Vlorë/ Një firmë fantazmë i prish shtëpitë, banorët e lagjes “10 korriku” protestojnë

507
Banorët e lagjes “10 Korriku” në Vlorë zhvilluan sot një protestë në zonën ku kanë patur banesat e tyre, të cilat janë shembur pas nënshkrimit të një kontrate me një firmë ndërtimi që u premtoi apartamente në këmbim të tokës.
Banorët pretendojnë se firma fantazmë i ka mashtruar, pasi në tokën ku pritej të ndërtohej pallati, është ndërtuar një karburant.
“Fillimisht na u prezantua dikush si pronar i tokës dhe se do të kryente ndërtimin. Pasi na detyruan forcërisht të nënshkruanim një kontratë, ku ne të pranonim shkëmbimin e shtëpive me apartamente, doli që ishte një falsitet, pasi jo vetëm që nuk do ndërtohej pallat por u bë karburant”- thonë banorët.
Banoret shprehen se kanë mbetur në mëshirë të fatit edhe pse banesat e tyre ishin në fund të procedurave të legalizimit.
“U mashtruam nga të gjithë, por nuk do të lejojmë të mashtrohemi. Ku është pallati, ku janë qiratë që duhet të paguheshin”- shprehen banorët.
Sipas banorëve, për njeriun që i mashtroi doli dhe një urdhër arresti, për falsifikimin e kryer, i cili u rrëzua nga Gjykata e Lartë. Banorët apelojnë për zgjidhjen e situatës, në të kundërt shprehen të bindur për të përshkallëzuar protestën e tyre.
Sigal