Vlora merr tjetër frymëmarrje me komunikimin ajror

1026
Këto ditë po flitet shumë për heqjen e monopolit mbi të drejtën e fluturimeve ajrore mbi hapësirën e Shqipërisë. Kjo është një gjë e mirë, pasi në kuadër të iniciativës së lirë dhe të konkurrencës së ndershme, gjithkush ka të drejtën të aspiroi dhe të provojë. Ministri Ahmetaj ka deklaruar së fundmi për këtë objektiv, por ka shkaktuar pak pështjellim tek vlonjatët kur ka thënë se do të ndërtohet aeroporti i ri i jugut në Sarandë apo në Vlorë. Kjo “apo-ja” ka krijuar shumë mëdyshje tek vlonjatët, sepse është e papranueshme për ta që të vihet në diskutim nëse duhet të ndërtohet aeroporti i ri ndërkombëtar i Vlorës apo jo?! Gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, kandidati për kryetar bashkie i koalicionit të majtë Dr. Dritan Leli e ceku disa herë ndërtimin e aeroportit të ri dhe këtë gjë e rikonfirmoi disa herë edhe Kryeministri Rama. Duhet ta dinë të gjithë se në Vlorë ka një histori aeroportesh, e cila nis jo shumë kohë pas shpikjes së njerëzimit për të fluturuar. Në Vlorë dhe rrethinat e saj kanë qenë tre aeroporte të rëndësishëm për kohën kur kanë funksionuar. Ardhja e Italisë në Vlorë më 1914, për të cilën i qante syri prej vitesh, bëri që të niste ndërtimi i aeroportit përgjatë vijës bregdetare të Ujit të Ftohtë. Konkretisht rrëzë kodrave të Kaninës dhe pikërisht tek vendi ku i thonë Pjeshkorja, italianët ndërtuar aeroportin e parë në qytetin e Vlorës. Avionët ushtarakë të kohës uleshin e ngriheshin pa problem.

 Por jo vetëm kaq, sepse në detin përballë u ndërtua edhe aeroport për uljen dhe ngritjen e hidroplanëve nga deti dhe në det në 1917. Kur Italinë e ndoqën lebërit në 1920, ajo nuk do të hiqte dorë kollaj nga Vlora dhe Shqipëria. Kështu pas pushtimit të Vlorës më 7 prill 1939, Italia nisi ndërtimin e aeroportit të ri në Vlorës në fushën në periferinë perëndimore të qytetit me dy pista rreth 800 m secila, njëra me barë dhe tjetra shtruar me pllaka betoni rrethuar nga të katër anët me kanale kullues ku ecte njeriu në këmbë. Në vitet e monizmit ky aeroport u përdor për stërvitjen e pilotëve të rinj shqiptarë, të cilët studionin në Akademinë e Aviacionit që gjendej në veri të fushës për të cilën po shkruajmë. Këtu stërvitja bëhej me avionët mësimorë “Jak” të prodhimit rus. Por pilotët e rinj duhet të stërviteshin edhe me avionë luftarakë supersonikë, kështu që gjatë muajve të verës pilotët e rinj përgatiteshin në fushën e aviacionit në fshatin Akërni, 20 km në veri-perëndim të Vlorës. Kjo fushë është ideale pasi plotëson standardet e një aeroporti ku gjatësia shkon në rreth 3 km. Këto fusha aviacioni janë braktisur sot dhe ndodhen në mëshirë të fatit. Kështu, fusha e aviacionit brenda në perëndim të qytetit është e mbuluar nga plehrat dhe inertet dhe e rrethuar nga zonat informale të ndërtimeve pa leje. Kjo fushë u pastrua në 1999 nga forcat ushtarake italiane të Operacionit “Arkobaleno”, ku u vendosën çadra dhe pajisje të tjera logjistike në ndihmë të refugjatëve kosovar që ishin larguar forcërisht nga Milosheviçi. Sapo misioni “Arkobaleno” përfundoi, zullumqarët e Vlorës nisën të shkarkojnë hedhurinat e inerteve dhe plehrat pa u hyrë gjemb në këmbë, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes që e kishte në juridiksionin e saj të Akademisë së Aviacionit, as që e çau kokën fare. 

Gjithashtu, në vitin 1999 fusha e aviacionit në Akërni u mor nga italianët, të cilët e mbajtën si aeroport ushtarak dhe premtuan se do ta bënin edhe aeroport civilë. Se çfarë ndodhi më pas nuk u mor vesh, por italianët e braktisën Akërninë dhe nuk u duken më. Tani le të vimë tek deklarata e Ministrit Ahmetaj për aeroportin ndërkombëtar të jugut në Vlorë apo në Sarandë. Zoti Ministër Vlora e ka aeroportin e Akërnisë gati, mjafton të shtrohet dhe të ndërtohen godinat dhe terminali. Largësia nga qyteti i Vlorës me autostradën e re është rreth 15 minuta, çka plotëson më së miri limitet kohore turistike nga aeroporti në destinacion. Sa për aeroport në Sarandë edhe atje duhet një aeroport i vogël për avionët privatë, sidomos britanikët që vizitojnë Parkun Arkeologjik të Butrintit, apo Trojën në miniaturë. Edhe Gjirokastra ka pasur fushë aviacioni, por aeroporti ndërkombëtar i Akërnisë ose i Vlorës në Akërni është gati me shumë pak shpenzime dhe me të gjitha parametrat. Një turist që do zbres në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës (Akërni) do të ndihet i mrekulluar kur të niset me autobus apo me taksi përgjatë Rivierës së famshme shqiptare, (konkurrente dinjitoze e plazheve të Karaibeve) e deri në Sarandë. Sepse Karaibet e Europës janë në Rivierën shqiptare dhe këtë askush nuk mund ta diskutoi kur shkruajnë e thonë mediet botërore. Sa më shpejtë të ndërtohet aeroporti i Vlorës në Akërni aq më shumë lëvizja turistike në jug të vendit do të marrë një zhvillim të paparë. Vlora ka një histori me 3 fusha aeroporte dhe e meriton plotësisht aeroportin ndërkombëtar të Jugut.
Sigal