Xheladin Çelmeta/ Gegëhysen në Tropojë, kur prehen bashkë kreshnikë dhe dëshmorë

1089
Njëqindvjetori i rënies së 16 martirëve të Geghysenit dhe 70 vjetori i shkollës së parë të po kësaj zone, këtë herë është menduar nga organizatorët që të festohen bashkërisht në një ditë. Isa Brecani, kryetari organizatës së dëshmorëve, dega Tropojë dhe Gëzim Prengzi, nënkryetar i kësaj organizate, thanë se masat janë marrë të plota, falë bashkëpunimit efikas me bashkinë e Bajram Currit, drejtorinë arsimore të qarkut, si dhe organizatën e veteranëve të rrethit. Po ashtu, të pranishëm në ceremoni ishin edhe nga organizata e dëshmorëvë të UÇK-së të Kosovës. Vendi ku kanë rënë 16 dëshnorët e Geghysenit 100 vjet më parë dhe shkolla e këtij fshati, ndodhen rreth 4 kilometra mbi fshatin Bujan. Sapo kalon rrugën e Bujanit, në të djathtë të saj, nuk ka më asfalt, por vetëm “rrugë dhish”. Rreth 14 shoferë taksish, marrin guximin dhe ngjiten nëpër këtë rrëpirë mes pyjeve me gështenja, me njerëz brenda, që do ti çojnë për tek shkolla e Geghysenit ku ndodhet lapidari. Të habit fakti, që në kaq vite demokraci, për këtë rrugë, shteti nuk është kujtuar kurrë për ta ndërtuar sipas parametrave. Dhe aty shkollohen breza të tërë nxënësish… Të paktën t’i hidhej ndopak asfalt! Gjithsesi, ankthi përfundon pak minuta më vonë, tek “sheshi”, ku aq mrekullisht janë marrë masa për të festuar në mënyrë mbresëlënëse. Në fillim, kurora me lule tek lapidari i 16 të rënëve dhe më pas, vizita në mjediset e shkollës së Geghysenit, e cila ndër vite ka përgatitur “nxënës dhe luftëtarë për Shqipërinë”. Vallja dhe “tam-tamet” e forta të daulleve e tupaneve nuk pushon. Në ekspozetë e afishuara në muret e shkollës kalojnë me radhë, veteranë, pjestarë të familjeve të dëshmorëve, ish nxënës të kësaj shkolle, etj. Po ashtu mes të pranishmëve ishte edhe deputetja e PD, zonja Mimoza Hajdarmataj, si dhe kryetari i Bashkisë z. Besnik Dushaj, që gjithashtu përfaqëson të djathtën. Këtu, të majtë e të djathtë janë bashkë dhe sipas një banori, “gjithmonë kështu ndodh në aktivitete për dëshmorët dhe luftën”. 

Kënga “Oo, kce moj çike” dhe valltarja Bube Mici

E quajmë veten me fat që patëm rastin të takonim valltaren e famshme tropojane Bube Mici. Kush sjell ndërmend Ansamblin e famshëm shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore, nuk ka se si të mos kujtojë ritmin gjëmimtar të valles së kërsyer nga virtuozja Bube Mici. Rreth 35 vjet më parë, atëhere kur ky ansambël dha shfaqje dhe mori “Gjerdanin e Artë” në Dizhon të Francës, profesor Panajot Kanaçi, në intervistën që ka dhënë për një gazetë franceze të kohës, mes të tjerash ka thënë se “Bube Mici është valltarja që përfaqëson denjësisht vallet e gjithë trevës legjendare të Tropojës dhe të mbarë veriut të Shqipërisë. Edhe pse tani në pension, ajo erdhi në Geghysen dhe kërceu bashkë me nxënësit e nxënëset e shkollës së Geghysenit në ditën përkujtimore. Tingjut e këngës “Oo, kce moj çike”, nënkupton më së pari këtë valltare të jashtëzakonshme të Tropojës, e cila gjithë jetën e saj ja përkushtoi dhe vazhdon t’ja përkushtojë valles popullore. 

