Vlorë, dërgohet për gjykim ish-juristja e hipotekës për “shpërdorim detyre”

476
Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim një tjetër ish-juriste të Hipotës në Vlorë. Odeta Harizaj së bashku me Krenar Tartaraj akuzohen për veprën penale të falsifikimit të dokumentave që lidhet me tjetërsimin e një prone me sipërfaqe 2500 m2 në lagjen “1 Maji” në Vlorë, duke ia shitur më pas disa personave me vlerën 22.4 mln lekë të reja.
Sipas Prokurorisë “Ish-jurista e ZVRPP e ka regjistruar këtë pronë në vitin 2002 në emër të dy shtetasve, të cilët nuk janë realë. Më pas, këta dy shtetas që nuk ekzistojnë, ia kanë shitur pronën për 1.5 milionë lekë të reja kunatit (burrit të motrës së juristes). Nga hetimi, rezultoi se kunati i të pandehurës Odeta Harizaj nuk kishte dijeni për dokumentin e shit-blerjes dhe kjo u vërtetua edhe nga fakti se në kontratën fiktive nuk kishte nënshkruar ai në krah të emrit të tij, por kishte nënshkruar e pandehura Odeta. 
Në vijim, po në bazë të dokumentave të falsifikuara, kjo pronë u është shitur dy personave nga Delvina, të cilët gjithashtu nuk kishin asnjë dijeni se emri i tyre ishte i përfshirë në një transaksion të tillë në Vlorë. Më tej, rezulton se, po në bazë të dokumentave të falsifikuar, në vitin 2011, “këta dy shtetas nga Delvina kanë caktuar si përfaqësues të tyre për shitjen e kësaj prone shtetasin Krenar Tartaraj, nëpërmjet një prokure të përgjithshme. 
Edhe në këtë rast, rezultoi se prokura në emër të Krenar Tartaraj ishte e falsifikuar, nisur nga ekspertiza e firmave, si edhe nga fakti fillestar që dy shtetasit nga Delvina nuk ishin përfshirë në një veprim të tillë juridik dhe, aq më tepër të ishin pronarë dhe të shisnin këtë pronë në Vlorë. Po ashtu, rezulton se shtetasi Tartaraj është mik i familjes së të pandehurës Odeta Harizaj. Sa i përket pronës, për të cilën janë marrë të pandehur shtetasit Odeta Harizaj dhe Krenar Tartaraj, me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, gjykata ka miratuar sekuestron preventive në muajin Mars 2015.”
Sigal