Xheladin Çelmeta/ Në Pajovë të Peqinit, zhduket pllaka përkujtimore e lapidarit të 11 dëshmorëve të luftës

606
Më njoftuan, se në natën e 31 dhjetorit 2015, individë destruktivë, kanë kryer një akt barabar e të turpshëm mbi një vepër nderimi të luftës nacional-çlirimtare që gjendet në Pajovë të Peqinit. Kjo vepër përkujton një ngjarje të madhe të historisë së Luftës nacional-Çlirimtare, shkruar me gjak të rënësh për lirinë e atdheut. Është dhunuar lapidari i dëshmorëve në Pajovë, kushtuar të rënëve në luftë. Njerëzit e natës, me mendjen dhe duart e tyre të zeza, kanë zhdukur nga ky lapidar pllakën përkujtimore me emrat dëshmorëve të luftës: Dalip Malja, Banush Sinani, Xhaxhi Liçi, Qamil Gjordumi, Sulejman Salla, Avni Shaba, Zyber Haka, Ramazan Saliu, Kamer Haka, Mesut Kulla, e Qerim Vrapi. Ata e kanë zhdukur krejtësisht pllakën përkujtimore. Habitem, se çfarë guximi kanë këta individë mendjeshkurtër e zemër katran, të cilët mendojnë se thyer e duke zhdukur lapidarët, pllakat përkujtimore emërtesat e rrugëve dhe bustet e heronjve e dëshmorëve të luftës çlirimtare shqiptare, mendojnë se do të zhdukin historinë e lavdishme te LANÇ, emrin dhe veprën e dëshmorëve të saj heroikë! Në sallat luksoze të hoteleve të Tiranës, dëgjojmë shpesh leksione “historianesh” të rinj, që mundohen të nxijnë historinë e lavdishme të LANÇ. Dhe nuk është çdui, kur dëgjojmë e konstatojmë, se falangat e se keqes, pa pikë turpi bëjnë masakra të tilla mbi simbolet e luftës çlirimtare të rënë e ngjarje, duke shkatërruar pllaka përkujtimore që përjetësojnë dëshmorët e LANÇ. E kjo ndodh aktualisht. Shteti, duhet te veprojë urgjent, për të çuar përpara drejtësisë dhunuesit e historisë së LANÇ. Sulejman Salla, Kryetar i Organizatës së Dëshmorëve të Peqinit, më njoftoi dje, se ka vënë në dijeni Këshillin Bashkiak të qytetit, komisariatin e Policisë së Peqinit, N/Prefektin e Peqinit, duke kërkuar prej tyre që shteti të gjejë kriminelët që kryejnë vepra të tilla e t’i dënoj sipas ligjit.
Reagime
Dalan Buxheli: Jo vetëm të mbrojmë, por edhe t’i mirëmbajmë monumentet e luftës
Ju, po më pyesni: A ka ardhur koha për të mirëmbajtur lapidarët dhe varrezat e dëshmorëve? Nuk është, se ka ardhur koha, por koha ka qenë që duhen mirëmbajtur. Ka një ligj të vitit 200, nr. 8607, datë. 27.44.2000 ku përcaktohen detyrat me ligj të pushtetit vendor për mirëmbajtjen dhe restaurimin e lapidarëve dhe varrezave të dëshmorëve si pjesë e historisë së kombit. Por as tashmë me ligj, as më parë se të vendosej ligji, organet e pushtetit vendor nuk janë vënë në lëvizje. Shumë riparime, shumë restaurime i kanë bërë Shoqata e Veteranëve të Luftës, Shoqata e invalidëve të luftës dhe njerëz të cilët janë familje dëshmorësh dhe kanë investuar për këto monumente kulture të dëmtuara mizorisht. Shteti e ka për detyrë të verë dorë, pasi duhet të zbatojë ligjet e veta. 
——————————-
Odise Porodini, Sekretar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës: Shkatërrimi dhe degradimi i simboleve të luftës, turp i shtetit
Nuk di se me çfarë gjuhe duhet folur për këtë problem kaq madhor. Lapidarët, varrezat e dëshmorëve, memorialët e luftës janë katandisur si mos më keq. Qeveria hesht, qeveria bën sehir dhe pse ka ligje për këtë. Ka filluar të lëvizë disi pushteti vendor, por është e papërfillshme lëvizja e tyre. Shteti, shteti është ai që duhet të lëviz. Më shumë se kushdo kanë bërë individë, të afërm të dëshmorëve të cilët kanë hequr nga familja e tyre për të rregulluar këto monumente. Shikon të gjithë parlamentarët që heshtin që nuk e ngrenë fare këtë problem. Pse? Sepse kanë hallet e tyre, jo të historisë që i lartëson si komb. Ne si Shoqatë do të bëjmë një Letër të hapur për këtë problem
Sigal