Xhamia e Namazgjasë, PD: Rama gënjen, ska marrëveshje për truallin

490
Sigal

Partia Demokratike ka akuzuar kryemministrin Edi Rama se po thellon mashtrimin në lidhje me xhaminë e Namazgjasë. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka në një deklaratë për mediat tha se Raman ë shkelje të ligjit dhe në pabesi të plotë kërkon t’i heqë të drejtën e gëzimit të pronës familjes Kruja e cila zotëron një pjesë të mirë të truallit.
 
“Nga muaji korrik, qeveria ka ndërprerë bisedimet me këtë familje përsa i përket shpronësimit. Dhe tinëzisht, Edi Rama ka ndërsyer strukturat e tij, për të atakuar të drejtën e pronësisë së familjes Kruja mbi këtë tokë, një e drejtë e fitituar sipas ligjit e Kushtetutës në vitin 1994. Të gjitha këto lëvizje Edi Rama po i bën në prapaskenë, duke injoruar faktin se familja Kruja është duke ndjekur një proces gjyqësor, ku ka kërkuar hedhjen poshte të aktit të Kryeministrit, i cili anulloi lejen për zhvillimin e përbashkët të truallit mes Komunitetit Musliman e familjes Kruja, një zgjidhje që u arrit me përpjekjen të gjithë palëve, kryesisht Komunitetit Mysliman dhe pronarëve të truallit privat”, theksoi deputeti demokrat.
 
Paloka tha se kryeministri Rama gënjen kur thotë se arritur marrëveshje me familjen Kruja për shpronësimin.

“Asnjë marrëveshje nuk është arritur, dhe nuk mund të arrihet marrëveshje me dikë kur e sulmon pas shpine dhe tenton ti heqësh të drejtën e pronësisë.Kjo është një përpjekje e mbrapshtë e Edi Ramës në kundërshtim me ligjet e vendit, me moralin dhe rregullin, sigurisht haptazi e papajtueshme me etikën e Komunitetit Musliman përsa i përket shenjtërisë së pronës private. Edi Rama po luan një lojë të rrezikshme duke manipuluar me një propagandë mashtruese, dhe në këtë vorbull intrigash po përpiqet të përfshijë edhe Komunitetin Musliman”, theksoi Paloka.