Xheladin ҪELMETA: Prova të diskriminimit të trefishtë të ushtarakave

1799
Debati mediatik mes komunitetit të ushtarakëve dhe ekzekutivit shqiptar, nuk do kish ekzistuar, po të mos kish dalë akti normativ i korrikut 2009. Me këtë akt famëkeq, të pashembullt në historinë e Forcave të Armatosura shqiptare, ushtarakët në rezervë “të dalë me reformë”, u diskriminuan trefish: së pari ekonomikisht, dhe pastaj politikisht e moralisht. Dilemat që ka krijuar ky akt sot, (fatkeqësisht të pranuar nga shteti aktual si “ligj normal”) jo vetëm te ish ushtarakët, por edhe në rradhët e atyre aktivë, për shkak të pasigurisë që krijon në horizontin e jetës së tyre pas mbylljes së karrierës, duket se do jenë nga më të ndryshmet. Në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur, që një qeveri, përmes një VKM-jë, të “spostojë” një kategori të tërë sociale; nga gjendja e statusit të saj normal juridik ku ishte, në një shtresë “të re”, ekstra-të varfër dhe totalisht të diskriminuar, duke i hequr deri edhe mundësinë e mbijetesës. Po të “skanojmë” situatën e vendit në 2009-tën, dihet se ҫfarë ndodhte atëhere: Nga njera anë, ushtarakët e dalë me reformë, ktheheshin përmes një urdhëri-verbal politik, në “shtresë mëkatare”, që “duhet ndëshkuar me ҫdo kusht me varfëri ekstreme”, ndërsa në anën tjetër vijonte vjedhja me galop e fondeve publike, në stilin “Fullani”, “Ksera”, etj, etj. Dhe si të mos mjaftonte kjo, politika e kohës nuk kursente të shprehej me fjalorin më banal, duke i quajtur ushtarakët tanë; këtë shtresë të nderuar të kombit, herë si “kafsharë e dembelë, që veҫse kanë mbartur ujë me mushka”(!!), e herë si njerëz që, “s’paskan bërë gjë tjetër vetëm se…luftë me mullinjtë e erës(?!). O Zot, ҫfarë shpërfillje e përҫmimi! …Kam ҫfletuar historikun e parlamenteve të të gjitha regjimeve në historinë e Shqipërisë, nga 1912-ta e më pas, por një fjalor të tillë kaq të ulët për ushtrinë dhe ushtarakët e kombit shqiptar, nuk e kam hasur askund. E kjo, pra, ka ngjarë vetëm në këto dy raste, ku shprehjet kanë dalë nga goja e deputetëve të Parlamentit shqiptar të 2009-tës! 

Prapaskenat e pushtetit dhe politikës ndaj ushtarakëve
Pas flakjes në rrugë të ushtarakëve, kur ata “dolën me reformë”, dihet që shteti ynë nuk u interesua më për mundësinë e ripunësimit të tyre përmes projekteve rehabilituese, siҫ i kanë të tilla ushtritë e vendeve të NATO-s. Prej vitesh, askush në administratën e këtij shteti nuk u impenjua sadopak për të ditur se sa e mjerë është jetesa e tyre; me sa problematika delikate ndeshen; si, me fëmijë që duan të shkollohen, me ҫështjet të pazgjidhura të strehimit, apo… qoftë edhe për një formalitet statistikor për të ditur se sa nga pjestarët e familjeve të tyre i kanë të punësuar, etj. Jo, kjo gjë nuk ndodhi kurrë! Kurse, sa për rastet spontane, ato thjeshtë ishin përjashtim nga rregulli. Ish ushtarakët kurrë nuk u bënë pjesë e tryezave parlamentare, ku bëheshin projektligje, që lidheshin me jetën dhe të ardhmen e tyre. Ja, kështu ka ngjarë që nga viti 1990, e në vazhdim. Nuk është moment për të bërë “qaramanin”, por duhet thënë e vërteta ashtu siҫ është: Ky është një diskriminim i vërtetë për ta. Ish ushtarakët nuk u ftuan asnjëherë në diskutime, përpara se draftet apo projektet me aktet përkatëse ligjore e nënligjore të ktheheshin në formulë ekzekutive për pensionet e tyre. Politikanët dhe pushtetarët tanë, preferuan prapaskenat, dhe jo transparencën për gjërat më jetike të ushtarakëve, ku kuptohet, pensioni i parakohshëm ishte dhe është “Thembra e Akilit” për ta, pasi i prek pikërisht në mbijetesën e tyre. Askush nuk e di, se në ҫ’zyrë, në ҫ’ministri, në ҫ’thashethemnajë koridori u sajua formulua satanike e aktit normativ. Askush nuk ka dhënë dhe nuk jep spjegime se përse nuk u ftuan si “palë interesi” ushtarakët e dalë me reformë. Me kë u bënë diskutimet për këtë akt? Ku ishte transparenca, kërkesa