“Vota kundër Trump, Shqipëria të distancohet nga Konferenca Islamike”

573
Zbulohet Rezoluta/ Opozita i kërkon qeverisë të tërhiqet nga votimi në OKB kundër SHBA dhe mos përkrahë deklaratën e Samitit të Stambollit
Zbulohet Projekt-rezoluta, me anë të së cilës opozita i kërkon qeverisë të distancohet zyrtarisht e publikisht nga vendimet e Konferencës Islamike, si dhe të rishikojë votën në OKB kundër vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Deputetët firmëtarë shprehen se me gjithë kërkesat e vazhdueshme të Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme, ministri Ditmir Bushati vijon të mos konsultohet me pushtetin ligjvënës, mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me politikën e jashtme. “Në këtë frymë mungese bashkëpunimi dhe konsultimi, ishte edhe qëndrimi i mbajtur nga Qeveria Shqiptare lidhur me Deklaratën e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit lslamik të mbledhur në Stamboll më 13 Dhjetor 2017, e cila përmban veprime të njëanshme lidhur me statusin e Jerusalemit, sulme të padrejta e të padobishme ndaj partnerit tonë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe përjashtimin e tyre nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme”, nënvizojnë deputetët e opozitës. Sipas tyre, “pa asnjë proces konsultimi dhe informimi, ishte edhe vota pro në OKB ndaj Rezolutës ‘Për statusin e Jerusalemit’, të miratuar më 21 Dhjetor 2017”. Për këtë arsye, parlamentarët e pakicës kanë vlerësuar se qëndrime të tilla janë të papranueshme dhe Kuvendi duhet menjëherë të distancohet dhe të kërkojë nga qeveria, të ndërmarrë hapat e nevojshme për rregullimin e kësaj situate. “Ndërmarrja e veprimeve aktive në kundërshtim me qëndrimin e partnerit tonë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk duhet të përkrahen nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, sepse kjo bie ndesh me interesin tonë kombëtar dhe interesat e qytetarëve shqiptarë”, argumentojnë deputetët. Ata kanë paraqitur edhe një mocion me qëllim zhvillimin e një debati në Kuvend për qëndrimet e papranueshme të Qeverisë Shqiptare mbi këtë çështje, si dhe kanë kërkuar miratimin e projektrezolutës “Për ndryshimin e qëndrimit të mbajtur nga Qeveria Shqiptare mbi Rezolutën ‘Për statusin e Jerusalemit’ të OKB të datës 21 Dhjetor 2017”.
KUVENDI I SHQIPËRISË:
Duke synuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe në Botë;
Duke qenë të vetëdijshëm për rolin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) luajnë e do të luajnë për tejkalimin e konflikteve, bashkekzistencën dhe vendosjen e demokracisë në atë Rajon;
Duke pasur një besim të patundur se pozicionimi amerikan është në mbrojtje të vlerave, lirisë dhe parimeve universale;
Duke konsideruar SHBA si partneri kryesor gjeo-strategjik të vendit tonë, Kosovës së lirë, shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e kudo ku janë;
Duke provuar konkretisht këtë rol të padiskutueshëm amerikan si faktori kryesor i arritjeve madhore, jo vetëm për kombin tonë, por edhe për të gjithë Rajonin tonë;
Duke shprehur miqësinë ndaj Shtetit të Izraelit, një vend mik dhe demokratik në Lindjen e Mesme;
Duke shprehur miqësinë ndaj popullit palestinez e duke përkrahur të drejtën e tij për të pasur një shtet të qëndrueshëm përmes negociatave e marrëveshjes;
Duke mbështetur pa rezerva procesin e paqes përmes negociatave mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, bazuar në vizionin e dy shteteve fqinje e në paqe me njëri-tjetrin e me vendet e rajonit;
Duke apeluar OKB, SHBA , BE dhe të gjithë aktorët ndërkombëtarë që të angazhohen në procesin e paqes në mënyrë aktive e konstruktive në Lindjen e Mesme;
Duke konstatuar se disa komunikata e rezoluta të miratuara në Dhjetor 2017 për këtë çështje janë të njëanshme, jokonstruktive, me gjuhë të papërshtatshme dhe nuk i shërbejnë procesit të paqes e gjetjes së një marrëveshjeje mes palëve;
Duke qenë të shqetësuar nga miratimi nga ana e Qeverisë shqiptare i Komunikatës Finale dhe Deklaratës së Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, të mbledhur në Stamboll më 13 Dhjetor 2017, e cila përmban veprime të njëanshme lidhur me statusin e Jerusalemit, sulme të padrejta e të padobishme ndaj SHBA, si dhe përjashtimin e tyre nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme;
Duke qenë të shqetësuar nga vota pro e Qeverisë shqiptare për Rezolutën “Për statusin e Jerusalemit”, të miratuar më 21 Dhjetor 2017 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, përmbajtja e së cilës nuk ndihmon në procesin e paqes dhe i kundërvihet qëndrimit të një vendi sovran, SHBA-ve, që kanë rol thelbësor për zgjidhjen e problemeve aty;
Duke gjykuar se miratimi nga ana jonë e këtyre Rezolutave, që godasin vendimin e SHBA, është edhe një akt flagrant në kundërshtim me interesat tona kombëtare;
Duke shprehur keqardhje që këto veprime të qeverisë u bënë pa informuar Kuvendin e pa u konsultuar me Komisionin e Punëve të Jashtme, si dhe duke përjashtuar Presidentin e Republikës nga procesi konsultativ vendimmarrës;

KUVENDI I SHQIPËRISË:
I kërkon menjëherë Qeverisë:
1 – Të distancohet zyrtarisht e publikisht nga Komunikatat Finale e Deklarata e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, më 13 Dhjetor 2017.
2 – Të rishikojë votën për rezolutën “Për statusin e Jerusalemit” të datës 21 Dhjetor 2017, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, e në përputhje me rregullat e OKB të deklarojë një qëndrim jomiratues ndaj kësaj Rezolute.
3 – Të informojë brenda një muaji Kuvendin lidhur me përmbushjen e detyrave si më lart.
Sigal