Vonohet tenderi për ilaçet e malarjes, shteti numëron mushkonjat

160

Manastirliu: Në QSUT 50 raste me malarje gjatë 2013-s, të importuara nga jashtë. Presim furnizimin me medikamente

Epidemia vdekjeprurëse që 50 vjet më parë i ka marrë jetën mijëra dhe miliona shqiptarëve duket se, është rikthyer, por tanimë me një rrezikshmëri akoma më të lartë. Para syve të specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë që nuk dinë të bëjnë asgjë për të ndaluar përhapjen e kësaj epidemie. Shteti hesht dhe numëron personat e infektuar, duke mos bërë asgjë për të ndalur këtë kanosje. Madje, të infektuarit e Azisë vijnë në Shqipëri me ilaçet aziatike në xhep. Pas viktimës së parë, mund të vijë i dyti, pastaj i treti e kështu me ardhur. Sepse ne shqiptarët e kemi një eksperiencë shumë të hidhur nga malarja në mesin e shekullit të kaluar. Dhe e dimë më mirë se kushdo tjetër se çfarë do të thotë emri . Por tani spitalet shqiptare nuk kanë as ilaçe për këtë epidemi, ndërkohë që qeveria shqiptare nuk e ka vullnetin e duhur për të luftuar shkaqet dhe burimet e saj. Një prej këtyre shkaqeve është transmetimi nga personat e infektuar në Afrikë, siç ishte rasti i viktimës Ritvan Kate. Ai vdiq sepse nuk u ekzaminua dhe nuk u mjekua në kohë. Ndërkohë që shtetit tonë i mungojnë kushtet specifike të karantinës speciale për rastet e rrezikshmërisë së lartë. Por në spitalin e Tiranës, janë akoma edhe 50 të infektuar që presin ilaçet përkatëse, pasi të miratohet tenderi i Ministrisë. Gabimi i dytë ka të bëjë me moskontrollin mjekësor të të sëmurëve që vijnë nga Afrika apo nga vendet e prekura të malarjes. Që aty duhet të nisë karantina dhe izolimi, pastaj mjekimi dhe përmirësimi. Por sipas rregullit, këta pacientë duhet të kontrollohen 6 muaj resht në spitalin infektiv. Ata duhet të zhvillojnë kontrolle periodike për 6 muaj, edhe në rast se nuk janë të infektuar nga malarja. Por më parë, pra para nisjes në Afrikë ata duhet të bëjnë vaksinën kundër malarjes për të krijuar imunitet.

Manastirliu: Ja e vërteta

Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Ogerta Manastirliu konfirmon se në spital janë trajtuar rreth 50 persona me malarje në vit, të cilat janë të importuara nga jashtë. Në një deklaratë për shtypin, drejtoresha e QSUT-së shpjegoi edhe rastin e 41-vjeçarit që humbi jetën dy ditë më parë në spitalin Infektiv. “Dy rastet e fundit me malarie kanë ardhur nga Guinea. Njëri nga rastet e fundit ka ndërruar jetë. I sëmuri është paraqitur në gjendje shumë të rëndë dhe ndërroi jetë pavarësisht mjekimit”,- u shpreh Manastirliu. Lidhur me barnat e nevojshme për këtë sëmundje, drejtoresha e QSUT-së tha se po punohet për furnizimin e shërbimeve me barnat antimalarik.

Vdekja e pacientit

Një 41-vjeçar i shtruar në Shërbimin Infektiv në QSUT ka humbur jetën, pasi ishte i infektuar nga malarja. Ridvan Kate quhet pacienti që ndërroi jetë në spital, vetëm një javë pasi ishte kthyer nga Guineja ku ai punonte në ndërtim. 41-vjeçari nga Vlora ishte beqar dhe kishte 6 muaj që ishte nisur në drejtim të Guinesë së bashku me persona të tjerë nga Shqipëria për të punuar në ndërtim në sektorin e kartoxhesit, pra me zbukurimet në allçi. Ditën e premte ai kishte mbërritur nëpërmjet Rinasit dhe më pas kishte shkuar në Vlorë ku është pritur nga familjarët e tij. Një ditë më pas, ai nuk ishte ndjerë mirë dhe ishte ankuar se ndihej i këputur por kishte menduar se i vinte prej lodhjes së rrugës dhe udhëtimit prej disa orësh në avion dhe e ka neglizhuar vizitën në spital edhe pse i vëllai i tij kishte këmbëngulur për ta bërë një gjë të tillë. Sipas të vëllait të Ridvanit, dy ditë pasi ishte kthyer, Ridvani ishte përkeqësuar dhe kishte humbur ndjenjat. Menjëherë është transportuar për në spitalin e Vlorës ku pasi është përmendur nuk ka arritur dot të komunikojë me mjekët dhe ka rënë në koma.

