Voskopoja pret çdo javë 2000 turistë të huaj e vendas

905
Sigal

Nga Vepror Hasani

Çdo javë fshati turistik i Voskopojës pret 2000 vizitorë vendas dhe të huaj. Arsyet që numërojnë për ardhjen e tyre janë të shumta: Klima, pastërtia, mikpritja, freskia, trashëgimia kulturore dhe historike, kishat dhe manastiret, akomodimi dhe kulinaria dhe shumë të tjera që voskopojarët i dhurojnë me bujari. Festë e veçantë mbetet edhe 24 Qershori, dita e Shën Prodhromit. Gjithashtu Voskopoja ndodhet shumë afër me qytetin e Korçës, vetëm 20 kilometra larg, dhe rruga nuk paraqet asnjë vështirësi. Vizitorët janë kryesisht nga vendet fqinje, por nuk mungojnë as ata nga Gjermania, Çekia, Italia etj. Të gjitha këto na u bënë të njohura nga administratori i Njësisë Administrative Voskopojë, Luan Fidani dhe banorët e këtij fshati, të cilët falë suksesit që kanë arritur me turizmin janë gati të na rrëfejnë gjithçka. Madje, me shumë kënaqësi shtojnë: “Festa e birra “Korçës” është shndërruar në arsyen kryesore për rritjen e numrit të mysafirëve”. Kjo e vërtetë pohohet edhe Luan Fidani, administratori i Njësisë Administrative Voskopojë.

 

Fshat i parapëlqyer edhe nga politikanët

 

Banorët e fshatit Voskopojë mbajnë mend edhe emrat e mysafirëve të veçantë. Sipas tyre Voskopoja është një nga fshatrat më të frekuentuara edhe nga politikanët. ‘Këtu kanë qenë Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, – thonë ata, – kryeministri Sali Berisha, ish-kryeministri Fatos Nano, ish-ministri i Bujqësisë, Emin Gjana, Servet Pëllumbi, Ermelinda Meksi etj. Ka qënë Këtu edhe Plaku i Urtë i politikës Sabri Godo. Pjesa më e madhe e tyre ka qenë disa herë. Nuk na kanë munguar as turistët e ardhur nga vendet të tjera si Greqia, Franca, Gjermania dhe Çekia, madje edhe ambasadorët, njerëz të artit dhe të kulturës, aktorë, këngëtarë, balerinë, poetë, gazetarë, studiues, studentë, inxhinierë, arkitektë por edhe shumë të tjerë.’ Voskopoja bënte pjesë tek qytetet mesjetare të Shqipërisë. Është e vendosur në pllajën e Oparit 1100 metra mbi nivelin e detit, ose 20 kilometra në Jugëperëndim të Korçës, i rrethuara nga lëndina, kullota, pyje, me ujëra të shumtë, por edhe me lumenj të vegjël që lagin Voskopojën nga të gjitha anët. Këtu në Voskopojë. Në çdo hap që hedh gjen emra shenjtorësh, si lumi i Shën Harallambit, lumi i Shën e Premtes dhe lumenj të tjerë. Që të gjithë bashkë çojnë ujin te lumi i Devollit.

 

24 Qershori festë e veçantë

 

Të huajt vijnë edhe për të vizituar kishat. Voskopoja është një qytet i vjetër. Studiuesi Joakim Martiniani, thotë se është themeluar në vitin 1330. Kishat e para që u ndërtuan janë kisha e Shën Dionisit dhe kisha e Shën e Premtes, më vonë u ndërtuan tempuj, kisha dhe bazilika, si manastiri i Shën Prodhromit, Shën Marisë, Shën Kollit. Disa thonë se Voskopoja ka pasur 36 kisha, ndërsa disa të tjerë pohojnë se ka pasur vetëm 24. Ky vend është i mbuluar nga misteri mesjetar. Sidoqë të jetë, tashmë përveç themeleve të kishave të vjetra, ekzistojnë 6 kisha, të cilat janë të vizitueshme nga të gjithë. Që nga ajo kohë dhe deri më sot, vazhdon të festohet 24 Qershori, i cili është i lidhur ngushtësisht me emrin e manastirit të Shën Prodhromit. Ky manastir gjendet në pjesën e sipërme, shumë pranë me hotelin “Akademia” Në këtë vend organizoheshin panaire madhështorë, ku merrnin pjesë edhe tregtarë të ardhur nga Selaniku, Sofja, Manastiri, Shkupi, Janina, Xhenova, Trieste, madje dhe nga Hungaria dhe Austria, pa përjashtuar tregtarët më të mëdhenj të vendit që vinin nga Shkodra, Vlora dhe Berati. Edhe sot e kësaj ditë 24 Qershori mbledh mysafirë nga të katër anët e vendit, të cilët akomodohen në hotele dhe bujtina.

