Vlorë, bllokohen 2.7 kuintal peshk tregtohej në trotuare dhe makina

522
Sigal

VLORE – Plot 2.7 kuintal peshk i cili tregtohej jashtë kushteve higjieno-sanitare është sekuestruar dje në Vlorë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Në një kontroll të inspektorëve të Drejtorisë Rajonale të AKU në qytetin bregdetar, u konstatua tregtimi i peshku, në disa pika, trotuare dhe makina, pa respektuar asnjë kusht higjieno-sanitar që garanton sigurinë ushqimore.
 
Ndaj personave që e tregtonin peshkun nuk u morën masa konkrete, pasi ishin të palicencuar, duke i sekuestruar kështu vetëm produktin.

Drejtori i AKU-së së Vlorës, Renato Banushaj, tha për mediat lokale se asnjë rast abuzimi nuk do të tolerohet, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve, që të shmangin blerjet në ambientet e pakontrolluara dhe që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, por t’ju drejtohen marketeve dhe ambienteve të kontrolluara.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, duke iu bërë thirrje konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjet që bëjnë, i njofton se për çdo rast abuzimi apo problemi me ushqimet, në dispozicion të tyre është numri jeshil 0800 75 75, 24 orë, si dhe adresa e emailit, [email protected]”, përfundon njoftimi për shtyp i AKU.