e 150 të K. Pr. Penale vendosi të deklarojë fajtor të pandehurin Nebi Dosku për krimin e agjitacionit e propagandës kundër shtetit dhe në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal e dënon me 10 vjet heqje lirie, vuajtjen e dënimit t’i fillojë nga dita e arrestimit datë 22.05.1980. Si dënim plotësues, në aplikim të nenit 25 të Kodit Penal të pandehurit Nebi Dosku i hiqet e drejta e zgjedhjes për 5 pesë vjet kohë.

Po si vazhduan hetimet dhe kush i plotësoi dosjen e babait tuaj për në gjykatë?

Ka qenë hetues Vexhi Muçmata, i cili i thoshte babait që sido që të bësh ti do të dënohesh në daç pranoji fajet në daç jo, ti do të dënohesh me burg dhe është përcaktuar dhe masa e dënimit. Vazhdoi tre muaj hetuesia dhe torturat më në fund me gjithë dëshmitarë të sajuar dhe shpifës e dënuan babain me dhjetë vjet burg. Si fillim Vexhi Muçmata i thotë babait, që ti do të dënohesh 8 vjet, por më pas në gjyq e dënuar 10 vjet. Madje, babai nuk pranoi asgjë, prandaj ju tha në gjyq, ju vazhdoni më dënoni, sepse e keni fiksuar dhe nga tetë vjet ja shtuan ja bënë dhjetë vjet heqje lirie.

Ku e kreu burgun babai juaj?

Menjëherë sa u dha vendimi babai u dërgua në burgun famëkeq të Spaçit, ku ishte bashkë me shumë të përndjekur të tjerë si: Bedri Blloshmi, Besim Albrahimi, Hazi Kullolli, Muharrem Albrahimi, Gani Skura  dhe shumë politikanë. Madje, Sigurimi arrinte të ndante dhe familjet pasi ju fusnin burrat në burg i ndanin gratë.

Po gjatë kohës që babai ishte në burg, ju e takonit dhe a ndiqeshe nga Sigurimi i Shtetit?

Ishte shumë larg, në Spaç, por me shumë vuajtje dhe peripeci shkoja atje. Ishte shumë larg, leje nuk na jepnin, madje, në çdo ditë kishim njerëzit e sigurimit prapa, por shyqyr që u prish sistemi se do të kishim hyrë në burg, sepse ata të piketonin dhe as nuk kishe nga të shpëtoje. Kërkoja të shkoja në aksion në ndërtimin e hekurudhës, nuk më merrnin, me thoshin je kulak. Unë kërkoja punëtor me lopatë. Por absolutisht jo. Ndërkohë që, neve nuk na afrohej asnjë, madje dhe në vdekje vetëm shumë pak njerëz na vinin. Madje, unë mbaja mend dhe rastin e Drita Çomos, ku unë isha ushtar xhenioje në Cërrik bashkë me Petrit Çomon, me djalin e Lirie Belishovës, në vitin 1976 i vdiq e motra e varrosi vetëm komunalja, një ngjarje që nuk më hiqet nga sytë dhe nga kujtimi.

 Të dënuarit e familjes Dosku

Po në fillim ka qenë gjyshi që vdiq në burg, më pas u dënua babai me 10 vjet burg. Gjyshi deri në vitin 1953 punoi tek uzina e Cërrikut, madje nga aty u arratis dhe e dërguan në burgun e Gjirokastrës, më vonë u lirua bëri 8 vjet burg dhe më pas ishte burgosja e vitit 1980. Ndërkohë që, bie në burg xhaxhai tjetër Ferit Dosku, ku u dënua 6 vjet burg, e liruan më pas e arrestuan përsëri, ku e mbajtën 24 muaj në burg dhe e liruan, sepse nuk mundën t’i formulojnë aktakuzë, e dërguan në internim në Borsh të Sarandës dhe në vitin 1964 u arratis nga Shqipëria. Iku në Amerikë, bashkë me Kadri Biçakun një bashkëfshatarin tonë në pranverën e vitit 1964.

Trupi gjykues

(Vexhi Muçmata – Hetues)

Nevrije Fista – Gjyqtar

Lytfi Gjilaska – Nd. Gjyqtar

Hazis Sina – Nd. Gjyqtar

Pavël Shuteriqi – Ndihmës Prokuror