VLORË/ Për herë të parë në Shqipëri, monitorimi i mjedisit përmes satelitit

532
Sigal

Për herë të parë në Shqipëri, po realizohet monitorimi i mjedisit përmes platformës satelitore, një metodë bashkëkohore dhe tepër e avancuar që aplikohet edhe nga vendet më të zhvilluara. Kjo, do të realizohet përmes një projekti që do të financohet nga Bashkimi Europian dhe që do të shtrihet në zonat ndërkufitare Shqipëri-Greqi, prezantimi publik i të cilit u realizua në takimin e partnerëve ndërkombëtarë të Projektit SSM Nature “Monitorim përmes platformës satelitore i mjedisit dhe resurseve natyrore në zonën ndërkufitare Shqipëri-Greqi”, implementuar në kuadër të Programit IPA Crossborder Shqipëri-Greqi, që u organizua nga Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, “Auleda”. Ky projekt do të jetë me mjaft rëndësi për qytetin, për bregdetin e Vlorës në funksion të turizmit dhe më gjerë. Monitorimi i territorit në fjalë, krijon një vizion shumë më të gjerë për t’i paraprirë problemeve mjedisore dhe për të parandaluar pasojat. Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, “Auleda”, Mirela Koçi, thotë se, “në funksion të zbatimit të kësaj teknologjie tepër të përparuar janë planifikuar 5 stacione “insitu”, ose stacione monitorimi (hardvver)”, të cilët do të instalohen në Gjirokastër, Korçë, Vlorë dhe dy të tjera do të jenë në territorin grek, të cilat do të jenë në lidhje me njeri tjetrin, do të shkëmbejnë të dhëna. Ky sistem, do të mbështetet nga një sistem helikopter mbi të cilin mund të vendosen kamera, që do të mundësojnë fotografimin në kohë reale të ndotjeve, të parqeve natyrore. Në trupin e helikopterit, mund të vendosen gjithashtu sensorë të ndryshëm në varësi edhe të parametrave që do të maten, çka do të mundësojë, gjithashtu, edhe funksionimin e stacionit të kontrollit të këtij sistemi, në serverin qendror”./ Qemal Bitraku