Vlorë/ Kreu i Bashkisë Vlorë e vlerëson “Mësuese e Shkëlqyer”, por ajo nuk ka punuar asnjë ditë mësuese!

636
Vlora ka pasur dje një episod humori, por aspak të këndshëm, madje “tronditës” për profilin e kryetarit të bashkisë së Vlorës, zotit Dritan Leli, lidhur me vlerësimin e kontributeve të personaliteteve të këtij qyteti. Me dëshirën për t’u shfaqur si “kryetar bashkie që nderon e vlerëson “figurat e artit, shekncës e arsimit të qytetit”, në emër të bashkisë që drejton, kryebashkiaku Leli ka bërë një vlerësim të veçantë zyrtar edhe për zonjën Laureta Petoshati, me “dekoratën” për kontribut si “Mësuese e Shkëlqyer”! Mirëpo ky vlerësim ka shkaktuar reagimin e pjesëmarrësev në ceremoni , sidomos të zonjës Petoshati. Sipas informacionit, zonja Petoshati mësohet t’ia ketë kthyer mbrapsht vlerësimin që i ka dhënë Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli si “Mësuese e Shkëlqyer, duke i dërguar në adresën zyrtare elektronike të Bashkisë Vlorë (e-mail) edhe “CV” e saj të detajuar, për t’i treguar kryebashkiakut se ajo nuk ka punuar asnjë ditë si… “mësuese”! Këtë e vërteton “CV” e zonjës Petoshati, të cilën ajo ia ka postuar bashkisë së Vlorës, për dijeni e kujtesë kryetarit Dritan Leli. 
Konkretisht, zonja Laureta Petoshati është poete, shkrimtare dhe përkthyese. Ka mbaruar fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit, dega Hidroteknikë në Universitetin e Tiranës në vitin 1987. Filloi punë në vendlindjen e saj Vlorë, në Drejtorinë e Ujërave dhe në vitin 1991, mbasi kishte mbaruar një kurs dyvjeçar shtetëror për gjuhën italiane, ajo punoi në Gjykatën e Vlorës si përkthyese. Qysh prej asaj kohe e deri sot, ajo i është përkushtuar përkthimeve, letërsisë dhe publicistikës. Ka botuar në vitin 1996 vëllimin poetik “Perëndesha e Parajsës”, në vitin 2012 romanin historik “Rikthim në Ventotene”, ndërsa këtë vit ka përkthyer poezi të poetit të mirënjohur izraelit, Zvika Szterfeld në 2/3 e vëllimit poetik “Tempulli i Vetmisë”. Po kështu, “on-line” në VOAL ka publikuar dhe monodramën “Rrëfim gjatë një vonese”. Duhet përmendur fakti, se gjatë kohës së qëndrimit të saj në emigracion në USA (1997-2005), ajo ka qenë një nga nismëtaret dhe sekretare e Shoqatës Patriotike “Bijtë e Shqipes”, ku ka kontribuar në hapjen e shkollës shqipe si dhe në pasqyrimin e aktiviteteve të këtij komuniteti në Gazetën “Illyria”. Nisur prej kësaj “lajthitjeje” të kryebashkiakut Leli, zonja Petoshati ka reaguar edhe në sallën e Teatrit të Vlorës ku bë ceremonia, duke i thënë Dritan Lelit, se veprimi i tij është prova që ai nuk e njeh Vlorën dhe vlonjatët ndaj dhe për këtë arsye, ajo nuk e votoi në zgjedhjet e qershorit 2015 dhe kjo iu provua me këtë fakt.
Sigal