Vlorës iu shkulën 4.1 milionë euro palma me “buburrec të kuq”

591
Mos u çuditni, por kështu pritet të ndodh së shpejti, madje brenda muajit maj 2016. Qeveria që ka “shkulur” gjithë bregdetin e Vlorës prej mëse dy vitesh nën emrin e ndërtimit të veprës së quajtur “Lungomare” dhe e ka lënë atë gërmadhë, duket se nuk e ka mendjen tek mbyllja e punëve, por siç po tregojnë ministrat, deputetët dhe shtetarët e saj me qëndrimet e tyre korruptive, mendjen e kanë vetëm tek tenderët e jo tek punët. “Rilindja” thotë, se “tenderët po i bënë për të bërë punë”, por realisht rezulton se tenderët po i bënë… “për të bërë lekë”, që kontrollohen e përvetësohen vetëm nga ato duar që kanë në dorë firmat dhe vulat e vendimeve e finalizimeve të këtyre tenderëve. Një tender i tillë, deri tashmë i pa shpallur nga qeveria dhe që po mbahet “sekret” mbasi do të bëhet “skutave”, pritet të zhvillohet nën emrin e “rilindjes emergjente” të mjediseve të Vlorës, pra me tender pa garë! Është fjala për mbjellje palmash në këtë qytet?

 Çudia është, se sipas specilaistëve të drurëve e pemëve dekorative, Vlora i kishte palmat me bollëk, të shëndetshme dhe në pikun e gjelbërimit e bukurisë natyrale të kurorave të tyre, por bashkia u vuri sëpatën dhe i shkuli ato nga rrënjët në datën 3 mars 2016. Sot që po bëjmë publik këtë lajm, janë të “dyzetat” e 1200 palmave që preu bashkia e Vlorës, duke i quajtur ato “të sëmura” e jo rezistente në “tokën” e Vlorës! Kur bashkia iu vërsul palmave dhe i ktheu në “dru zjarri” për konviktet, kopshtet e çerdhet, pati shumë reagime të ashpra nga qytetarët, por drejtuesit e bashkisë u justifikuan publikisht në media, se prerja e palmave dhe shkulje e tyre me rrënjë, u bë për shkak se “palmat ishin të sëmura dhe se druri i palmës nuk është jetë-gjatë në klimën dhe përbërjen mjedisore të qytetit të Vlorës”. Pasi hodhi këtë justifikim, bashkia e Vlorës deklaroi, se palmat “e sëmura” do të zëvendësoheshin me pemë të llojeve të tjerë.

 Mirëpo, një “haber” i dalë dje nga zyrat e qeverisë, na bëri me dije, se në mjediset e qytetit të Vlorës duket se do të mbillen përsëri… palma! Ndoshta, kur bashkia ka thënë se do të mbillen dru të llojeve të tjerë e ka pasur fjalën për lloje të tjera palmash. Ajo që dihet saktësisht është fakti, se tenderi i bërë gati për blerje e mbjellje palmash në Vlorë, do të bëhet dhe ky tender është paracaktuar në vlerën e fondit limit 6 milionë euro me një “lot”, pra me blerje në “një dorë”! Ajo ç’ka nuk dihet është “sekreti”, se sa copë dru palme do të blihen e mbillen në Vlorë me lekët e këtij tenderi! Por dihet fakti, që Vlorës iu shkulën 4.1 milionë euro palma dhe do t’i mbillen 6 milionë euro palma të tjera! Sipas bashkisë së Vlorës, palmat e prera ishin të sëmura me infeksionin e “Buburecit të kuq” i cili është një larvë vdekje-prurëse për pemët dekorative “Palma”. Mirëpo “gojët e liga” brenda bashkisë së Vlorës, thonë se “buburreci i kuq” u shpik si sebep nga “buburrecët mavi” për të sajuar një tender tjetër në miliona euro! Dhe pas pjesës së parë të skenarit, pritet të realizohet pjesa e dytë! Më troç, Vlorës iu shkulën 4.1 milionë euro palma me “buburrec të kuq”, ndërsa “buburrecët mavi” në qeverisje do bëjnë një tender 6 milionë euro për të blerë e mbjellë palma të tjera, të së njëjtës… “racë”! Nga sa kuptohet, gjithçka është thjeshtë tender jo për të bërë punë, por për të bërë “një dorë”… lekë!
Sigal