Vlora/ Pushues, ja ku rrezikoni!

679
Ergys Alushi
Këtë verë duket se të gjithë kanë zgjedhur Vlorën për të kaluar pushimet verore, edhe rreziqet për të pushuar në qytet janë edhe më të mëdha.
Rrezik nga toka, deti, por edhe nga ajri.
Shkëmbi te “Kalaja”në Ujin e Ftohtë
Andej nga deti, janë rrezik shkëmbinjtë, që ndodhen në kasin pranë vendit të njohur me emrin “kalaja”, të cilët qëndrojnë kërcënueshëm mbi kokat e njerëzve. Vetëm pak ditë më parë, një copë e madhe e këtij shkëmbi u shkëput dhe fatmirësisht nuk pati dëme në njerëzit që kalojnë poshtë në rrugë. “Mu duk sikur ra një meteor nga qielli dhe isha vetëm pak metra larg vendit ku ra shkëmbi duke udhëtuar me familjen time me makinë. E lashë makinën në vend i tmerruar dhe bashkë me gruan e fëmijët ikëm me këmbë derisa gjetëm urbanin e linjës dhe makinën erdha dhe e mora më vonë. Isha i tronditur, shpëtova vetëm për pak metra – tregon për ngjarjen një nga qytetarët që përpak sa nuk u dëmtua nga rënia e shkëmbit. Por, edhe pse policia, ndërhyri me të shpejtë për të normalizuar situatën që u krijua për shkak të trafikut dhe largimin e shkëmbinjëve nga rruga, përsëri rreziku në atë zonë mbetet i lartë pasi shkëmbinjtë vazhdojnë të jenë rrezik e të bien krejt papritur.
Bien palmat, rrezikohen kalimtarët
Por edhe në tokë nuk është kaq e lehtë të ikësh pa u rrezikuar, aq më tepër kur shëtit në bulevardin kryesor të Vlorës. Rrezik në boulevard janë palmat, tashmë të thara, që bien njëra pas tjetrën vazhdimisht. Vetëm pak ditë më parë një palmë ra në vendin pranë kryqëzimit tek ëmbëltore “Rinia” duke rrezikuar një shitës ambulant dhe një fëmijë që ecte aty pranë. Të martën, ra një tjetër palmë në kryqëzimin te “Kali Trojës”, duke rrezikuar kalimtarët. Megjithëse palmat vazhdojnë të bien njëra pas tjetrës dhe shqetësimi qytetar është i madh për rrezikun e tyre, përsëri askush nuk ndërhyn për t’i larguar prej andej apo për të prerë pjesën e sipërme të tyre.
Rrezik nga koncertet!
Në Vlorë mund të shkosh në koncert edhe të rrezikohet jeta. Ka ndodhur pikërisht ditën e shtunë, data 12 gusht, në mbrëmje, gjatë një aktiviteti që bashkia e ka quajtur “Kinema verore”, me piano e violin. Gjatë koncertit ka rënë skena dhe janë dëmtuar dy qytetarë që ishin duke ndjekur koncertin. Të dëmtuarit janë dërguar në spital, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, me dëmtime të lehta në trup. Organizatorët e koncertit janë munduar ta mbajnë të fshehtë incidentin që rrezikoi jetë njerëzish, duke publikuar vetëm për “suksesin” e tij, pasi në fakt kishte vetëm pak njerëz. Në përgjithësi të gjitha koncertet që janë organizuar në Vlorë këtë verë, nuk kanë patur asnjë masë sigurie për të mbajtur njerëzit larg nga skena dhe aparaturat elektrike, ndërkohë që rreziku ka qenë i madh.
