Vlorë, çelet pas 16 vjetësh një postë policie në Portin e Jahteve në Orikum

749

Flet Kryebashkiaku i Orikumit, Capo dhe shefi i Kapitanerisë, Anastas Goga: “Do të regjistrohen anijet turistike”

Policia çel një zyrë të re në Portin e Jahteve në Orikum, zyrë që do të kryejë të gjitha funksionet. Si edhe në portet e tjera të vendit. Bëhet fjalë për regjistrimin e anijeve, regjistrimi i hyrjeve apo daljeve të anijeve turistike. Më parë këto veprime bëheshin në Portin e Durrësit apo të Vlorës, duke shpenzuar jo vetëm kohën, por edhe karburantin, që tashmë është shtrenjtuar. Kjo formë organizimi kishte bërë që veçanërisht turistët e huaj ta ngrinin me të drejtë këtë shqetësim, si një procedurë të tejzgjatur. Pas  nisjes nga puna të Postës së Policisë në qytezën e Orikumit, janë shtuar ndjeshëm, ardhja e jahteve me turistë të huaj.

Anastas Goga

Shefi i Kapitanerisë së Vlorës, Anastas Goga u shpreh për gazetën “Telegraf”: “Si nga ana e Kapitanerisë  dhe vetë qytetarët, çelja e Postës së Policisë në Orikum është një ndihmë e madhe jo vetëm për pronarët e mjeteve, jahteve apo anije, vendase apo të huaja, por në tërësi për zhvillimin e turizmit në Vlorës. Çelja e kësaj zyre ishte një domosdoshmëri për shkak të shtimit të mjeteve të huaja, që vizitojnë Vlorën dhe bregdetin e jugut të Shqipërisë”.

Gëzim Capo

Kryetari i Bashkisë së Orikumit, Gëzim Capo, pas çeljes së kësaj poste është shprehur se Orikumi prej vitesh ka në gjirin e tij Portin e Jahteve nga më modernët dhe i vetmi në vend. “Kësisoj çelja e Postës së Policisë, padyshim do të ndihmojë, madje është çelur me vonesë, sepse në një farë mënyre është zvarritur ndjeshëm procedurat që bëheshin për futjen e anijeve, jahteve qoftë transit, apo qëndrim disaditor në brigjet joniane. Menaxhimi si duhet dhe me shpejtësi i turistëve të huaj që vijnë me jahte, ka bërë që të gjejnë kohë dhe të paraqesin interes për të vizituar Orikumin dhe vepra të tjera historike-arkeologjike që janë në këtë zonë”.

Pronarët shqiptarë me flamurë të huaj

Të shqetëson fakti kur mëson se nëse të huajve iu lejohet të vijnë të patrazuar mbi anijet e tyre drejt Orikumit, shqiptarët në vendin e tyre nuk i kanë të drejtat e barabarta me ta. “Deri në 2013, ligji i moratoriumit anti-skaf ua ndalon shqiptarëve pasjen e një barke vetjake. Kësisoj ne kemi më pak anije të ankoruara në port, në të kundërt do kishim edhe shumë anije shqiptare. “Edhe pse kjo dëmton biznesin tonë, unë e respektoj këtë vendim fisnik. Por të shpresojmë që pas 2013 situata do të ndryshojë”, sqaron Giorgio Alfo. Megjithatë disa nga biznesmenët tanë, ata më të fuqishmit, të parët e vendit, ia kanë dalë me mënyrë tjetër. Me anijet me flamuj të huaj ‘zbarkojnë’ aty familjet e biznesmenëve të njohur vlonjatë. Deri kur kështu?! Kur të hiqet ligjet për skafet. Por ky fakt pak rëndësi ka, pasi politikanët, pushtetarët, biznesmenët, që kanë mundësi të blejnë jahte, e kanë të zgjidhur problemin: Udhëtojnë me flamuj të shteteve të huaja, çka nuk i identifikon lehtë qytetari i thjeshtë.

Historia

Porti i Jahteve u përurua tre herë nga kryeministrat socialistë

Lindja e këtij porti zë fill tek nisma e investitorit italian Giorgio Alfo. Ideja e tij u mbështet nga ish- Kryeministri Aleksandër Meksi dhe Kryetarit i Këshillit të Qarkut, Agim Kadiu. Punimet nisëm në qershor të vitit 1996, me një ceremoni me pjesëmarrjen e shumë ministrave dhe drejtuesve të pushtetit vendor. Projekti, me një vlerë rreth 6 milionë USD, ishte konceptuar në dy faza: A dhe B, ku në secilën ishin parashikuar punimet përkatëse. Porti u vu në funksion në qershor të vitit 2004 me përfundimin e fazës së parë të punimeve. Në themel të historikut të tij, është një fakt, i njohur nga të gjithë. Ky porti i jahteve është përuruar tre herë. Fillimin e punimeve, e ka përuruar ish – Kryeministri Ilir Meta. Pak kohë më vonë, ish – Kryeministri Pandeli Majko. Për herë të treta, ish- Kryeministri Nano, inauguron po këto punime, me një shirit të vendosur për të tretën herë radhazi. Pas këtyre përurimeve të bujshme, në portin e parë të jahteve në Shqipëri, shuan dhe vazhdojnë të shuajnë kërshërinë personalitete të politikës, sportit, të artit dhe veçanërisht të notit.

Çdo vit 300 anije

Nga bisedat që bëjmë lidhur me aktivitetin e Portit të Jahteve në Orikum, mësojmë se çdo vit nga e gjithë bota vijnë tek ‘Marina Orikum’ rreth 250-300 barka me vela apo jahte dhe ky numër ka tendencë në rritje. Barkat vijnë ose tranzit, ose pas herës së parë si tranzit, kryesisht prej ishujve grekë apo Italia, rikthehen me kënaqësi një herë tjetër, apo edhe duke lënë barkat këtu për gjithë vitin”, shprehet Giorgio Alfo, investitori italian i portit të parë të jahteve në Shqipëri. Tashmë porti i jahteve të Orikumit, ndryshe ‘Marina Orikum’, gjendet në të gjitha hartat botërore.