Xhelal Isufi/ Ja si grabiten pronat e qytetarëve në Sarandë

667
E nderuara gazeta “Telegraf”. Nëpërmjet faqeve të gazetës suaj dua të denoncoj publikisht, grabitjen e pronës sime nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara nga hipoteka e Sarandës. Denoncimin e kam bërë edhe në organet e drejtësisë por prej një muaji nuk po marr përgjigje. Unë quhem Xhelal Isufi , banor i lagjes nr:1 në Sarandë dhe denoncoj Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Sarandës për falsifikim të dokumenteve duke më grabitur mua pasurinë dhe favorizuar qytetarin Sofokli Imeraj. Sipërfaqja e truallit të shtëpisë që kam blerë është me dokumente të rregullta dhe zë një hapësirë prej 275 metra katror, shtëpi dhe truall e blerë nga shtetasja Nafsika Llambraqi me aktin noterial nr. 607 rep. dhe 468 kol. Kontratën e shitblerjes e kam regjistruar në hipotekë të Sarandës me nr.12/171. Pa u futur në detaje të lodhshme për lexuesin, dua të denoncoj publikisht falsifikimin e bërë nga hipoteka e Sarandës mbi dokumentet e mia duke pakësuar sipërfaqen e truallit tim dhe duke ja kaluar shtetasit Sofokli Imeraj i cili ka ndërtuar një hotel në anën perëndimore të banesës sime. Hoteli është mbivendosur në truallin tim dhe ka zënë një sipërfaqe prej 27.5 metrash katror dhe ka dalë jashtë truallit të blerë në një sipërfaqe prej 90 metrash katror. Po cilat janë falsifikimet që dalin nga ballafaqimi i dokumenteve?
1- Nëse krahasojmë pronën time me hartën e dalë nga hipoteka më 2002, del konkluzioni se ka një mbivendosje në pronën time prej 40 metra katror nga të cilat 15 metra katror është e zënë me ndërtim dhe pjesa tjetër është e lirë. Në këtë dokument, të hartës së Sofokli Imeraj, ka një pikëpyetje që është shënuar nga punonjësi i hipotekës për të cilën nuk është vënë shpjegim se pse është vënë kjo pikëpyetje.
2- Të njëjtat të dhëna edhe përmasa tregon edhe harta hipotekore e dalë më 2006.
3- Në vërtetimin tim të pronësisë Sofokli Imeraj nuk figuron fare si kufizues me pronën time.
4- Nëse krahasohet harta e pronësisë sime me hartën e Sofokli Imeraj të dalë nga hipoteka më 06-12-2014 me regjistrues Ardiana Shehu, prona e Sofokli Imeraj mbivendoset në pronën time në një sipërfaqe prej 27.5 metrash katror nga e cila 15 metra katror me ndërtim..
5- Nga dokumentet e dala nga hipoteka më 2002 dhe 2006, prona e Sofokli Imeraj rezulton me një sipërfaqe prej 105 metrash katrorë dhe me një distancë prej 1.5 metrash nga shtëpia ime, ndërsa nga dokumenti i dalë në 2014 prona ka një distancë prej 2 metrash larg murit tim dhe një sipërfaqe të ndryshuar. Pra ka ndryshime me bazë falsifikimet në dëmin tim dhe favorizimin e Sofokli Imeraj nga ana e drejtuesve të sotëm të hipotekës së Sarandës. 
Këto falsifikime vërtetohen edhe nga vendimet e këshillit bashkiak, gent-planet dhe gjithë dokumentacioni deri tek leja e ndërtimit që bashkia nuk e ka, por hipoteka e ka (kjo si ka mundësi dhe kush ja dha lejen e ndërtimit këtij personi?). Por edhe këtu mund të them se në gent-plan bëhet fjalë për një sipërfaqe ndërtimore prej 60 metra katror dhe është falsifikuar për 80 metra katror, ndërsa numri i kateve nga dy është tjetërsuar në tre, pavarësisht se në arkivin e urbanistikës së bashkisë nuk ka leje ndërtimi. Pra të nderuar gazetar, del qartë nga i gjithë dokumentacioni , të cilin pjesërisht jua shkruaja për mos ta mërzitur lexuesin, del qartë falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga ana e hipotekës së Sarandës në favor të disa qytetarëve dhe grabitjen e pronës së të tjerëve.
Sigal