VRASJA E TROCKIT

1590
Spiro Mëhilli
Trocki, duket se e parashikonte fundin e jetës së tij, prandaj në testamentin që la u shpreh si më poshtë:

“Cilat do qofshin shkaqet e vdekjes time, unë po vdes me besim të patundur për komunistin e të ardhmes, këtë njeri të virtytshëm, që me të ardhmen e tij më jep mua forcën, këmbënguljen për të vepruar, atë që asnjë besim fetar nuk mund të ma japë. Pas dritares unë mund të shikoj barin jeshil dhe baxhën e vaporit në kaltërsi dhe kudo ku ka ndriçim diellor. Jeta është e bukur. Ju që mund të jeni brezat e ardhshëm, do mund të çliroheni nga çdo e keqe, zgjedhë dhe dhunë”.

Sipas Fabio Giovaninit, dora e zezë e NKDV-së, që nuk arriti dot ta eliminonte Trockin në Evropë, tani do të kalonte oqeanin. Urdhri për vrasjen e tij u firmos nga Stalini, Voroshillovi, Molotovi dhe Orxhonikidze. Operacioni u vendos të drejtohej nga Ministri i NKDV-së, Lavrent Berja. Detyra në terren iu besua hebreut Naum Isakoviç Ejtingon, (Leonid Aleksandroviçi, shoku “Pavllo”, Tomi, Nahumovi, Pierri ose gjeneral Kotovi) funksionar i NKVD-së, i dërguar në Spanjë në vitin 1936 të punonte nën drejtimin e Orlovit me pseudonimin, gjenerali Kotov. Ejtingoni prej kohësh ishte miqësuar me ish-komunisten spanjolle me prejardhje aristokrate, Eustasia Maria Karidad del Rio Hernandes, e lindur në Santiago të Kubës. Ai dhe Maria kishin filluar raporte intime gjatë Luftës Civile në Spanjë. Specialisti Ejtingon i rekrutoi asaj të birin, Ramon Merkader del Rio, lindur në Barcelonë, që në vite do të njihej si Frank Xhekson, Madre, Zhak Mornar Vendendresh. Ramoni kishte studiuar në Sorbonë dhe pas vitit 1936 kishte shkuar vullnetar në Barcelonë dhe kishte arritur të merrte gradën e togerit të ushtrisë katalanase. Maria Karidad del Rio, pas ndarjes me të shoqin, së bashku me të birin, në vitin 1938, kishte shkuar në Moskë, ku fatmirësisht i kishte shpëtuar spastrimeve staliniste me ndërhyrjen e Pasionares. Në vitin 1938, Ejtingoni, i dërgoi në Paris nënë e bir si agjentë të GPU-së dhe filloi “Operacionin Trocki” që e drejtonte Sudoplatovi. Në Paris, në gusht të vitit 1938, rusja Silvia Agelof Masllova, me ndërhyrjen e Rubi Vel, u njoh me bukuroshin Ramon Merkader del Rio, që u prezantua si Zhak Mornar, student për gazetari në Sorbonë, ndërkohë që ajo merrej me përgatitjen e konferencës së Internacionales IV, që do të mbahej në shtëpinë e Alfredo dhe Margerit Rozmerëve. Më 3 shtator 1938 në qendrën e vogël Perigny pranë Parisit, zhvilloi punimet Kongresi i Internacionales IV me iniciativën e Trockit dhe pjesëmarrjen e 20 vetave, ku njëri prej tyre do të ishte Ramon Merkader del Rio, personi që do të mbështeste financiarisht kongresin. Pas punimeve të kongresit, Silvia Agelof u kthye në SHBA. Atë e ndoqi nga pas Ramon Merkader del Rio ose Zhak Mornari, tani me emrin Frank Xhekson, gjoja për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak në Belgjikë. Zhaku pasi u mirëinformua që Silvia kishte motër Ruth Agelof, dikur sekretare pranë Trockit, pa kaluar muaji, në Nju Jork, në tetor të vitit 1939, i tha Silvias se do të shkonte në Meksikë si përfaqësues i një firme import-eksporti. Trocki në atë kohë kishte shkuar në provincën e thellë të shtetit Idalgo. Në janar të vitit 1940 Silvia shkoi në Meksikë që të bashkohej me të dashurin dhe pas takimit ata u sistemuan në një shtëpi. Ai e çonte atë çdo ditë në rrugën “Vjena” me qëllim që jo vetëm të njihte me imtësi zonën, por më kryesorja, të arrinte të futej në rrethin e trockistëve dhe të bëhej i besuar i truprojës së Trockit, gjë që e arriti pasi u fejua zyrtarisht me Silvian. Tani çifti ishte i mirëpritur nga Trocki. Nga fundi i muajit mars të atij viti, para se Silvia të nisej për në Nju Jork,Trocki i tha asaj që t’ia sillte të fejuarin që të njihej me të. Ajo i kërkoi Frankut adresën, dhe ai i tha se banonte në Hotel “Ermita” në dhomën me numër 820. Kur Silvia dërgoi të motrën, Ruthin, për ta verifikuar, doli që në hotel “Ermita” jo vetëm që nuk ekzistonte asnjë dhomë me numër 820, por dhe as ndonjë person me emrin Xhekson. Situata ishte pjekur për eliminimin e Trockit. Operacioni tashmë i përgatitur në Lubjanka, iu besua ndihmësit kryesor të Berias, Pavël Sudoplatovit, i shërbimit sekret të NKVD-së dhe vartësit të tij Gaik Ovakimjan, rezident në konsullatën sovjetike në Nju Jork, që ta vinin në jetë planin e detajuar. Në mbështetje të tyre Leonid Ejtingon ose “Shoku Pavllo”, u nis urgjent në Meksikë duke