më elementare e funksionimit të demokracisë? Përse nuk e denoncon këtë masakër në pensione, pushteti aktual? Askush nuk jep përgjigje për këto pyetje. Ushtarakët nuk e kundërshtojnë aktin normativ, thjeshtë dhe vetëm se është në kundërshtim me Statusin e tyre të ’91-shit (të miratuar me shumicë absolute në Parlamentin e kohës nga të dyja partitë kryesore; PD e PS), por mbi të gjitha; se ai nuk merr parasysh të vërtetën e shërbimit ushtarak në strukturat e gatishmërisë të ushtrisë shqiptare të para vitit 1990. Të tilla siҫ ishin; artileria kundërajrore e shtrirë cep më cep të Shqipërisë, ajo bregdetare, tanket, etj, etj. Sot, 90% të ushtarakëve që janë me pensione të parakohshme, janë pikërisht nga këto struktura gatishmërie të kohës së Luftës së Ftohtë. Shkurt, pothuajse e gjithë grupmosha e ushtarakëve, të diplomuar në harkun kohor 1980-1990, janë sot me pensione të parakohshme të trajtuar me akt normativ; pensione mjerane, që nuk arrijnë dot as të shlyejnë faturat e dritave dhe të ujit. Kurse pjesa tjetër e ish ushtarakëve, dihet që kanë kaluar në pensione pleqërie, dhe që sipas skemës së pensioneve, dihet që ky moment e përmirëson disi situatën ekonomike të tyre. Ndaj dhe kjo kategori që ka mbyllur fazën e trajtimit me pension të parakohshëm, duket se nuk gjen sot arësye të dukshme për ankim. Ushtarakët e dalë me reformë, ankohen në të drejtën e tyre, pasi shohin qartë se në raport me shtresat e tjera sociale, janë realisht më të diskriminuarit. Janë ata që kanë derdhur më shumë kontribute dikur, dhe sot shteti iu kthen këtë nivel kontributi. Dhe me të drejtë pyesin; pse minatorëve iu dëgjua zëri dhe ju zbrit mosha e pensionit në 55 vjeҫ?

Strasburgu dhe vizita e (pa)qartë e zotit Jakobs
Gati një vit më parë, presidenti i nderuar i EUROMIL, z. Emanuel Jakobs në vizitën e tij në Shqipëri, pati dhe një kontakt me drejtuesit kryesorë dhe ish ushtarakët e Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë (AKUSh). Përshkrimi që presidenti i AKUSh, z. Kujtim Ҫako i bëri situatës mjerane të pensioneve të parakohshme të ushtarakëve shqiptarë, qe mbresëlënës dhe i qartë. Nuk mund të harroj asnjë detaj të atij takimi, se isha vetë pjesëmarrës aty. Mes të tjerash z. Jakobs tha se “duhet ta harroni opsionin e shqyrtimit të ҫështjes tuaj në Gjykatën e Strasburgut, se mundsia është “një për 100 mijë raste(!!)”. Sipas tij, kjo ndodh, jo ngaqë “dosja e ushtarakëve shqiptarë” nuk ka vajtur në Strasburg; por se ajo… ende nuk është marrë në dorëzim nga kjo gjykatë. Shkurt “ende nuk dihet se në ҫ’sirtar të “paradhomës” së kësaj gjykate ndodhet(!). Ҫudi e madhe vërtetë: Ku fle’ dosja e ushtarakëve shqiptarë? Ne qenkemi vetëgënjyer për më shumë se 5 vjet për këtë opsion fals. Dhe bëjmë krahasimin logjik: Si është e mundur që dosjet e ish pronarëve në Strasburg të jenë shqyrtuar e rishqytuar, disa herë dhe me rezultat të plotë dhe ata sot po marrin këstet e 4-ta e të 5-ta?. Z. Jakobs tha edhe një të vërtetë tjetër të hidhur, për mua, shqetësuese: “Unë, tha ai, nuk mund ta di se kush e ka përcjellë dosjen e ushtarakëve shqiptarë në Strasburg, ndoshta mund të ketë qenë ndonjë person zyrtar i shtetit, që përgjithësisht persona të tillë nuk janë të i interesuar që kjo ҫështje të zgjidhet(!)”. Përfundimisht rekomandimi i tij ishte pa ekuivok: “Mos synoni Strasburgun, se nuk do arrini kurrë ta mbroni kauzën tuaj, por protestoni pranë gjykatave tuaja…”. Nuk e di, po vërtetë, sikur po na hapet një dritë jeshile. Jam i prirur të stimuloj brenda vetes besimin, se meqë kemi përpara “reformën në drejtësi”, le të shpresojmë se edhe ky problem do të mund të zgjidhet. Është e tmershme që një shtresë që i ka dhënë kaq shumë Atdheut të vet, të qëndrojë nën efektin rraskapitës të aktit normativ, jo pak, por mbi 10 a 15 vjet. Në kulmin e nevojave jetike. Duke pritur pensionin e pleqërisë; si “në pritje të Godosë”. 

