Vlora, si një rreckë që s’ke ku ta kapësh

663
E di që është një fjalë e rëndë. Parandiejë se ndonjë miku im do ma marr këtë vëzhgim për të keq. Mund të më thonë se si „i majtë “nuk kam gjetur momentin e duhur. Nuk e kam në dorë reagimin e tyre. Sidoqoftë, do tu thosha se ngritja e një shqetësimi në një gazetë nuk e dëmton atmosferën paraelektorale më shumë se një vendim qeverie për ngritjen e pagave dhe pensioneve të shtetarëve të lartë!…Apo jo? Unë po shkruaj për gjendjen e qytetit tim dhe qytetit të tyre. Shkruaj, sepse s’duhet lënë që indiferentizmi dhe justifikimet pushtetare ta lëndojnë më shumë këtë qytet. As nuk bëj antireklamë për turistët, por shpresoj që të prek sadopak në nervin e kësaj Qeverie që të mos sillet si e para, që Vlora i shkaktonte urrejtje e hakmarrje. Shikojeni atë rreckë-banderolë në këtë foto(1). Ndodhet në hyrje të qytetit, sapo kalon L. Pusi i Mezinit. Kështu është Vlora, qyteti im, qyteti i të gjithë neve që u lindëm dhe jetojmë këtu. Një rreckë që s’ke ku ta kapësh. Me të gjitha rrugët tërë gropa e të prishura, ku edhe te ecësh më këmbë, përsëri është vështirë. Në dimrin e lagësht të mbyt balta e pisllëku. Në beharin e thatë të zë frymën pluhuri. Le të më thonë “komunistë”, le të më thonë “enveristë”, le të më quajnë edhe “nostalgjik”, por Vlora, qyteti i përkëdhelur nga natyra, qyteti bregdetar dhe turistik, u katandis kështu, me rrugë të shkatërruara, të pista, i pa gjelbëruar, në këta 25 vjet “demokraci”. Rrugë që nga të asfaltuara janë kthyer në kalldrëm. Kështu është ish rruga nga ish Bonifikimi në Uzinën e Sodë-Pvc. Kështu është rruga nga ish Parku i Tregtisë në Ndërmarrjen Pyjore. Kështu është katandisur rruga nga Gjykata – F. çimentos- Spitali Psikiatrik. Më keq akoma është rruga që kalon te ish Kampi i punëtorëve. Drejt shkatërrimit po shkon edhe rruga Sheshi i Flamurit- Shkolla e Marinës etj. Nuk ka qenë kështu para viteve 90-të. Vërtetë qarkullonin pak makina, por ka pasur shumë lulishte. Vërtetë s’ka pasur kaq shumë pallate, por ka pasur shumë sheshe për fëmijë. Vërtetë s’ka pasur kaq shumë lokale, por kishte tre kinema (kur sot s’ka asnjë). Vërtetë s’ka pasur kazino, por kishte një pallat kulture e një pallat sporti, që gjallëronin nga veprimtaritë kulturore, artistike e sportive. Këto që ka sot nuk e bëjnë Vlorën më të bukur e më tërheqëse se ato që pati dje. Po vjen dita e çeljes së sezonit turistik. E vetmja ngjarje që na kujton se erdhi ky sezon është Festivali Folklorik, fryt i një pune të palodhur, të mundimshme e vullnetare e njeriut të pasionuar, e studiuesit, publicistit dhe poetit , Sejmen Gjokolit. Të tjerat kalojnë si të zakonshme. Asgjë e veçantë. E ç’ pret të ketë tjetër, kur nuk ke lekë?!
Të paktën, na ktheni ato që kishim
Unë hyj te njerëzit që i përkrah prishjet për të ndërtuar një gjë të re, pavarësisht se sa e dhimbshme është prishja. Aq më tepër kam përkrahur ato prishje që kishin shëmtuar, ose grabitur mjediset publike. Por nuk justifikoj pasojat e më pasme. Nuk justifikoj ato mbetje, atë rrëmujë e atë pisllëk që kanë mbetur pas këtyre prishjeve, ujërat që rrjedhin nga tubacionet e amortizuar, kanalet e pa pastruar, etj. Shikoni foton tjetër (2). Është një pjesë e bregut që na u premtua, se këtë vit do të ishte shëtitorja e qytetit, e ashtuquajtura “Lungomare”. Janë ca pirgje me rërë e shtuf, që para disa muajve na dhanë shenjën se puna filloi. Çdo pasdite, para se të errësohet, një grup automjetesh sjellin nga një ngarkesë me këtë përzierje dhe parkojnë aty gjithë natën .Të nesërmen shkojnë në punën e tyre, deri sa vjen darka përsëri. Para disa muajve, në këtë shëtitore, ashtu siç ishte, ndjeje se ecje buzë detit, i përfshirë në flladin e ujit dhe zhurmën e dallgëve, ose shushërimin e valëve. Njerëzit ishin të mësuar edhe me kaq pak. Sot nuk e ke më këtë mundësi. Të pengojnë këto pirgje. Por edhe më keq akoma, rruga është e pandriçuar, sepse linja elektrike është dëmtuar. Jemi në periudhë fushate elektorale dhe natyrshëm do të vij një ditë kur lehtësisht ato do ti rrafshojnë, ashtu siç po bëhet me rrugën e spitalit. Nuk është as gjë dhe as punë e madhe. Sidoqoftë njerëzit do të kenë një ndjesi tjetër. Por nuk do të harrojnë se fjala nuk u mbajt. Në Vlorë nuk harrojnë se kështu u ka ndodhur edhe me premtimet e Qeverive të tjera. Ne e dimë se kjo Qeveri e mori shtetin në krizën më të thellë. Nuk është faji i saj pse paraardhësit e lanë Vlorën të humbiste vlerat e bukura të saj, ato që i ka dhuruar natyra dhe ato që i ndërtuan brezat njeri pas tjetrit deri në fillimet e viteve 90-të. I shkatërruan dhe i braktisën, nën çmendurinë e “luftës kundër komunizmit”, duke dhunuar gjithë atë djersë e sakrificë të një populli të tërë. Në qoftë se sot në Vlorë, është bërë në këtë periudhë një gjë e re dhe e bukur, kryesisht ajo është meritë e privatit. Të paktën disa nga ato që patëm të na sjell hëpërhë kjo Qeveri. Riparimin e rrugëve, ndriçimin e tyre, sistemimin e mjediseve të prishura, plazhet publik, sheshet për fëmijë, muzeun historik dhe përgjegjësinë e administratës. Mendoj se kaq lekë që duan këto kërkesa, populli ia jep këtij shteti.
Sigal