Akademi përkujtimore në “Dardania”

Mbresëlënëse ishte pjesa e dytë e ceremonisë kur në pallatin e kulturës “Dardania” të qytetit të Bajram Curri, u mbajt një “Akademi përkujtimore” për këto dy ngjarje me rëndësi historike, që flasin për qëndresën e paepur të shqiptarëve ndaj çdo okupatori. Pas fjalës së hapjes nga Gëzim Prengzi, nënkryetar i organizatës së dëshmorëve dega Tropojë, përshëndeti deputetja Mimoza Hajdarmataj, e cila foli për shpirtin e pamposhtur të shqiptarëve në shekuj në luftërat e tyre për liri e pavarësi. Po ashtu, fjalën e mori edhe kryetari i bashkisë së Bajram Currit, Besnik Dushaj. Ai vlerësoi angazhimin e veteranëve, të familjeve të dëshmorëve në përkujtimin e ngjarjeve të tilla me rëndësi kombëtare, si dhe vlerësoi kontributin e brezave të mësuesve të shkollës së Geghysenit në edukimin e nxënësve ndër vite. Ndërkaq, poeti Asllan Osmani dhe dy recituese, elektrizojnë skenën me recitimin e një poezie të Ndoc Paplekës, ku flitet për 16 dëshmorët e Geghysenit. 

Këtu prehen bashkë, kreshnikë dhe dëshmorë

Një rrugëtim në Tropojë, për një përkujtimore si kjo e Geghysenit, nuk ka se si të mos joshë gjithkënd edhe për një vizitë në Luginën e Valbonës. Bashkë me shkrimtarin Muhamed Kalaja, Selim Musajin dhe Shpend Bishevën udhëtuam drejt lapidarit ku ra “trim tribuni i vegjëlisë”, Bajram Curri. Itinerari bëhet edhe më i këndshëm nga rrëfimet e njohësit të thellë të folklorit, bashkëshoqëruesit tjetër Isa Brecani. Ja, “Klysyra”, fshati që kurrë nuk u bë me “shtatë shtëpi”. Thuhet se këtu janë “7 varret e Omerit”. Ajkuna, e qau “me ligjërime” Omerin dhe ndërkaq edhe mallkoi “kurrë mos këndoftë këtu qyqja e bilbili”. Çudi, që sot këtu, as në verë e as në dimmer, pylli nuk ka cicërima zogjsh. Më tej, ndërsa ecim nëpër luginë; majat e thepisura të Alpeve tona bëhen dhe më të egra. Sipas legjendës, këtu kanë kaluar Kreshnikët e Jutbinës, një rrugëtim që niste këtu dhe i çonte ata drejt Bosnjes, e gjitha një hapsirë gjeografike ku shtrihej dikur Iliria jonë. Mbërrijmë më në fund tek lapidari i “Heroit të popullit” Bajram Curri. Ai është ndërtuar poshtë në një shesh afër lumit Valbonë. Po të ishte ngritur atje ku ra Bacë Bajrami, lart në Shpellën e Dragobisë, do ishte e pamundur të vizitohej. Historia e heroit, dihet: Bajram Curri, u vra nga bashibozukët e Ahmet Zogut. Në shtëpinë e Shpend Bishevës, pasardhës i patriotit të madh Shpend Bali Bisheva, (pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë në 28 nëntor 1912), gjejmë një foto të rrallë, të panjohur të Bajram Currit. Ai paraqitet në momentin e vrasjes, i shtrirë. Plisi i bardhë në kokë, fasha e bardhë mbi pjesën e hundës, duart e mëdha të shtrira mbi trupin e tij të bëshëm, e bëjnë atë të ngjajë tamam me një kreshnik të maleve tona. ….Këtu, në Alpet e Shqipërisë, historia i përkund së bashku në në një djep; edhe legjendat, edhe kreshnikët edhe dëshmorët e Atdheut.
Sigal