Sekret i “ngurosur” brenda aktit normativ
Ushtarakët mendojnë se po nuk arritën dot të riaktivizojnë efektet e Statusit të Ushtarakut ‘91, ata do të ndjekin një rrugë tjetër: Do të protestojnë fort për të modifikuar formulën aktuale të aktit normativ. Këto ditë kam takuar mjaft ushtarakë të moshës time, që me fakte kokëforta, kanë nxjerrë në dritë një dëshmi ulëritëse: Regjimi i “gatishmërisë nr. 2”, para vitit 1990, ku “u regjën” edhe kockat e tyre në shërbimet e gjata 24 orëshe në më shumë se një dekadë. Kjo, sidomos nga viti 1980-1990 kur acarimi i Luftës së Ftohtë ishte në kulmin e vet. Specialistët e financave ngurojnë ta pranojnë këtë fakt, pasi ndjejnë se kështu do të hapet “Kutia e Pandorës”. Por faktet janë fakte; e shkruar e zeza mbi të bardhë: Ky regjim gatishmërie, që mbahej në repartet kundërajrore, bregdetare, tankiste, etj, faktohet sot në arkivat e Ushtrisë, ku disponohen “Librat e ndërrimit të shërbimit 24 orësh”. Ky libër ndodhej në ҫdo repart e nënrepart. Sot ruhen në arkivat e FA. Pse duhet të mbyllim sytë, xhanëm? Unë dhe kolegët e mi, sot me pensione të parakohshme qesharake, bëhemi mbi 10 mijë veta, që i përkasim armatës së madhe të oficerëve të trupës; nëntogerë e togerë, komandantë togash, kompanish e baterish kundërajrore, që kemi qëndruar në shërbime 24 orëshe, përgjatë ҫdo muaji të vitit, në mbi 10 vjet rresht. I thonë një dekadë. E kemi vuajtur në kurriz këtë gjë. Shërbyem shumë larg familjeve tona; në Steblevë, Has, Zogaj, Moravë, Malësi e Madhe e në të gjithë lartësitë e Shqipërisë së Mesme; kudo, kudo. Dhe sot jemi me një pension të parakohshëm mjeran. Krejt të pamerituar. Zhbirojmë akoma më thellë faktin: Nëse një vit ka 365 ditë, vetëm 12 ditë ushtarakët e këtij regjimi gatishmërie, kanë patur pushim. Ҫudi; si e paskan harruar kaq shpejt shtetarët e këtij vendi, faktin që ushtarakët para vitit 1990 kurrë nuk e kanë patur luksin e punës me orar “8 orësh”, si gjithë profesionet e tjera? Pra, bëhet fjalë për një punë të stërmundimshme. Ky është fakt. Jo vetëm ekspertët, por edhe njerëzit më të zakonshëm, që dinë pak shumëzim e pjestim, e kuptojnë që, nisur nga kjo logjikë reale, termi “vite shërbimi” në formulëën e aktit normativ “1,5% x VSh(vite shërbimi)x PMN”, duhet llogaritur ndryshe nga deri më tani. Një shembull; nëse një ushtarak i kësaj kategorie të strukturës së para vitit 1990, në kohën që del në pension të parakohshëm me 22 vite shërbimi, në fakt 10 vite nga këto duhen shumëzuar me 3 (se ishin 3 turne pandërprerë). Dhe do kemi, një llogaritje; jo më me 22 “vite shërbimi”, por: 10 vite x 3 (regjimi i punës 24 orësh), baraz me 30 “vite shërbimi” plus 12 vite të tjera (të pas vitit 1990). Dhe shuma do ishte: 42 “vite shërbimi”. Vetëm kështu merr vlerë reale akti normativ, nëse duam ta bëjmë atë të arësyeshëm, logjik e human, ashtu sikurse duhet të jenë në fakt ligjet e vërteta. Se kështu siҫ është formulimi I pensionit të parakohshëm, ai ka vetëm një emër: akt i skllavërimit të ushtarakëve. Ndaj dhe zëri i dy shoqatave kryesore të ushtarakëve; AKUSh dhe ShKURSh, por dhe i shoqatave të tjera të tyre, për këtë padrejtësi që po iu bëhet, nuk do shuhet. 
Sigal