Xhamia dhe shkolla duhet t’i shërbejnë edukimit, mëshirës dhe dashurisë për njëri tjetrin

1348
Flet drejtori i përgjithshëm i shoqatës “RAHMA”, Maulana Khalil Patel: Gjithçka që bëjmë në Shqipëri ka si qëllim të ndihmojmë njerëzit në nevojë, të sëmurët, pasi ky është edhe mësimi i Allahut
Xhamia dhe shkolla duhet t’i shërbejnë edukimit, mëshirës dhe dashurisë për njëri tjetrin. Profeti Muhamed është shembulli më i mirë 
Ditën e premte në qytetin e Elbasanit u inaugurua xhamia e re, investim shoqatës “RAHMA” me qendër në Angli. Pjesëmarrës të shumtë në këtë ceremoni vlerësuan investimin dhe mbështetjen që shoqata “RAHMA” , Drejtorit të Përgjithshëm të saj Maulana Khalil Patel dhe Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë, Xhemali Duka. Në këtë ceremoni u vlerësua puna e pushtetit lokal në mbështetjen dhe pajisjen me dokumentacionin ligjor dhe teknikë si dhe shoqatës e cila bëri investimin e plot të saj. Nuk munguan veç përfaqësuesve lokalë, familjarëve që kanë marrë ndihma, nxënës, prindër, besimtare dhe Nën/Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Delegacioni i shoqatës “RAHMA” kishte në përbërje rreth 45 pjesëmarrës nga të gjitha vendet e botës, si Anglia, Australia, Afrika e Jugut, Indonezia, Gjermania, Bota Arabe,Turqia, Kosova, Maqedonia etj.
Kjo shoqatë trajton rreth 400 jetimë në qarkun e Elbasanit me 25 euro në muaj. Veç kësaj ndihme jetimëve u jepet edhe paketa ushqimore për gra e vajza të dhunuara, të sëmura, paraplegjikë e tetraplegjikë, romë dhe familje të tjera të varfra.
 400 jetimë në qarkun e Elbasanit me 25 euro në muaj. 
 Janë ndërtuar 196 puse uji
 7 shkolla, të cilat i janë dhuruar Ministrisë së Arsimit,
 13 shtëpi për të pastrehët,
 26 xhami
 Ndihma me paketa ushqimore për të varfrit dhe në rast festash
1-Çfarë përfaqëson kjo shoqatë për ju?
Shkurtimisht qëllimi i kësaj shoqate është të ndihmojë njerëzit në nevojë në Shqipëri dhe Ballkan.
2-Zoti Khalil Ju jeni përgjegjës për Shqipërinë, Ballkanin, cila është pozita juaj dhe deri ku është shtrirja juaj gjeografike e “Rahma Merci-t”?

Jam drejtori gjeneral i kësaj Shoqate. Në Shqipëri, Kosovë, Preshevë, Maqedoni,dhe në Palestinë, por 90% të aktivitetit të saj e shtrin në Ballkan dhe 10% në Palestinë. Pasi “Komisioni i Shoqatave”në Angli ka thënë që fokusimi më i madh të jetë në Ballkan.
3- Zoti Khalil përse preferuat të operonit me shoqatën tuaj më së shumti në zonat shqipfolëse dhe trevave shqiptare?
Arsyeja është sepse në vitin 1999 kur ndodhi lufta Serbi-Kosovë unë e dëgjova në lajme që shumë kosovarë erdhën refugjatë në Shqipëri dhe ne erdhëm që të mund t’i ndihmonim sadopak me ushqime popullsinë që tashmë kishte mbërritur si refugjatë në Shqipëri. Qëllimi ishte që ne kur u nisëm me makinat tona të vinim t’i ndihmonim vetëm një herë. Ne ndenjëm 10 ditë në Shqipëri duke ndihmuar kosovarët dhe ditën e 10-të kur do të ktheheshim në Angli më kujtohet, se fshatrat e Elbasanit që ishin mbushur me refugjatë kosovarë erdhën dhe na thanë: “Ku po shkoni?!” Ne ju përgjigjëm, se do të ktheheshim në Angli. Ata përsëri na thanë, pse po na lini? Ju na ndihmuat dhe ne jemi tanimë familja juaj? Nëse ju na lini, kush do të kujdeset për ne? Dhe në atë moment ata të gjithë filluan të qanin. 
