Xheladin Çelmeta: Pensionet e ushtarakëve dhe heshtja e ISSH

556
U bënë afro 6 vjet nga koha kur qeveria e mëparshme nxori aktin famëkeq normativ për pensionet e parakohshme të ushtarakëve dhe afro 4 vjet nga çasti kur ai filloi të aplikohej realisht në kurriz të tyre. Po ndërkohë, në këtë periudhë 6 vjeçare nuk ka reshtur për asnjë moment protesta e tyre ndaj qeverisë, e cila ende vazhdon ta mbajë në fuqi këtë akt rrënues për ta. Nuk ka shumë rëndësi forma e kësaj proteste. Nuk ka rëndësi në bëhet në rrugë apo në ndonjë shesh publik, etj. Rëndësi ka fakti, që kjo protestë është gjithnjë ekzistente, më së pari në media, pasi edhe logjika më e thjeshtë financiare, të thotë se kur në gjithë karrierën e tyre ushtarakët kanë depozituar në shtet kontribute financiare më të mëdha se disa kategori të tjera shoqërore (që gjithashtu, si ne ushtarakët në rezervë, sot trajtohen me pensione), ata kanë të drejtë të kenë një nivel të tillë trajtimi, që t’i përgjigjet këtij kontributi të derdhur në vite.

