“Vodafone”: Vendim arbitrar nga AKEP

697
“Vodafone Albania” njoftoi se në mënyrë krejt befasuese u informua nga mediat se AKEP (Autoriteti për Komunikimet Elektronike dhe Postare) do të propozojë për miratim në mënyrë aspak transparente, një vendim arbitrar që favorizon Albtelecom në dëm të klientëve të operatorëve të tjerë. Sipas këtij vendimi AKEP synon të aplikojë tarifa diskriminuese ndaj Vodafone Albania dhe Telekom Albania. Tarifa të tilla penalizojnë klientët e këtyre dy operatorëve, pasi do t’u duhet të paguajnë më shumë për telefonatat drejt Albtelecom duke gjeneruar kështu fitime për Albtelecom. Theksojmë se kjo kompani operon prej më shumë se dy dekadash në tregun shqiptar të telekomunikacionit me aktivitetet në telefoni fikse dhe celulare dhe me pozita dominuese në tregun e telefonisë fikse. Vodafone Albania e konsideron propozimin e AKEP si të papranueshëm për shkak të mungesës së transparencës. Propozimi, që AKEP ka për qëllim të miratojë, nuk është komunikuar apo konsultuar me operatorët e tjerë në treg, edhe pse ligji e përcakton qartë se çdo masë rregullatore që ndikon tek operatorët dhe klientët e tyre zbatohet vetëm pas një konsultimi publik dhe transparent. Në pritje të një reagimi dhe sjelljeje korrekte nga ana e AKEP, Vodafone Albania thekson se në asnjë rast nuk do të pranojë asnjë vendim që nuk është në përputhje të plotë me kuadrin rregullator të BE-së dhe legjislacionin për sektorin e komunikimeve elektronike në Shqipëri , e për më tepër që cenon të drejtat e klientëve tanë. Vodafone Albania është e angazhuar të ndjekë të gjitha procedurat ligjore të nevojshme si në nivel kombëtar ashtu edhe evropian ndaj një vendimi të tillë.


Sigal