Pas vdekjes së pacientit të infektuar në Guinenë e Afrikës, specialistët kanë ngritur zërin duke thënë se mushkonja , ka filluar të shumëfishohet në Orikum dhe zonat e Nartës. Viktima e parë e malarjes pas 50 vjetësh, ishte Ridvan Kate 41 vjeç nga Vlora, i cili humbi jetën në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në QSUT. Një nga shkaqet ishte edhe mungesa e medikamenteve në spitalet shqiptare. Sepse pasi e zhdukëm malarjen para 50 vjetësh, ne harruam se ajo mund të rikthehet prapë, madje këtë radhë me një rrezikshmëri akoma më të lartë. Pas më shumë se 50 vjetësh, mushkonja e malaries (e) është rishfaqur sërish në rajonin e Vlorës duke bërë që të kthehet rreziku i sëmundjes famëkeqe të malaries, e cila, si pasojë e bonifikimeve nuk ekzistonte që prej viteve ’60. Alarmi ka ardhur para pesë muajve nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Vlorë, por askush nuk ia vuri veshin këtij shqetësimi. Pas studimeve të kryera nga ana e specialistëve të kësaj drejtorie, u konstatua se i, është pikasur në dy zona, atë të Orikumit dhe Cekovinës, që ndodhet pranë Nartës. Megjithatë qysh në muajin maj u tha se nuk përjashtohet mundësia që prania e saj të jetë edhe në zona të tjera. Madje, mjeku i DSHP-së Vlorë, Agron Bashllari është shprehur para pak muajve se zonat më të mundshme që mund të kenë praninë e këtyre mushkonjave janë kënetat, si dhe kanalet.

Rast pas rasti

Megjithëse u zbulua lloji i mushkonjës , deri atëherë nuk kishim asnjë rast të infektuar në Shqipëri. Por vetëm 10-15 raste, të cilët ishin infektuar me mikrobin e it, në Afrikë. Sepse pacientët kishin punuar në Afrikë, kundrejt një rroge jo shumë të lartë, por të mjaftueshme. Bashllari pohoi atëherë se, të vetmet raste me malarie kanë qenë ato të punëtorëve që janë kthyer nga vendet e Afrikës, të cilët, pas konstatimit ishin dërguar në Tiranë për kurim të specializuar. Ndërkaq, Bashllari bëri apel për marrjen e masave nga ana e vendorëve. Ai sqaroi se në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 1993, komunat dhe bashkitë duhet të ndërmarrin masa për dezinfektimin e zonave të riskut. Ndërkaq, pas alarmit të vënë nga DSHP-ja, në atë kohë, Prefekti ka thirrur një mbledhje, e cila ngriti edhe një grup pune, por asgjë më tepër.

Deklarata e Prof. Pëllumb Piperos

Ndërkohë, dje, Prof. Dr. Pëllumb Pipero u shpreh se: në pranverë dhe verë Shqipëria do të ketë rastet e veta autoktone të sëmundjes së malaries, pasi ka burimin e infeksionit dhe çdo ditë persona që punojnë në zonat e infektuara kthehen në Shqipëri dhe mund të jenë të infektuar. Por ai sqaron që sëmundja mund të transmetohet vetëm nga mushkonja dhe jo nga njëri individ te tjetri. “Në pranverë ose verë ne do të kemi rastet tona sepse kemi burimin infeksionit, vazhdojnë të na vinë të tjerë të infektuar të cilët po u pickuan nga mushkonja dhe ajo mushkonjë pickon një tjetër mund ta përcjellë te tjetri. Transmetohet vetëm përmes mushkonjës. Pa mushkonjën nuk transmetohet malaria.” Pipero theksoi se QSUT duhet të ketë një informacion të plotë lidhur me shqiptarët që punojnë në zonat malarike apo shkojnë për turizëm në mënyrë që të merren masa për medikamente dhe personeli mjekësor të jetë i përgatitur për rastet.