 Në gjithë këtë periudhë kohore, kur debati mediatik “komunitet ushtarakësh-qeveri” nuk ka pushuar asnjëherë, pavarësisht oshilacioneve, kam konstatuar edhe faktin tjetër; që Instituti i Sigurimeve Shoqërore, qëndron mënjanë, a thua se nuk është ky institucion leva kryesore që po zbaton një akt të tillë rrënues për mijëra ushtarakë në rezervë gjithë Shqipërinë. Dhe justifikimi, dihet. Ata thonë: “Ne zbatojmë vetëm ligjin, ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi tjetër (!!)”. Dua t’i them ISSh-së: Natyrisht, është krejt e arsyeshme që të mos mbash përgjegjësi për vetë aktin normativ, se atë e ka nxjerrë ekzekutivi, e jo ju si institucion, por ama për procedurat e zbatimit të tij nga ana juaj, ka një thes me mangësi. Duke ju referuar shtypit, kam konstatuar se janë me dhjetëra e dhjetëra artikuj kritikë nëpër gazeta të ndryshme, ku për hir të transparencës së zbatimit të ligjit, kërkohet deri edhe hetim ndaj ISSh-së. Dhe shteti asnjëherë nuk e ka marrë në konsideratë këtë kërkesë të ushtarakëve. Personalisht, mund të flas vetëm për veten time, kur ISSh, për gjatë 4 vjetëve më trajtoi gabimisht, për shkak se vetë ajo, nuk zbatoi korektësisht aktin normativ. 
Kthimi në debitorë
Unë sot, edhe pse jam një nga ata mijëra ushtarakë që kërkoj pezullimin e aktit normativ, përsëri, kam bindjen se për shkak të një mos-konsekuence të ISSh-së, jam kthyer në “debitor” dhe tani jam “duke u shlyer me shtetin tim”. Po, po, me logjikë ligjore unë po i kthej shtetit, lekët që nuk janë të mijat. Mu desh një korrespodencë intensive 3 vjeçare me ISSh-në rajonale dhe atë qendrore, që të bindesha me argumente se si është krijuar debia ime. Faji, natyrisht nuk ishte tek unë. Logjikisht, pyes veten: Po mirë, kush i tha ISSh-së, që të mos më llogariste pensionin tim që në fillim me “pagë mesatare mujore referuese neto”, por të ma llogariste me “bruto”? Përse më duhet të vuaj tani zhgënjimin e madh, duke u kthyer në debitor, pa qenë asnjëherë në jetë i tillë? E nga ky kontekst dal sërish tek pyetja e fillimit: Përse nuk flasin, përse nuk shpjegojnë specialistët e ISSh-së, se nga janë krijuar debitorët e mëdhenj mes rradhëve të ushtarakëve në rezervë? Se ja; u kuptua, që një kategori ushtarakësh qenkan ata si puna ime: Që dolën në rezervë në kohën që përkoi edhe me daljen e aktit normativ, por për arsye se “qenka bërë një gabim teknik”, se atëherë “nuk qenkan rakorduar mirë punët me QPR-në”, se atëherë “akti u zbatua (gabimisht) me pagën mesatare “bruto” dhe jo me “neto”(!!!), etj, etj. Po kategoritë e tjera të debitorëve ushtarakë, si u krijuan vallë? Kush do t’u japë përgjigje gjithë këtyre ankesave, që janë të drejtpërdrejta për ekspertët e ISSh, pavarësisht se disa prej tyre mund edhe të mos jenë të drejta? Përse paguhen gjithë ato specialistë që kanë detyrë të parë sqarimin e ankuesve? Ç’është gjithë ky fodullëk zyrtarësh? “Kush tha jo; a nuk e sheh përditë sportelin plot me ankues?”, do dalë e do thotë dikush nga këto zyra. Sigurisht, që kjo gjë ndodh përditë nëpër sportelet e ISSh-së rajonale në Tiranë. Po, po, ndodh përditë. 
Mjegullnaja me ushtarakët në rezervë
Por e vërteta është se i gjithë opinioni ynë, akoma nuk e ka marrë vesh, se çfarë ka ndodhur me ushtarakët në rezervë. Askush nuk është në gjendje të kuptojë se si mund të shpallesh debitor ndaj shtetit, kur gjithë kohën ke marrë pensionin që të takon nga sporteli, duke menduar se ata atje “lart”, ata në shtet, janë burra e gra me mend, që dinë të zbatojnë mirë dhe shpejt ligjet! “Ore, vërtetë, si ka ndodhur që shteti po ju mban paratë’ juve, ushtarakëve”, më pyeste gjithë sinqeritet një komshi i lagjes ku banoj. E çfarë mund t’i thoja? Që futa duart te kasafortat e ISSh-së dhe vodha ca para’? Apo se theva një bankomat te “Rruga e Kavajës”? Unë, me gjithë arsyetimet e mija, madje edhe “në krah të ISSH”, nuk mund dot ta bindja dot bashkë-komshiun tim. Madje, as me fabulën justifikuese të ISSh-së se “vonesa në grumbullimin e dokumentacioneve” solli gjithë këtë amulli të tmerrshme. Fakti është që për ushtarakët kjo rrëmujë është një fatkeqësi e vërtetë, pasi lidhet direkt me bukën e gojës të fëmijëve të tyre. ISSh duhet të dalë publikisht dhe të sqarojë. Fillimisht, të sqarojë se sa grupime debitorësh ka në mes të ushtarakëve. Sa grupime debitorësh janë krijuar nga “vonesat e përcjelljes së dokumentacioneve”; sa të tjerë nga procesi i “rillogaritjes”; dhe sa nga gabimet e specialistëve në zbatimin e formulës fillestare të aktit, etj, etj. Kjo, do të ishte një transparencë e nevojshme për gjithë publikun e gjerë. 

Është vërtetë e paimagjinueshme kjo që ndodh sot, kur sheh se si shpërblehen kategori shoqërore nga ato që jep përditë shtypi, dhe diskriminohen haptazi ushtarakët. Ushtarakët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një kategori elitare e shoqërisë shqiptare. Çudi, se si asnjë qeveri që nga 1990-ta, e deri më sot, nuk ka arritur dot “të gjejë” argumentin kyç që justifikon pensionet normale të ushtarakëve, si një “grup punonjësish” me uniformë, që ka punuar me orare pa limit në shtet, duke ju përgjigjur gjithmonë detyrave të mbrojtjes së Atdheut. Shkurt, gjithmonë ka punuar me tre turne, në 70 përqind të ditëve të vitit. Besoj se vetëm me kaq argument, mbarë njerëzia të bindej. E përsëris: Në 70 përqind të ditëve të vitit, ushtarakët kanë punuar me tre turne. Dhe kjo nuk është një përrallë, por një e vërtetë rrënqethëse, që deri tani, asnjë qeveri e pas vitit 1990-të, çuditërisht, nuk ka as dëshirën më të vogël që ta dëgjojë. 
Sigal