Pasi dëgjova këto fjalë u preka jashtë mase dhe në zemrën time ndjeva që duhet te kthehesha prapë në Shqipëri për ti ndihmuar përsëri. Allahu e pranoi lutjen dhe qëllimin tonë të mirë e të pastër dhe kjo na bëri që ta duam Shqipërinë dhe popullin e saj. Jeni një popull shumë i dashur, i mirë, një popull trim, bujar, dashamirës, e tashmë u bënë më shumë së 19 vite këtu në Shqipëri. Ky është qëllimi që ne sot jemi këtu.
4- A fshihet ndonjë qëllim pas ndihmave? Pra, jeni bazuar vetëm tek ndihmat apo edhe tek investimet për të krijuar një lloj kultivimi mes kulturës, traditave, mirësisë, zhvillimit, shkencës, nëpërmjet investimeve të veprave të artit dhe investimeve të tjera?
-Qëllimi ynë i parë është edukimi, si të hapim shumë shkolla, xhamia, të bëhen shumë kurbane, paketa ushqimore që të ndihmojnë jetimët, të varfëritë dhe njerëzit në nevojë. Të hapen sa më shumë puse që të ketë ujë të pijshëm dhe të ndihmojmë këdo me aq sa mundemi. Ky është qëllimi ynë kryesor.
–Ne dje ishim në inaugurimin e xhamisë më të re që sapo u inaugurua në qendër të qytetit të Elbasanit, dhe sigurisht që, jo vetëm nga ana e jashtme, ku Elbasani është një vend shumë i rëndësishëm dhe i spikatur, ku kalon pothuajse gjysma e Shqipërisë dhe bie mjaft në sy, pasi nga një tokë e lënë mbas dore aty është ngritur një xhami, por kjo s’është xhamia e vetme, sepse aty janë ngritur dhe shumë xhami të tjera.
5 – Ditën e premte u inaugurua xhamia në qendër të qytetit. Duke qenë që ka dhe një lloj politike që është disi e kontrollueshme për sa i përket asaj çka flitet, cili është qëllimi juaj për ngritjen e kësaj xhamie apo edhe xhamive të tjera si objekte kulti ?
-Arsyeja e ndërtimit të xhamisë është se xhamia është shtëpia e Allahut në tokë. Në xhami zbret mëshira e Allahut, paqja, bekimi, suksesi, rehatia, largohen fatkeqësitë. Kur ndërtohet xhamia zbret zëri i Allahut, kur falen njerëzit dhe përkujtojnë Allahun, zbret rahmeti, mëshira, paqja, largohen fatkeqësitë, problemet që mund të kenë njerëzit, vrasjet, vetëvrasjet, krimet. Kjo është pra bejtullah që zbret mëshira e Allahut në atë qytet në atë fshat. Kur kujtohet Allahu largohen shumë fatkeqësi në atë vend. Shembulli më i mirë për ne është Muhamedi profeti ynë i dashur, i cili ai ndërtoi xhaminë, në xhami nuk dëgjohet vetëm Allahu Ekber dhe shkohet për me u fal. Jo, në xhami vinte jetimi që kishte nevojë, nevojtari që kishte shqetësime, halle, probleme. Xhamia ishte dhe shkollë edukimi që mësohej gjuha, por jo vetëm. Gjithçka mësohej në xhami edhe shkenca, se më pas dolën universitetet. Xhamia është për gjithçka, ndihmon jetimët, hallexhinjtë, problemet, shqetësimet, edhe sëmundjet shpirtërore i shëron xhamia. Pra kush është sëmurë me epilepsi shkon në xhami dhe gjen tjetër botë, rehatohesh, gjen botën e shpirtit.