marrë me vete Vitorio Kodovilën, një nga themeluesit e Partisë Komuniste të Argjentinës dhe Vitorio Vidalin, vrasës profesionist i ardhur nga Spanja. Ai, duke parashikuar të papriturat që mund t’u dilnin në terren, organizoi dy grupe të pavarur njëri nga tjetri. Më 23 maj duke gdhirë 24 maji i vitit 1940, Leonid Ejtingoni organizoi atentatin e parë kundër Lev Davidoviç Trockit, duke ia besuar piktorit të njohur meksikan, komunistit dhe mikut personal të Stalinit, David Alfaro Sigueiros, i cili ditën e atentatit, i veshur ushtarak me gradën major, së bashku me një grup prej 20 “policësh dhe ushtarësh” të ushtrisë meksikane, disa spanjollë dhe kubanezë, në ora 2 të mëngjesit, të shoqëruar nga 4 makina, ndaluan në qoshen ku kryqëzoheshin rrugët “Vjena” me “Morelos”, pothuaj para vilës së fortifikuar. Fillimisht, ata prenë linjat telefonike dhe më pas sulmuan ndërtesën me breshëri plumbash dhe në vijim hodhën disa granata. Rojat, të kapur në befasi, u tërhoqën. Rezistoi vetëm Harti, një nga rojet e brendshme të shtëpisë, që ishte amerikan me origjinë. Më pas, ata, të udhëhequr nga Josip Griguleviçi, u futën në vilë dhe në përleshje vranë një sekretar të Trockit. Si u bindën që ndërtesa ishte në duart e tyre, Segueiros dhe dy anëtarë të tjerë, me automatikë, u futën në dhomën e gjumit të Trockit, ku në mes të saj ndodhej krevati i mbuluar me një kuvertë të hollë dhe qëlluan me breshëri. Trocki dhe e shoqja arritën të hidheshin nga krevati në dysheme, të trembur nga të goditurat e forta. Trocki dhe nipi 10 vjeç morën plagë në këmbë. David Alfaro Sigueiros (piktor i njohur meksikan, anëtar i brigadave internacionaliste në Spanjë, anëtar i Partisë Komuniste Meksikane dhe një nga themeluesit e pikturës monumentale meksikane) dhe shokët e tij, të bindur se ia kishin arritur qëllimit, u larguan me dy makina, një “Ford” dhe një “Doxh” i ri, të cilin e drejtonte Robert Sheldon Harti. “Fordi” ngeci në baltë, kurse “Doxhi” vazhdoi udhën për tek vendi i takimit. Sigueiros u detyrua që të ndalonte në një restorant për të takuar piktorët Anatoli Puhol dhe Luis Arenal. Shefi i përgjithshëm i policisë së Meksikës, gjeneral Nuries shkoi në vendngjarje i shoqëruar nga koloneli Leonardo Sançes Salazar, shefi i policisë së fshehtë meksikane dhe takuan Trockin me të shoqen, Natali Ivanovna Sedovën. Me ta ishte dhe Seva, nipi 10 vjeç. Policia dyshonte se atentati ishte organizuar nga Diego Rivera me shokë, prandaj u detyruan t’i arrestonin, por më pas i liruan pasi nuk arritën të faktonin organizimin dhe pjesëmarrjen e tyre. Trocki nga ana e tij akuzoi liderin sindikalist meksikan Vinsent Lombardo Toledano dhe udhëheqësin e Partisë Komuniste Meksikane, që kishin hapur një fushatë të tërbuar kundër tij. Po ashtu ai u shpreh se që nga dhjetori i vitit 1939 ishte i sigurt se midis BS dhe Gjermanisë do të kishte një përplasje me armë, ashtu sikundër ishte shprehur para kohe dhe mbi pushtimin e Polonisë dhe të një pjese të Finlandës nga nga Bashkimi Sovjetik. Duke përfituar nga rasti, Partia Komuniste Meksikane kërkoi largimin e Trockit, duke e quajtur atentatin një provokim kundër Meksikës. Si atentator kryesor u përfol francezi me emrin Filip, që në të vërtetë ishte doktor Grigori Rubinoviç, përfaqësues i Kryqit të Kuq Sovjetik në Nju Jork. Në grupin e tij bënte pjesë emigranti spanjoll Karlos Kontreras me prejardhje ruso-italiane, që në Spanjë mbante emrin Eneas Sormenti, kurse në Meksikë, Vitorio Vidali. Karlo Kontrerasi nga ana e tij kishte nën urdhëra tre ushtarakë spanjollë, Martinesin, Alvaresin dhe Himensin. Kësaj katërsheje që shkuan të likuidonin Trockin, i bindej David Alfaro Sikejros dhe grupi i tij. Filipi merrte udhëzime nga shoku “Pavllo” që e thërrisnin dhe “Shoku Kotov” ose “gjeneral Leonov”, që sikundër e kemi thënë më lart, emrin e vërtetë e kishte Leonid Ejtingon. Deri në atë kohë, Ramon Merkaderi ishte një gur i thjeshtë në lojën që luhej. Detyra e tij ishte që të futej në shtëpinë e Trockit dhe të paraqiste planin e dhomave. Kur dështoi Sikejrosi, Merkaderi u bë figura kryesore. Ai u lidh me Silvia Agelofin dhe i tha që ishte shumë i shqetësuar për atentatin që iu bë Trockit, dhe se kishte dëshirë që ta takonte dhe t’i shprehte ngushëllimet e tij. Tek shtëpia e Trockit punonin kuzhinierja, shërbëtorja dhe kopshtari, që të tre meksikanë dhe Alfred Margaret Rozmeri, shkrimtar dhe gazetar, njëri nga themeluesit e Partisë Komuniste Franceze dhe i Kominternit.
