Vrasja e dytë e pishtarit të gjuhës shqipe, Petro Nini

647
Braktisja e banesave shekullore, por edhe e atyre që janë ndërtuar para 20 apo 30 viteve, shkatërrimi i qendrave të kultit, dhe mbi të gjitha e simbolit të Luarasit, shtëpisë së Petro Ninit, shkollës me të njëjtin emër dhe bustit të tij, është një vrasje më e madhe dhe më e tmerrshme se e para, për Rilindasin e Gjuhës Shqipe. Fshati që dikur ishte krenaria e Kolonjës, fshati që dikur vizitohej nga shqiptarët e të gjitha viseve ku ata jetojnë, që e kishte emrin të gdhendur në piedestalet e memories së shqiptarëve, fshati që e ka emrin në të gjitha librat e historisë së Gjuhës dhe Shkronjave Shqipe, po fshihet fare nga harta e Shqipërisë. Prej vitit 1992 dhe deri sot, kanë ikur nga fshati mbi 140 familje, duke mbetur atje vetëm 3-4 familje, që kryesisht merren me blegtori dhe me pak bujqësi. Me pak bujqësi pasi, tokat e lëna djerr nuk punohen prej 25 vitesh, nuk ka makineri bujqësore, dhe sipas atyre pak banorëve që kanë mbetur atje “nuk ja vlen të shpenzosh, pasi nuk fiton gjë, pastaj nuk kemi para, jemi në gjendje të rëndë ekonomike”. Luarasi i Petros, Luarasi i Skënderit, Koços, Gurit, Luarasi i patriotëve dhe qindra mëmëdhetarëve, që nuk sakrifikuan jetën e tyre për Shqipërinë, Luarasi i dhjetëra partizanëve, që rrokën armët dhe u rreshtuan në radhët e batalioneve dhe brigadave partizane, Luarasi i dijetarëve, dhe njerëzve të shkolluar që kanë bërë bujë edhe jashtë kufijve tanë, sot gjendet i “qametosur” siç thonë vendasit e mbetur atje. Lagjet e fshatit si Penkollarët, Priftanj, Kostallarët, Lagja Malit, Mujollarët, Gurakët, Liçollarët, Nezirllarët, Pepillarët, Matarukët, dhe Ziskollarët, kanë mbetur të shkretuara. Dikur ato gumëzhinin nga zërat e fëmijëve, grave dhe burrave, bagëtive dhe traktorëve, kombajnave dhe muzikës së njohur të vëllezërve Jashari apo grupit të valltarëve dhe sazexhinjve. Ja se çfarë shkruante Petro Nini për fshatin e tij “Luarasi e ka emrin shqiptar dhe duhet të ketë qenë principatë. Mendohet të ketë pasur 3 mijë banorë, kurse fshatarët janë marrë me zejtari, ka pasur rreth 12-kovaçane dhe kryesisht janë marrë me bujqësi dhe blegtori. Fshati ka pasur 4 kisha, 2 xhami dhe një teqe. Në kohën e krishterimit, ata të gjithë i përkisnin fesë të krishterë, me pushtimin nga ana e Turqisë, një pjesë e vogël e tyre u kthyen në myslimanë, por luarasllinjtë nuk patën probleme fetare mes tyre, ata jetonin në harmoni të plotë fetare. Para viteve 1900 fshati ka pasur 2 shkolla një turqishte dhe një greqishte. Në 1883 në Luaras, në bodrumin e Hajdar Singës, në shkëmb të Hajdarit, fshehtas turqve dhe grekëve, u hap edhe shkolla e parë shqipe”. Dhe pikërisht mbas kësaj iniciative heroike për atë kohë, Petro Nini hap shumë shkolla në Kolonjë dhe Korçë. Në shkollën e Korçës Petro Luarasi ngriti Flamurin Shqiptar. Duke qenë dhe kryeplak i fshatit për shumë kohë, Petro kurrë nuk pushonte së kërkuari ndihma për shkollat shqipe. Fshati ka pasur edhe të tjerë kryepleqër si, Nezir Ademi, Ndreho Filja, i cili ka qenë dhe mësues i gjuhës shqipe, Sulo Zeqo, Mehmet Mestani, Kajmak Minoja, Selfo Bidoja, Fani Zguro. Një tjetër kryeplak i respektuar ka qenë dhe Gjini Rrapo, një nxënës i Petro Ninit. Në kohën e Luftës Dytë Botërore, nga fshati Luaras, kanë qene mbi 35 partizanë, ku i pari doli kryeplaku Gjini Rrapo. Dokumentet historike thonë se “Qëmoti burrat e Luarasit kanë qenë luftëtarë me Ali Pashë Tepelenën me Zulyftar Podën, dhe kanë qenë miq me Frashallinjtë, kane pas miqësi me Orhan Bej Pojanë, kurse Riza beu i Luarasit kishte marrë për nuse të bijën e Naim Frashërit. Luarasi është kala natyrale me ata shkëmbinj natyrale monumentalë, si Guri i Kamnikut, që thuhet se është fole shkabash, apo Guri i madh, Guri Nines, Guri i Gjatë, Guri i Qilarit, Shkembi i Aliut, Guri i Krethit, Guri i Zeqos. Por mbi Luaras rri si pëllumb i bardhe shkëmbi i Xhaferr Beut, që ka pasur dy mejdane një në lindje dhe një në perëndim”.

Luarasi, sot një vend i shkretë

Sot fshati Luaras ka mbetur si një vend i shkretë, sikur aty të mos ketë pasur kurrë njerëz, pasi banesat janë rrënuar, tokat janë mbuluar nga shkurret, dhe syri nuk të shikon asnjë pëllëmbë të mbjellë me grurë dhe misër. Veç 3-4 familjeve dhe ndonjë tufe me bagëti, asgjë tjetër. Kudo shikon ngrehina, kudo shikon banesa të kthyera në fole zogjsh apo edhe streha arinjsh dhe ujqërish. Tek zbret poshtë nga dyqanet, shkolla të shfaqet e shkretuar, e rrënuar, busti Petro Ninit i gjysmuar. Deri para 3-4 viteve, atje shërbente si mësuese një vajzë e fshatit, që u mësonte shkrimin dhe këndimin 5-6 fëmijëve nga klasa e parë deri në të 9. Një tablo e zymtë, që turpëron shtetin, një fshat me emër të madh, por që prej 25 vitesh qeveritarët dhe politikanët po e fshijnë nga harta dhe memoria e shqiptarëve. Atje ka lindur Petro Nini, (pa përmendur dhjetëra e qindra të tjerë) dhe kaq do të mjaftonte që për Pishtarin e Gjuhës Shqipe të bëhej maksimumi, që fshati të kishte rrugë, jetë, shkollë, të mbjella, mësues dhe gjithçka që meritonte. Braktisja ka rritur oreksin e synimeve shoviniste greke. Brenda 15 viteve të fundit, në Luaras, janë ngritur nga 1 që kishte, 3 kisha të stilit grek, dhe pretendohet se “shumica e fshatit ka qenë me orthodoksë helenë”. Një turp i madh, dhe politika hesht, qeveritë heshtin, Akademia e Shkencës hesht, dhe përballë tyre zëri i dobët i banorëve dhe patriotëve të Luarasit, që kërkon ç’përbaltjen nga fustanzinjtë e Greqisë. 
Sigal