Vritet në Siri 30-vjeçarja shqiptare

628
Sigal

Një grua nga Kosova ka vdekur në vatrat e luftës së Shtetit Islamik (IS) gjatë javës që lamë pas. Bëhet fjalë për Filloreta Kastratin rreth 30-vjeçe nga fshati Karaçevë i Komunës së Kamenicës. Burri i së ndjerës ka vdekur kohë më parë në zonat e luftës. Ndërkohë çifti ka lënë dy vajza, njëra pesë dhe tjetra tri vjeçe, në zonat e rrezikshme në Siri.

Familja e saj ka hapur dyert e mortit për të pritur njerëzit që i ngushëllojnë për vdekjen e vajzës së tyre, Filloreta Kastrati. Mësohet se trupi i Filloretës ka mbetur në zonat e luftës së Shtetit Islamik (IS), të cilit ajo i ishte bashkuar vite më pare, shkruan gazetaexpres.

Por si nisi e gjithë historia e Filloretës në Shtetin Islamik.

Ajo para disa viteve ishte martuar me një bashkëkombas të sajin nga po e njëjta komunë, për të vazhduar bashkë me të e familjen për në Shtetin Islamik (IS). Burri i saj vritet pas një kohe të qëndrimit atje.

Që nga ajo kohë, Filloreta, edhe pse ishte në zona të rrezikshme ku po zhvillohej luftë e ashpër, bashkë me dy fëmijët e saj, njërin 5 vjeç e tjetrin 3, vazhdimisht kishte arritur që ta kontaktonte familjen, prej të cilëve kërkonte ndihmë që të kthehej në Kosovë.
Ajo kishte patur kontakt me familjen deri një ditë para se të vritej.

Babai i saj Lulzimi ka treguar se lajmin për vdekjen e vajzës e ka marrë nga një grua tjetër, e cila gjendet në Shtetin Islamik. Ai thotë se ka pasur kontakt me vajzën e tij disa herë.
Ajo u tregonte se është mirë bashkë me dy fëmijët e saj dhe se vazhdimisht kishte kërkuar që të kthehej në Kosovë.

“Një natë para se të merrnim lajmin për vdekjen e saj ne kemi shkruajtur me të. ‘Babi janë rregullu senet, ishalla po na kthejnë’, na thoshte. Unë kam pasë shumë shpresa që ajo po kthehet, mirëpo që të nesërmen na lajmëruan”, tregon babai i së ndjerës.

Lulzimi, babai i Filloretës së ndjerë, i cili për 30 vjet ka ushtruar profesionin e mësimdhënësit, ka sqaruar se vajza e tij në momentin e vdekjes bashkë me dy fëmijët e saj, kishte qenë duke shkuar në një vend më të sigurtë të Shtetit Islamik.

“Për vdekjen e Filloretës më tregoi një shoqe e saj. E dimë se atë kanë pasë me e dërgu në një vend më të sigurtë. Dhe me gjasa ka qenë ofensiva e fundit atje edhe e ka rrokë këtë. Kur i ka vdekur burri, dëshira e saj ka qenë për me u kthy në Kosovë”, ka rrëfyer më tej ai.

Fëmijët e së ndjerës ende gjenden në Shtetin Islamik dhe momentalisht janë të sigurtë.
“Fëmijët kanë mbetë atje. I ka një familje tjetër. Ne po shpresojmë vetëm që fëmijët të kthehen. Ata janë në moshën 5 dhe tre vjeç”, shprehen familjarë të Filloretës së ndjerë.