6- Veç xhamive, ju keni investuar edhe në objekte të tjera të arsimit shkollor dhe parashkollor. A ka ndonjë strategji në vetvete, se kujt do i shërbejnë. Do jenë shkolla dhe vende dijesh apo do kenë dhe ngarkesa fetare apo edhe laike. A ka shoqata juaj ndonjë pikësynim në të gjithë objektivin e vet ?
Ne kemi ndërtuar shumë shkolla dhe shumicën e tyre shoqata jonë, jo vetëm që i ka ndërtuar nga e para dhe të tjera të riparuara, por në fund të investimit këto shkolla u janë bërë dhuratë Ministrisë së Arsimit dhe drejtorive arsimore, si në Elbasan, Librazhd etj. Ne kemi ngritur edhe shkolla si në rastin e kompleksit dhe një e tillë është “Rahma Akademi” dhe këtë e kemi ne nën kontroll dhe është në administrimin e shoqatës dhe kreut të saj në Elbasan.
7- A keni ndonjë ide për të zgjeruar sistemin arsimor, i cili është primar, pasi dihet që këto kushtojnë dhe shteti ynë ka nevojë për këto investime? Po për fëmijët jetimë, ata pa shtëpi, dhe për të moshuarit e braktisur (azil)?
-Populli shqiptar meriton të bëhen shumë gjëra për të. Ne gjithashtu kemi ndërtuar dhe 12 shtëpi për njerëzit në nevojë, për jetimët më shumë. Pasi ndërtuam disa shtëpi, pamë që kërkesat ishin dhe janë të shumta, por e gjitha kjo varet nga buxheti, pasi ne buxhetin e mbledhim nga njerëzit, nga zejkati myslimanëve, nëse është mundësia kemi dëshirë të ndërtojmë shumë më shumë shtëpia, por duhet të kontrollojmë buxhetin. Dëshira jonë është e madhe, duam të ndërtojmë dhe një azil për të moshuarit gjithashtu, një klinikë, një ambulancë, një qendër okulistike, një klinikë dentare. Ne duam t’i ndihmojmë njerëzit në mënyra të ndryshme, në edukimin shpirtëror, atë material dhe shëndetësor dhe shpresojmë që do të mund t’ia arrijmë, me ndihmën e Zotit, mbështetjes lokale dhe njerëzve të mirë.
8- Si u është dukur partneriteti me pjesën shqiptare gjatë aktiviteteve dhe takimeve që keni bërë? Çfarë mendoni për partnerin tuaj në Shqipëri, zotin Xhemali Duka ?
Xhemali është partneri dhe vëllai im. Në realitet, nuk kam një vëlla, por edhe nëse do kisha do i besoja xhematit më shumë. Kur punojmë se bashku çdo gjë është transparente dhe askush nuk na drejtohet dot të thotë ,që unë ose Xhemali po hapim probleme financiare. Transparenca është primare në aktivitetin e shoqatave dhe ne jemi jo 100%, por 110% të qartë dhe gjithçka me llogari bankare. 
9-Për rreth dy muaj Xhemali ka qenë shumë i preokupuar duke u marrë me mirëseardhjen tuaj në Shqipëri…
Xhemali punon këtu, stresohet këtu, ndërsa unë punoj në Angli. Punojmë të dy sepse është një rast shumë i veçantë.
10-A keni hasur në probleme, hyrje dalje të dokumentacioneve ligjore ose probleme teknike nga ana e pushtetit qendror, lokal, a keni mbështetje nga shteti shqiptar dhe çfarë mendoni se mund të bëhet më shumë?
