Vlorë/ Adoleshentët i vjedhin gjermanit 50 euro, një 20-vjeçar përmbys makinën gjatë drejtimit…

519
Sigal

Dy adoleshentë, me iniciale I.T, D.M, përkatësisht 14 dhe 17 vjeç mësohet se i kanë marrë me forcë një shtetasi gjerman 50 euro.

Ngjarja ka ndodhur në zonën që njihet si “Plazhi i Vjetër”. Shtetasi ka bërë denoncim në Polici, duke bërë të mundur në këtë mënyrë dhe arrestimin në kohë të shkurtër të autorëve.

Po në qytetin e Vlorës, policia ka arrestuar një 20-vjeçar me akuzën “Shkelja e  rregullave të qarkullimit rrugor”.

Mësohet se i riu me inicialet D. F.ka humbur kontrollin e automjetit të tij në rrugën “Duro Shaka”, duke e përmbysur këtë të fundit.

Si pasojë e aksidentit, është plagosur pasagjeri F.Z, gjithashtu 20 vjeç, i cili fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Ja njoftimi i Policisë

Policia identifikon dhe arreston në kohë reale autorët e vjedhjes së parave  të një shtetasi të huaj.

Policia e Vlorës pas marrjes së njoftimit nga një shtetas gjerman se dy adoleshent në “Plazhin e Vjetër” i kanë vjedhur me forcë 50 euro , menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Falë reagimit në kohë dhe punës profesionale u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në kohë reale  i shtetasve I. T., 14 vjeç dhe D. M., 17 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim”, pasi dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri -tjetrin i kanë marrë me forcë eurot shtetasit nga Gjermania.

Gjithashtu, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin D. F., 20 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Shkelja e  rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi ditën e djeshme ky shtetas duke drejtuar automjetin tip “Lancia” në rrugën “Duro Shaka” ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përmbysur në rrugë duke u plagosur pasagjeri F. Z., 20 vjeç, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.