Vlorë, qarku shkarkon sekretarin Ridvan Mersini

523
Sigal

Vlorë – Mbledhja e Këshillit të Qarkut të Vlorës për shkarkimin e Sekretarit, Ridvan Mersinit, ka nxjerrë në pah divergjencat brenda qeverisjes vendore. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i revoltuar se nuk kishte dijeni për ketë nismë, deklaroi hapur votën kundër shkarkimit të Mersinit. “Përtej mungesës së modestisë, me një kontribut që ka ardhur koha t’ ia them vetes, se s’po e dëgjoj më nga të tjerët, – tha Gjika, – kam pritur që dikush të më thoshte që do të bëhet kjo lëvizje apo do të bëhet votimi për shkarkimin e Sekretarit, z.Ridvan Mersini. Vota ime e hapur, personale, do të jetë kundër shkarkimit të Ridvan Mersinit.” Por Gjikës i është kundërpërgjigjur Kryetari i Këshillit, Sadri Danaj, që tha se Kryebashkiaku ishte njoftuar, çka ka sjellë sërish reagimin e këtij të fundit. “Dy ditët e fundit nuk e kemi kontaktuar, por ai ka qenë pjesë e gjithë negociatës dhe në parim”, sqaroi Danaj. Gjika është kundërpërgjigjur: “Jo, nuk kam qenë. Unë jam ai që jam, kam atë kontribut që kam dhe nuk kam as më të voglën dijeni për pjesën,  jo të shkarkimit, po e po që e thashë për pjesën e informacionit që kam, por unë si përfaqësues politik i një bashkie të madhe dhe i një force politike në të cilën kam 22 vjet që militoj dhe e drejtoj për shumë kohë, të di kush do të jetë dhe personi për të cilin unë do të votoj.” Pas votimit të fshehtë që priste të finalizonte nismën për shkarkimin e Sekretarit me bindje të djathta, doli një tjetër rezultat surprizë: “Nga 59 këshilltarë të Qarkut, – tha anëtari i komisionit të votimit, – kanë votuar 47. 17 janë kundër, 30 janë të vlefshme, janë pro.” Por, një anëtar shprehej se njëra fletë, tek “Pro” është shkruar me shkrim dore “Jo”. Anëtari i tretë i komisionit nuk e firmosi procesverbalin e votimit, për ligjshmërinë e të cilit, brenda 10 ditësh, pritet të shprehet Prefektja e Vlorës.