Shqipëria dhe shteti shqiptar kanë qenë shumë të mirë me ne, sepse na kanë lënë të punojmë lirisht me njerëzit në nevojë, të ndërtojmë shkolla, xhami, sepse jemi shtetas britanikë. E vetmja ndihmë që na duhet nga shteti shqiptar është që kur vijmë në aeroport me shumë sende, stilolapsa, kapela dhurata për fëmijët të gjendet një mundësi brenda ligjit, pasi ne jemi shoqatë humanitare, dhe i kemi për t’ua dhuruar njerëzve në nevojë. Sepse në vendet e huaja shoqatat humanitare kanë hyrje dhe dalje të veçanta për shkak të statusit tonë. Na duhet të kalojmë shpejt, pa pengesa kur vijmë nga Anglia në Shqipëri. Më tej gjithçka është ok me shtetin shqiptar dhe i falënderojmë për kulturën dhe respektin e treguar.
11-Si ju duk ceremonia e inaugurimit të xhamisë, ku ishin të pranishëm figurat më të larta të Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe pushtetit lokal si kreu i Bashkisë, prefekturës, deputetë të parlamentit shqiptar, përfaqësues të tjerë lokalë, qytetarë dhe nxënës?
Ishte fantastike, vërtetë e bukur dhe u ndjeva i lumturuar, sepse i pashë të gjithë të bashkuar, djathtas majtas, deputetë, përfaqësuesit më të lartë lokalë, Zv/kryetari i KMSH, të myftinisë dhe gjithçka kaloi shumë bukur.
12 –Ju keni vizituar shumë zona dhe keni marrë shumë takime. Si ju duket Shqipëria? 
Shqipëria është shtëpia ime e dytë. 
13- Ka një projekt të dytë për Elbasanin, që ndoshta është edhe më madhor sesa këto investime të deritanishme….
Projekti i dytë që është edhe më i madh shumë pranë Elbasanit, do jetë një akademi më e mirë dhe më e madhe në vend. Do fillojë në shkurt 2018 dhe shpresojmë që në 2020 të përfundojë.
14-Sa do jetë pjesëmarrja, çfarë do jetë në aspektin e infrastrukturës, çfarë keni parashikuar, është shkollë, kopsht, arsim profesional?
Do jetë nga kopshti deri në gjimnaz dhe pastaj do kemi dhe akademinë, shkollën e lartë. Gjithashtu dëshirojmë që të bëjmë dhe kolegj islamik për vajza që do mirëpresë nxënës nga gjithë trevat shqiptare. 
15-Sa do jetë kapaciteti?
Për shkollën, do jetë 600 studentë. Dhe do të ketë nivelin më të lartë arsimor, duke bashkëpunuar dhe respektuar të gjitha rregullat dhe ligjet që ka përcaktuar shteti dhe ministria e arsimit, të cilës do t’i kërkojmë edhe mbështetjen e nevojshme të asistencës profesionale dhe ligjore.
16-A është menduar ndonjë lloj bashkëpunimi për studentët ekselentë të akademisë që të dërgohen jashtë vendit edhe për trajnim, mastera, doktoraturë?
Çdokush dëshiron që të shohë frytet e tij dhe ne kemi ndërmend që studentët ekselentë të shkollohen në Angli në Evropë. Ne nuk duam që studentët tanë të jenë të dytët, ata duhet të jenë të parët dhe më të mirët e të mirëve.
Prindërit mbeten mësuesit më të mirë dhe më të sinqertë në jetë
Edhe një fjalë të fundit. Suksesi ka shumë arsye. Nga ana ime të cilin dua tua përcjell të gjithëve është se, nëse duam sukses në jetën tonë të përditshme, na duhet bekimi i prindërve. Kur më duhet diçka unë shkoj tek prindërit dhe jam sot këtu ku jam prej tyre. Për çdo problem, hall, shqetësim unë them, o babai im, o nëna ime. Asgjë nuk është nga unë, është nga prindërit e mi dhe lutjet e tyre, që unë sot jam i suksesshëm. Kjo është shumë e rëndësishme, të duam, të kërkojmë, të besojmë tek prindërit tanë. Na duhet në radhë të parë respekt sa më shumë për prindërit, sepse duke respektuar ata respektojmë veten dhe të ardhmen. 
Sigal