 

Voskopoja, qytet me Akademi

 

Njerëzit që vijnë këtu mrekullohen nga historia e këtij vendi. Ka shumë të rinj që befasohen kur dëgjojnë se në këtë vend ka pasur Akademi që nga viti 1750, dhe që në këtë Akademi kanë studiuar shumë të huaj të ardhur nga vendet fqinj edhe nga vende më të largëta se kaq. Por Voskopoja nuk ka pasur vetëm Akademi, por edhe shtypshkronjë, bibliotekë dhe spital, ashtu siç ka pasur edhe institucione të tjera për të varfrit, jetimet dhe pleqtë. Në këtë vend nuk ke vetëm mundësinë e njohjes me historinë e saj, por edhe me punën e mjeshtërve të mëdhenj të piktorëve të Mesjetës, të cilat gjenden nëpër afresket e kishave. Tek kisha e Shën Kollit, e cila është ndërtuar në vitin 1721 mund të njihesh me afresket e pikturuara nga dora e David Selenicës, Kostandinit dhe Anastasit, por edhe në kishën e Shën Mëhillit dh të Shën Thanasit mund të gjesh piktura të vëllezërve Kostandin dhe Athanas Zografi. Po kaq të papritura gjen edhe tek kishat e tjera, ndaj së fundmi numri i mysafirëve është rritur mjaft.

 

Voskopoja, e bukur edhe në dimër

 

Voskopja është një vend i përshtatshëm edhe për sportin e skive, vijojnë tregimin e tyre bashkëbiseduesit tanë. Lëndinat, livadhet e buta, me pjerrësi të ëmbël, por edhe me kthesa të çuditshme, u japin skiatorëve ndjesi të tilla që provohen vetëm nga zogjtë në fluturim. Pista e skive nuk është një fantazi, edhe pse për këtë qëllim nuk ka asnjë investim nga dora e njeriut. E vërtetë është se mbi këto peizazhe, të mbuluara nga bora në dimër, realizohen garat rajonale dhe kombëtare të skive. Kështu ka qenë gjithmonë. Ashtu siç nuk mund t’i rezistojnë dot sportit të gjahut. Pasi je endur për disa orë mes pyllit dhe borës, ndjen se duhet të kthehesh sërish në bujtinën apo hotelin ku je akomoduar, ku një atmosferë e këndshme të pret në çdo çast. Në dhomën me oxhak ku përhapet dritë zjarri dhe ngrohtësi, pas një lodhjeje sportive, mund të shijosh verë të vjetër, raki voskopojare dhe mish derri të pjekur në furë me mollë ose lepur me rozmarinë, por edhe tavë me biftek, ashtu siç dinë ta gatuajnë voskopojarët.

 

Gatime edhe me mish gjahu

 

Por nuk është çudi që mund të kërkosh të të gatuajnë mish nga gjahu që ke sjellë vetë, i cili mund të jetë një lepur, një thëllëzë apo një derr i egër. Ky qytet i dikurshëm me 30 mijë banorë, i djegur disa herë nga luftërat e asaj kohe, sot nuk ka ditë që të mos presë mysafirë nga të gjitha anët e vendit. Turizmi familjar po përhapet në të gjithë Voskopojën. Banorët e këtij fshati, mikpritja e të cilëve njihet që nga dita e themelimit, janë në pritje të të gjithë mysafirëve. Gjithkush që ka pasur rastin të shkojë në Voskopojë, ka pasur shumë për t’u treguar miqve dhe shokëve të tij, sepse të gjitha këto vetëm në Voskopojë nuk janë fantazi. Kjo është arsyeja që gjatë këtij viti numri i vizitorëve shkoi në 2000 veta në javë; sigurisht na ndihmoi edhe birra “Korça”, ajo është promovimi më i mirë që i bëhet rajonit të Korçës, – përfunduan banorët e fshatit turistik të Voskopojës, që tashmë ndihen të kënaqur.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

.