Sigal

VLORE- Arrestohet nje nga autoret e vjedhjes me arme qe ndodhi sot ne zonen e Skeles ne Vlore. Burime zyrtare nga policai thane se ne pranga ra Armand Kuqi, 29 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë.

NJOFTIMI 
Reagimi në kohë i Policisë, vë në pranga në kohë rekord njërin prej autorëve të vjedhjes me armë të ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e “Skelës”.

Policia identifikon dhe autorin e dytë ku ende vijon ndjekja për kapjen tij.

Ndërkohë është shoqëruar edhe një person i tretë dhe po punohet nëse është i përfshirë ose jo në ngjarjen e ndodhur.

Sekuestrohen dy automjete dhe dy armë zjarri kallashnikovë të përdorura nga autorët.

Për identifikimin dhe kapjen e autorëve janë angazhuar rreth 70 forca policore të përbëra nga shërbimet e Komisariatit, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Forcat Operacionale FNSH të Fierit.

Për ndjekjen e autorëve po përdoret edhe qeni i gjurmës.

Më datë 25.09.2018, rreth orës 09:05, në zonën e Skelës pranë stadiumit “Flamurtari”, 3 persona dyshohet të maskuar kanë vjedhur nën kërcënimin e armëve të zjarrit dhe dhunës shoferin e autobuzit të linjës “Itali-Vlorë”, si dhe disa nga pasagjerët e autobuzit.

Autorët e ngjarjes pas grabitjes janë larguar menjëherë me dy automjete , të cilët në tentativë për t’iu shpëtuar forcave të policisë që ishin vënë në ndjekje të tyre kanë braktisur 2 mjetet me të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes tek nënkalimi i “Panajasë” dhe janë larguar në këmbë nëpër kodrat e Panajasë për tu fshehur në pyll.

Reagimi i menjëherëshëm i Policisë së Vlorës mbështetur nga FNSH e Fierit bëri të mundur që pas rreth 30 minutash ndjekje të kapej në kodrat e Panajasë njëri prej autorëve të grabitjes, konkretisht shtetasi: Armand Kuqi, 29 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë.

Ndërkohë Policia vijon ndjekjen për kapjen e dy personave të tjerë të cilët janë larguar me shpejtësi në kodrat përreth duke u futur në pyll ku ende vijon krehja e zonës për kapjen e tyre.

Në afërsi të vendit ku u kap autori i parë është konstatuar edhe një shtetas tjetër i cili është shoqëruar në Polici e po punohet për të parë nëse ka ose jo lidhje me ngjarjen.

Në cilësinë e provës materiale Policia ka bllokuar dhe sekuestruar 2 automjetet dhe 2 armët e zjarrit që dyshohet se janë përdorur nga autorët.

Policia vijon veprimet proceduriale dhe hetimet e mëtejshme në lidhje me zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Operacioni vazhdon për kapjen e autorëve të tjerë.