Vodhi dy ‘Iphone’ dhe një portofol, prangoset ‘skifteri’ te Komuna e Parisit

105

Një 34- vjeçar me inicialet F.T, është arrestuar sot në Tiranë pasi vodhi në një automjet në zonën e ‘Komunës së Parisit’ dy telefona ‘Iphone’ dhe një portofol.

Menjëherë ky person njërin prej telefonave ia kishte dhënë D.M, i cili do të procedohet në gjendje të lirë dhe telefonin tjetër e kishte çuar në një servis për ta zhbllokuar dhe për ta marrë përsëri.

Policia falë ndërhyrjes së shpejti mundi ta lokalizojë 34- vjeçarin duke e arrestuar në rrugën ‘Lambi Bonata’. Ai rezultoi se ka qenë edhe më parë i dënuar.

NJOFTIMI I POLICISË

Tiranë,

Vjedh në makinën e një shtetasi portofolin dhe dy celularë, por falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të Komisariatit të Policisë Nr. 2, vihet në pranga autori i vjedhjes.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy telefonat e vjedhur.

Procedohet penalisht edhe 1 shtetas që kishte përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme njërin prej telefonave.

Specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë shtetasin F. T., 34 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë.

Ky shtetas, në orët e pasdites, në zonën “Komuna e Parisit”, kishte vjedhur në një automjet një portofol dhe dy telefona celular iPhone.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, lokalizimi i vendndodhjes së tij dhe rreth orës 18:40 ky shtetas u kap në rrugën “Lambi Bonata”.

Në vazhdim të veprimeve hetimore janë gjetur dhe sekuestruar dhe dy telefonat e vjedhur, njërin prej të cilëve ky shtetas ia kishte shitur shtetasit D. M., i cili u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave qe rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Ndërsa telefonin tjetër Policia e gjeti në një servis, ku ky shtetas e kishte çuar për ta zhbllokuar dhe për ta marrë përsëri.

Në përfundim të veprimeve të para, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave qe rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.