Vrau gruan se nuk i hapi dritaren: Iu kërkoj falje fëmijëve, jeta ime s’ka kuptim, më mirë të vdes

713
Sigal

Krimi që tronditi Durrësin mbrëmjen e së premtes, ku bashkëshorti vrau nënën e gjashtë fëmijëve të tij, mund të ishte parandaluar nëse situata e tensionuar sistematike në familjen Shaholli do të ishte marrë më shumë me seriozitet nga Policia.

Familjarët e çiftit Shaholli shprehen se viktima Ardjana e kishte denoncuar disa herë bashkëshortin e saj për dhunën që ushtronte mbi të dhe fëmijët, por pasi qëndronte disa orë në Komisariat, Çlirim Shaholli lihej i lirë dhe vazhdonte avazin e vjetër. Sipas tyre, gruaja kishte bërë të pamundurën për të mbajtur të bashkuar familjen dhe rrinte me të shoqin vetëm për hir të fëmijëve, pasi ai e dhunonte vazhdimisht.

Çlirim Shaholli, bashkëshorti 42-vjeçar i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, mësohet të ketë pranuar krimin, ndërsa ka thënë në Polici se ai nuk ka dashur ta vrasë të shoqen, por pas një konflikti të momentit e ka shtyrë atë duke u përplasur. Koka i ka rënë nga pas në çimento dhe siç ai është shprehur para grupit të hetimit, e ka mësuar vdekjen e së shoqes vetëm pasi e kanë arrestuar. Burime të Policisë bënë të ditur se konflikti mes bashkëshortëve ka nisur pasi gruaja i ka kërkuar të shoqit të punonte. Ajo ishte e vetmja që punonte në një rrobaqepësi për të siguruar bukën e gjashtë fëmijëve të saj. Por me gjithë gjendjen e vështirë ekonomike e ndonëse ajo punonte në një ambient tërësisht me gra, sërish i shoqi xheloz debatonte me të duke i kërkuar që ta linte punën dhe të rrinte vetëm në shtëpi.

“Jam shumë i traumatizuar nga kjo që na ndodhi. Nuk kisha për qëllim të vrisja nënën e fëmijëve të mi. Patëm një sherr me bashkëshorten. Kur shkova në shtëpi, ajo më kërkoi që të dilja dhe të gjeja punë pasi nuk siguronim dot bukën e fëmijëve. Pas një sherri momenti e kam shtyrë dhe asaj i është përplasur koka përtokë… por nuk e dija që kishte vdekur. E dija vetëm që ishte plagosur. Pasi erdha në Polici, e mora vesh që Ardjana kishte ndërruar jetë. Nuk di çfarë të them. Unë jam përgjegjësi i vetëm i kësaj tragjedie. Kemi gjashtë fëmijë, kush do të m’i rrisë ata”, është shprehur në Polici i arrestuari për vrasjen e gruas së tij.

Ai ka deponuar në Polici se kishin pasur probleme dhe konflikte me njëri-tjetrin, por nuk kishte pasur për qëllim ta vriste gruan e tij.

“U zumë për gjëra të përgjithshme, ‘ku ishe’, ‘pse nuk erdhe më herët’, ‘dil dhe puno’. Unë e shtyva i pari, ajo më shtyu mua dhe këtu filloi gjithçka. Unë e shtyva me forcë dhe asaj iu përplas koka në dysheme. U dëmtua pas koke. E çuam në spital. Unë tani po e marr vesh që paska vdekur. Nuk di çfarë të them, na ngelën fëmijët mes katër rrugëve. Tani që mora vesh se ka vdekur, s’ka kuptim as jeta ime, më mirë të vdes edhe unë. Jemi familje shumë e varfër, kemi jetuar prej vitesh mes skamjes dhe fukarallëkut. Zoti ruajttë fëmijët e mi. Iu kërkoj falje gjashtë fëmijëve të mi që i lashë jetimë”,- mësohet të jetë shprehur mes të tjerash për hetuesit e Policisë Çlirim Shaholli, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Të afërm të familjes Shaholli përcollën mesditën e djeshme për në banesën e fundit nënën e 6 fëmijëve. Ngjarja ndodhi në banesën njëkatëshe të çiftit. Policia tha se viktima, Ardjana Shaholli, 40 vjeçe, mbërriti në spital në gjendje të rëndë dhe me dëmtime në kokë rreth orës 20:00 të së premtes.

Si pasojë e plagës së rëndë në kokë, nuk ka mundur të mbijetojë. Për ngjarjen, u ndalua nga Policia bashkëshorti i saj 42-vjeçar, Çlirim Shaholli. Ka qenë ky i fundit që ka dërguar në spital bashkëshorten. Në momentin e krimit fëmijët nuk ndodheshin në shtëpi, pasi kishin shkuar te gjyshërit. Familja Shaholli ishte me origjinë nga Korça e ishin vendosur prej disa vitesh në zonën e Spitallës në Durrës. Sipas të dhënave, djali i madh i tyre është 18 vjeç, pastaj vajza 17 vjeçe dhe fëmija i vogël vetëm 1 vjeç