“Mos Notoni”
Edhe pse është i njohur tashmë investimi miliona euro dhe shumë i rëndësishëm jo vetëm për Vlorën por për mbarë Mesdheun, përsëri në shëtitoren e bregdetit ose si njihet ndryshe “Lungomare”, nuk mund të “notosh”. Vet Bashkia e Vlorës e njofton këtë fakt nëpërmjet një tabele që ka vendosur në një zonë të shëtitores, shumë pranë ndërtimit prej betoni në det që është quajtur “Hija e diellit”. “Nos notoni” është tabela paralajmëruese e bashkisë, por pa detajuar se në çfarë gjerësie e gjatësie nuk duhet notuar. Vlonjatët e vjetër e të rinj, kujtojnë se janë larë në këtë zonë të detit dhe prisnin që me ndërtimin e lungomares dhe cilësinë e rërës, analizat e së cilës u kryen në Venecia, të kishin kushte edhe më të mira për t’u larë.
“Kujdes kur laheni në det sepse dallgët janë të forta”!
Një tjetër njoftim i bashkisë së Vlorës për pushuesit e shumtë. Kur lexon një njoftim të tillë, mendja të shkon se ndoshta këtë verë, për herë të parë në historinë e detit të Vlorës, dallgët janë të forta dhe se më parë nuk ka patur kurrë dallgë dhe nuk lahej njeri. Njoftimi i bashkisë nuk është pritur mirë nga pushuesit, të cilët e kanë konsideruar tallje dhe një “larje duarsh”nga ana e saj nëse ndodh ndonjë mbytje në det ( urojmë që kurrë të mos ndodh ).
Kullat e vrojtimit mbetën bosh!
Ndërsa i njofton për “dallgët e forta” në det, bashkia nga ana tjetër nuk ka kryer detyrimin ligjor për vendosjen në shërbim të kullave të vrojtimit në plazhet e saj. U tha se në datën 14 gusht, Bashkia e Vlorës do të marr në dorëzim kullat e vrojtimit të ndërtuara në plazhet e Vlorës. Deri më 15 gusht, kullat ishin ende bosh dhe pa infrastrukturën e nevojshme. Një vendim i Këshillit të Ministrave, i vitit 2016 përcakton qëndrimin e një vrojtuesi mbi një kullë 3 metra të lartë për çdo 250 metra plazh. Por në vijën bregdetare shikohen vetëm disa kulla bosh. Vonë është si për 16 gusht, kur do t’i vendosin në punë. Kullat filluan të ndërtohen vetëm pasi në u mbytën 4 të rinj brenda një dite dhe ngaqë u bë zhurrmë e madhe, u ndërtuan edhe kullat shpejt e shpejt. 
Përfundon ura, nuk ka mbrojtëse anësore!
Përfundon ura e Manastirit në Zvërnec, që lish ishullin e vogël ku ndodhet Manastiri me tokën. Përfundimin e urës, edhe pse ende të papërfunduar e ka deklaruar Kryetari i Bashkisë së Vlorës, gjatë një vizite që ka kryer në Manastir, me rastin e festës së Shën Marisë. Ura është e standarteve të larta dhe është konceptuar në mënyrë të atillë që të shërbejë për të forcuar miqësinë midis njerëzve, sepse në mungesë të mbrojtëseve anësore, njerëzit do të lidhen dorë më dorë. Nuk ka informacion se kur do të zhvillohet tenderi i radhës për vendosjen e mbrojtëseve anësore, ndërkohë që vera dhe pushimet janë drejt përfundimit, në ditët e fundit të tyre.
“Nuk e doni Vlorën”
Duket si pa lidhje, por ky është një tjetër rrezik i madh në Vlorë, sidomos për vlonjatët që jetojnë përditë në qytet. Nëse dikush, si puna jonë që shkruajmë të tilla problematika që vijnë nga Vlora, njerëzit pranë pushtetit lokal, do ta etiketojnë me shprehjen se “ju nuk e doni Vlorën dhe i dëmtoni imazhin”. Ky është një tjetër rrezik, sepse nëse nuk flitet edhe për problematikat, krahas anëve të mira që ofron Vlora, ato kanë rrezik të ndodhin apo të shtohen, duke përbërë rrezik për pushuesit dhe vet vlonjatët. Ndaj edhe duhen shkruar, me qëllimin e mirë që diçka të përmisohet dhe rreziqet të minimizohen.
Sigal