Vlora mbetet vetëm me një traget, falimenton shoqëria greke

709
Sigal

INTERVISTA/ Drejtoresha e Portit, inxh. Fato Nuredini: “Investimet me të ardhurat e Portit. Binjakëzim me portin e Korfuzit”

Në fundjavë në qytetin e Vlorës ka nisur puna për të zbatuar projektin e zgjerimit të kalatës së trageteve. Ky është investimi më i ri, që do të përmirësojë ndjeshëm punën në port. Drejtoresha e Portit, Fato Nuredini në një intervistë për “Telegraf” tregon edhe për investimet më të reja që janë me të ardhurat e vetë portit.

Zonja Nurediuni, shohim që në port po punohet edhe pse është fund-javë. Ndonjë projekt i ri?

Sikurse e shihni sapo ka filluar puna për të zbatuar një projekt të ri, që ka të bëjë me zgjerimin e kalatës së trageteve. Ndërsa deri tani  punohet me një korsi, çka ka sjellë vështirësi në përpunimin e tyre, me përfundimin e këtij projekti do të jetë me dy korsi dhe një trotuar për kalimin e udhëtarëve. Zgjerimi do të bëhet në një gjatësi prej 250 metra dhe gjerësi 3 metra. Ky projekt po bëhet me fondet e vetë shoqërisë portuale dhe kushton 100- milionë lekë të vjetra. Sikurse dihet ne sapo përfunduam një tjetër investim, që i ndryshoi tërësisht pamjen portit të qytetit tonë.

Bëhet fjalë për terminalin?

Po, terminali i pasagjerëve, që sapo u përurua. Është bashkëkohor, modern që të jep përshtypjen se ndodhesh në një terminal të një shteti europian. Gjithçka është e re, që nga vetratat duralumin, me sistem termik, pjesa e brendshme është bërë me veshje e patinime, tavanet me kartonxhers, shtresat me pllaka dhe hijeshinë ia jep lulishtja që u bë përpara terminalit, çka krijon një mozaik përballë detit blu. Investimi arriti në shumë prej 128 milionë lekë të vjetra. Në të vërtetë drejtoria e Portit është përqendruar në investimet, në përmirësimin e kushteve, çka i ka dhënë një pamje tjetër Portit të Vlorës.

Çfarë investime të tjera janë kryer?

Puna filloi në sistemimin e të gjitha ambienteve të jashtme, por brenda territorit të portit, është shtruar e gjithë sipërfaqja me asfalt, por janë hapur edhe sipërfaqe të reja, duke i kushtuar vëmendje edhe mjedisit të gjelbëruar, çka nuk ishin trajtuar asnjëherë. Po kështu është bërë vijëzimi i të gjithë sipërfaqes që është asfaltuar dhe është vënë një rregull.

Keni në plan ndonjë projekt tjetër?

Porti i Vlorës është lidhur me Portin e Igumenicës, madje dy ditë më parë patëm bisedime në Janinë për këto probleme, do të shkëmbejmë eksperiencat, ata do të vijnë këto ditë për të parë gjendjen në Portin e Vlorës dhe do të shohin se ku mund të ndihmojnë. Ndërkohë nuk mund të rri pa theksuar se na duhet të fillojmë sa më shpejt punën për thellimin e detit, sepse nuk jemi në kuotën e duhur. Nëse tani e kemi deri në 5 metra thellësi, domosdo duhet të shkojë në minus 9 metra, në mënyrë që Kalata të punojë në të gjithë gjatësinë e saj. Në gusht erdhi një anije e madhe gjermane me turistë dhe për shkak të kësaj, e lanë 50 metra të anijes, e lanë jashtë Kalatës, duke u ankoruar me shumë vështirësi. Pra është akute thellimi i baselit të kalatave të trageteve, që e gjithë të shkojë në kuotën minus 9 metra. Ndërkohë dua të them se, një firmë private na ka kërkuar për të shtrirë tubacionet e gazit, kjo pas kontratës që lidhi Kryeministri me Italinë. Këto do të shkarkohen mjete të tonazheve të rënda, deri në 11 ton, doemos kërkojnë kuotën e caktuar për t’u ankoruar e shkarkuar.

Çfarë po bëhet për projektin e hidroplaneve, për të cilin jeni prononcuar kohë më parë?

Jemi në pritje për të bërë investimin, ku do të vendoset një platformë për 4 hidroplane, çka do t’i shtohet portit një biznes i ri, që do të ketë pasagjerët e tij.

Me gjithë investimet dhe ndryshimin tërësisht të pamjes së portit, Vlora ka mbetur me një traget. Nuk ju shqetëson ky fakt zonja drejtore?

Është e vërtetë që ka vetëm një traget, por “Euroferries”, është një traget i madh që i plotëson të gjitha nevojat që ka porti. Ai ka një kapacitet prej 1500 vende për pasagjerë ashtu edhe për automjete. Është shumë komod, korrekt me detyrimet që i ka portit dhe nuk na ka dalë asnjë problem. Ata janë korrekt në shlyerjen e detyrimeve edhe për faktin se është theksuar në kontratën e përbashkët, që thotë se nëse i ditë kalon, penalizohesh.

Po trageti tjetër “Agodimos”?

Nuk e përballoi krizën, duket se shoqëria greke që e kishte, falimentoi. Ai ndërpreu kontratën me ne dhe nuk vjen më në Portin e Vlorës. Kështu ndodhi edhe me “Veronika Lines”, që u largua nga Vlora dhe në mos gabohem operon nga Porti i Durrësit. U largua, pasi shleu detyrimet që i kish portit në shumën 90 mijë euro.

Përmendët krizën. E ka ndjerë Porti i Vlorës?

Preket tek anijet e mallrave, ku shkarkohet vetëm çimento, pasi hidrokarburet kanë ikur tek Petrolifera. Pra, ka rënë numri i anijeve tregtare deri në 4-5 në muaj,  që kryejnë aktivitet të pandërprerë. Një shkak më shumë është, sepse ka rënë aktiviteti i firmave të ndërtimit. Me dy fjalë nëse me tragetet e realizojmë planin, me anijet tregtare, jo, por mbulohet me punën e vinçave etj., sektorë që bën të mos e ndjejmë shumë krizën.

______________________________________________________________________________

ASNJË SHPRESË PËR PROJEKTIN ITALIAN

Pyetjes se çfarë të reje kemi për investimin që do të kryente shteti italian në Portin e Vlorës, apo është një çështje e harruar, znj. Nuredi iu përgjigj: “Kemi qenë të interesuar, e kemi ngacmuar problemin dhe morëm një përgjigje në muajin qershor se është vënë në lëvizje projekti që kish parashikuar një investim prej 15 milionë euro, që kish parashikuar 4-5 vende për akostimin e trageteve, është planifikuar një terminal i ri, por në anën tjetër. Duket kriza që ka përshkuar edhe Italinë, duket se projekti nuk do të mund të zbatohet në këto kohë”.