Në 27 maj 1940, tri ditë pas atentatit, Trocki do të shkruante:
“Organizimi i GPU-së ka tradita dhe metoda të përcaktuara mirë jashtë BRSS-ës. Për aktivitetin e saj GPU-ja ka nevojë për një mbrojtje legale ose gjysmë-legale dhe për një mjedis të favorshëm për rekrutimin e agjentëve të tij. Ajo e gjen këtë mjedis dhe mbrojtje në të ashtuquajturat “parti komuniste”.
Ejtingoni, sipas Juri Paporov, vuri në zbatim planin e dytë. Frank Xheksoni, pas dështimit, u zhduk për pak kohë nga Meksika dhe u kthye në korrik, për t’u martuar me Silvia Agelof, që ta kishte më të lehtë futjen në familjen e Trockit. Si bashkëshorti i saj, ai arriti ta takonte Trockin 5-6 herë. Më 29 korrik, Natali Sedovna e ftoi Silvian dhe Xheksonin për një çaj. Trockit nuk i pëlqeu vizita e këtij njeriu enigmatik, prandaj në fillim të muajit gusht, thirri Xhozef Hansenin, rojen e posaemëruar, që luante edhe rolin e sekretarit dhe i shprehu dyshime për Frank Xheksonin. Franku dhe Silvia shkuan tek Trocki përsëri më 8 gusht të vitit 1940. Më 17 gusht Xheksoni shkoi i vetëm tek Trocki me kapele republike dhe pardesy, të cilën e mbante në dorë me pretekstin për t’i çuar një artikull që ishte botuar kundër një grupi fraksionistësh antitrockistë në SHBA. Më 20 gusht, sipas Fabio Giovaninit, Trocki, në vilën Avenida Venia, po shkruante librin mbi jetën e Stalinit. Aty shkoi Franku për t’i dhënë gazetën, ku kishte shkruar një artikull. Sapo hyri kërkoi një gotë ujë. Edhe kësaj here mbante kapele republike. Me gjithë vapën që bënte, kishte veshur pardesy të firmës “Pioten” duke u justifikuar se ishte i ftohur. Nën të mbante një kazmë alpine, një çekiç, një pistoletë dhe një kamë. Pasi i dha Trockit gazetën që ta lexonte, nxori kamën dhe me shpejtësi e qëlloi atë në pjesën e pasme të kokës. Në rrugë, Frankun*[*- Ramon Merkader ose Frank Xheksoni, u përfol se ai ishte një trockist disident që kishte vepruar i vetëm. Ai doli nga burgu “Lekumberi” i Meksikës në 1960, për të banuar në Moskë, në Çekosllovaki e në Kubë dhe për të vdekur më 1978, në moshë 65 vjeç. Hiri i tij prehet në varrezat “Kucencev”në Moskë dhe në pllakë ka mbishkrimn “Hero i BS Lopes Ramon Ivanoviç”.] e prisnin dy makina, ku në njërën ndodhej e ëma, Eustasia Maria Karidad dhe në tjetrën “Shoku Pabllo” ose Leonid Ejtingon. Trocki u dërgua urgjent në spitalin e qytetit. Mjekët konstatuan një çarje të thellë 7 cm në brendësi të trurit. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjike, por nuk arriti të mbijetonte më shumë se 24 orë. Më 21 gusht 1940 rreth orës 1900 vdiq në moshën 62 vjeç. Trupi i tij u varros pranë shtëpisë së tij në Koioakanie, fshat jo larg qytetit të Meksikos. Julia Sergejevna Akselrod, mbesa e Lev Davidoviç Trockit, me gjyshen dhe gjyshin nga linja e së ëmës, u dërguan në Siberi. Henrieta Rubenshtein, vajza me gruan e dytë të Sergei Lvoviçit, djalit të vogël të Trockit, arriti të njihej me të ëmën, kryesisht me anë të letërkëmbimit. 
Sigal